Pasi që sistemi 4-2-3-1 i përdorur në ndeshjen kundër Paris Saint-Germaini duket se nuk është më opsion, Zinedine Zidane pritet ta zgjedhë mes formacioneve 3-5-2 ose 4-4-2, me Eden Hazardin si sulmues të dytë.

Zinedine Zidane do të jetë në mendime të thella për ta zbuluar mënyrën më të mirë për t’iu qasur ndeshjen si mysafir kundër Sevillas, në fundjavë, shkruan AS, transmeton Gazeta Express.

Real Madridi duhet të përballet me lideren e La Ligës në një kohë jo shumë të favorshme për madrilenët, për shkak të lëndimeve në repartin e mesfushës dhe shfaqjes së dobësive në repartin e mbrojtjes.

Real Madridi i ka pranuar nëntë gola në pesë ndeshje – një kundër Celta Vigos, një kundër Real Valladolidit, dy kundër Villarrealit, dy kundër Levantes dhe tri kundër PSG-së. Kjo ecuri mund të ndikojë negativisht në synimet e Real Madridit për këtë sezon të ri.

Tekniku Zidane po i shqyrton dy sisteme për ndeshjen kundër Sevillas

Të dielën, skuadra e Zidane do të përballet me Sevillan e Julen Lopeteguit, i cili e ka bërë bashkë një skuadër solide. Isco, Valverde dhe Modrici s’do të jenë në dispozicion për ndeshjen në “Pizjuan”, duke e nxitur kështu trajnerin francez ta shkëmbejë sistemin 4-2-3-1 me formacionin me tre mbrojtës ose me sistemin 4-4-2.

Zidane e kishte testuar formacionin me tre mbrojtës në dy ndeshjet e fundit të turneut parasezonal, kundër Salzburgut dhe Romës. Ai formacion kishte sjellë disa gjëra pozitive e disa negative. Hazardi luajti si sulmues përkrah Benzemas, duke e liruar kështu belgun nga detyrat në fazën e mbrojtjes. Ndërkohë, Marcelo (i cili është në dyshim për ndeshjen kundër Sevillas) shkëlqeu më shumë në sulm. Në realitet, mesfusha përbëhet nga pesë lojtarë: dy anësorë, Kroos e Casemiro dhe pastaj Zidane do të duhet të vendosë a ta përdorë Bale apo Jamesin.

Opsioni tjetër në mendjen e trajnerit të “Los Blancos” është formacioni 4-4-2, të cilin e përdori në ndeshjen kundër Villarrealit, që përfundoi me barazim 2:2. Në këtë formacion, Casemiro dhe Kroos mbeten në mesë Lucas Vazquez në krahun e djathë dhe, përsëri, ose Bale e ose James në krahun e majtë. Edhe në këtë sistem, Hazardi lirohet nga detyrat në repartin e mbrojtjes. Duke luajtur sërish si sulmues i dytë përkrah Benzemas.

Sidoqoftë, formacioni 4-2-3-1, me të cilin Real Madridi pësoi disfatë në Paris, nuk duket opsion për madrilenët për ndeshjen e së dielës në “Pizjuan”.

Loading...