Turkey 1-0 albania

Shqipëria e Edi Rejës luan më kokën lart në Turqi dhe i afrohet disa herë golit që mund t’i jepte 3 pikët, por në fund del e humbur nga kjo “finale”, pasi vendasit shfrytëzuan maksimalisht një gabim të portierit Strakosha në minutën e fundit dhe shënuan golin e vetëm të ndeshjes.

Sfida nisi menjëherë “e nxehtë” dhe pas vetëm 3 minutash, arbitri akordoi një faull inekzistent në favor të Cenk Tosun, me sulmuesin turk që ra në tokë pa pasur kontakt me Dermakun, ndërsa mbrojtësi kuqezi mori karton të verdhë.

Deri në minutën e 15’ tensioni ishte i lartë dhe arbitri rumun Ovidiu Hategan humbi kontrollin, duke ndëshkuar edhe Memushajn e Baren, por edhe Demiral te Turqia, duke kushtëzuar në një farë mënyrë ecurinë e lojës.

Shkëndijën e parë të rrezikshme kuqezinjtë e dhanë pas një goditjeje dënimi nga krahu, ku Manaj devijoi topin me kokë, por sfera u ndal në duart e portierit turk, ndërsa në minutat shtesë, ku i fundit grushtoi një gjuajtje të rrezikshme të Manajt, pas një faulli të fituar nga vetë lushnjari mbi vijën e 16 metrave.

Me barazimin pa gola përfundoi edhe 45-minutëshi i parë, ndërsa pjesa e dytë nisi me të njëjtin ritëm, ku vendasit tentuan të bëjnë lojën, por hasën në një rreshtim në kufijtë e perfektes nga ana e kuqezinjve.

Rastin e parë të rrezikshëm Turqia e krijoi me anë të Tayfun, që gjuajti nga vija e 16 metrave, por topi u grushtua bukur nga Strakosha, ndërsa pak minuta më vonë Demiral u harrua në zonë, por goditja e tij ishte e dobët dhe topi shkoi në duart e gardianit kuqezi.

Nga an tjetër të besuarit e Rejës kërcënuan dy herë me Cikalleshin, por pa rrezik, ndërsa rastet më të mira për të shënuar i pati sërish lushnjari Rey Manaj, por këtë herë gaboi në mënyrë të pabesueshme, duke falur turqit në të paktën 4 momente “të arta”.

Fillimisht ishte Roshi që shpërtheu në krah dhe shërbeu saktë për Manajn, që me portën e boshatisur dhe vetëm dy metra larg vijës fatale, doli huq dhe nuk arriti të shtyjë topin në rrjetë. Vetëm pak minuta më vonë, lushnjari u nis i vetëm me portierin, por gaboi në avancim dhe mbrojtësi turk ia doli ta arrijë dhe t’i marrë topin.

Në 5 minutat e fundit, sulmuesi me numrin 10 i kuqezinjve krijoi edhe dy mundësi të mira shënimi, por u tregua egoist, duke injoruar shokët e skuadrës dhe duke tentuar lavdinë personale, por gjuajtjet ishin të dobëta dhe topi nuk përfundoi në rrjetë.

Pikërisht në këtë moment “u aktivizua” ligji i pashkruar i futbollit, që nëse nuk shënon, do pësosh dhe kështu ndodhi me kuqezinjtë, që panë topin të ndalej në rrjetë nga një aksion aspak i rrezikshëm, ku portieri Strakosha gaboi në dalje dhe u përplas me Ismajlin, duke lënë Cenk Tosun me portën e boshatisur, ndërsa ky i fundit nuk gaboi dhe gjeti golin e fitores.

Vërshëllima finale e rumunit Hageland la në fuqi fitoren minimale 1-0 të turqve, që marshojnë drejt Europianit 2020, ndërsa Shqipëria duhet të mendojë për vendin e tretë dhe edicionin e ardhshëm eliminator.

Loading...