Uran ismaili pdk prishtine

Zgjidhet kryetari i degës së PDK-së në Prishtinë

Uran Ismaili është ngjitur në krye të PDK’së në Prishtinë 12 vjet pasi është anëtarësuar në këtë parti. Ai mban edhe pozitën e Nënkryetarit të PDK’së ndërsa është Ministër i Shëndetësisë.

Ismaili ka lëshuar kritika në drejtim të udhëheqjes aktuale të Prishtinës. Ka thënë se pushtet e kanë degraduar Prishtinën.

PDK asnjëherë s’ka shënuar fitore në Prishtinë. S’ka dalë e para as në zgjedhjet nacionale në këtë qytet.

Hashim Thaçi e Kadri Veseli kanë synuar të marrin udhëheqjen në Kryeqytet me ushtarakë, aktor e filozof.

Megjithatë, tash gjërat duket se kanë ndryshuar pasi do të provojnë me Uran Ismailin, i shkolluar për psikologji e administratë publike.

Ismaili ka marrë sot udhëheqjen e PDK’së në qytetin më të madh të Kosovës. Pro tij kanë votuar shumica e 389 delegatëve të PDK’së. 281 pro tij, 39 kundër, 4 abstenim dhe një e pavlerë, shkruan Gazeta Express.

“Me keni dhënë besimin. Do të punojmë së bashku në secilën lagje të Prishtinës. Më keni bërë me u ndi krenar”, ka thënë Ismaili, posa ka marrë rezultatin e zgjedhjeve në Prishtinë.

Gjatë ditës, Nënkryetari i PDK’së, Hajredin Kuçi tha se pa fitoren në Prishtinë s’është e plotë fitorja e PDK’së.

Partia e Kadri Veselit ka provuar me disa figura kryesore të fitojë Kryeqytetin por asnjëherë s’ia ka dalë. Ka dështuar me ushtarakun Agim Çekun, aktorin Lirak Çelajn, filozofin Astrit Salihun dhe me ushtarakun Fatmir Limajn.

Por, kush është Uran Ismaili?

40 vjeçari i lindur në Prishtinë ka përvojë të gjatë në Partinë Demokratike të Kosovës. Kishte hyrë në PDK si 28 vjeçar bashkë me një grup të rinjsh duke përfshirë edhe Abelard Tahirin e Memli Kransiqi,

Babai i dy fëmijëve, Ismaili ka qenë nxënës i fillores në Ismail Qemail dhe i shkollës së mesme Xhevdet Doda.

Ka studiuar në psikologji e Administratë Publike. Studimet themelore i ka kryer në Universitetin Graceland të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndërsa studimet Master në Administratë Publike në Universitetin e Harvardit.

Deri në vitin 2016 ai ishte anëtar i kryesisë së Degës së Prishtinë.

Është Ministër i Shëndetësisë, Nënkryetar i PDK’së dhe Asamblist i kësaj partie në Kuvendin Komunal të Prishtinës.

Ismaili ka qenë njëri prej njerëzve më të afërte të Kadri Veselit, duke marrë edhe pozitën e Shefit të Stafit të tij, në mandatin e parë të Veselit si Kryeparalemntar.

Ismaili gjatë së kaluarës gjithashtu ka punuar me organizata ndërkombëtare dhe projekte të rëndësishme me DIFID, OSBE dhe Physicians for Human Rights.

Aktualisht, PDK është në opozitë në Kuvendin Komunal të Prishtinës. Ka bashkëqeverisur me LDK’në në disa mandate por asnjëherë s’ka pasur udhëheqjen e Komunës.

Prej dhjetorit të vitit 2013, Prishtinën e udhëheq Shpend Ahmeti dikur i Vetëvendosjes e tash i PSD’së. Me herët Prishtinën e ka udhëhequr LDK’ja me Isa Mustafën e Ismet Beqirin.

Loading...