Trajneri i Kosovës, Challandes: Dy ndeshje na ndajnë nga ëndrra

Challandes është shumë i lumtur me skuadrën që ka krijuar te Kosova, me të cilën fitoi Grupin në Ligën e Kombeve duke bërë paraqitje fantastike dhe janë vetëm dy ndeshje larg kualifikimit në Euro 2020.

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, në një intervistë për Super Sport Kosova, ka folur për punën 1 vjeçare me “Dardanët”, kualifikimin historik në Ligën e Kombeve dhe të ardhmen, transmeton Gazeta Express.

Është bërë një vit kur Challandes u ul në stolin e Kosovës dhe që atëherë, “Dardanët” nuk dinë çfarë është humbja.

66 vjeçari u emërua trajner i Kosovës më 2 mars të vitit 2018 dhe që nga atëherë ka zhvilluar 9 ndeshje zyrtare e miqësore ku ka shënuar 7 fitore dhe 2 barazime.

Golaverazhi i ‘Dardanëve’ është thjesht fantastike nën urdhërat e Challandes, 21 gola të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar.

Është data e largët 9 tetor i vitit 2017 kur “Dardanët” pësuan humbjen e fundit, pra më shumë se një vit, kur në stol ishte ish-trajneri, Albert Bunjaku.

Challandes, për Super Sport, e vlerëson si një arritje të jashtëzakonshme punën 1-vjeçare me “Dardanët”.

“Kishim synim të fitojmë grupin në Ligën e Kombeve dhe ia kemi dal”, tha Challandes.

“Jam i kënaqur me punën e ekipit, stafit dhe të gjithëve. Jam i befasuar me përparimin e ekipit, synimi ka qenë të krijojmë një ekip luftarak që do të luftonim për njëri-tjetrin dhe ia kemi arrit qëllimit”.

“A do të jem gjatë trajner i Kosovës? Nuk mendoj shumë për të ardhmen, jam i vjetër dhe nuk më kanë mbetur shumë vite”.

“Euro 2020? Kemi mundësi që përmes Ligës së Kombeve të shkojmë në Evropian, kemi edhe kualifikime, edhe pse do të jetë e vështirë, është një tjetër garë. Por, pas arritjes në Nations League, jemi dy fitore larg për të realizuar ëndrrën, që të marrim pjesë në Kampionatin Evropian”.

“Miqësorja me Danimarkën? Do të jetë e rëndësishme për t’u përgatitur për Bullgarinë. Por, mos prisni shumë ndryshime. Rezultati i ndeshjes me Danimarkën do të jetë i rëndësishëm për atë që vjen më pas”. /Gazeta Express/

Loading...