Ambasadorja e SHBA-së në NATO: Ushtria e Kosovës do të mbështetët nga NATO

Kay Bailey Hutchison, ambasadorja e SHBA-së në NATO, edhe njëherë ka përsëritur qëndrimin e saj sa i përket Ushtrisë së Kosovës.

Aambasadorja Hutchison ka thënë se NATO do të punojë me qeverinë e Kosovës për t’u kujdesur që do të krijohet një forcë mbrojtëse shumë-etnike, ku janë të përfshira të gjitha minoritetet.

Taksën ndaj Serbisë, ambasadorja amerikane e ka vlerësuar si politikë bilaterale ndërmjet dy shteteve.

Këto komente ajo i ka bërë gjatë një konferencë para nisjes së takimit të ministrave të Mbrojtjes në Bruksel.

Ndryshe NATO në fillim nuk ishte shumë pro transformimit të FSK-së në Ushtri, por kjo deklaratë e ndryshon pozicionimin e ngurtë të Aleancës Veri-Atlantike./TeleshkronjaPost/

Ushtria e Kosovës kryen stërvitje në shtetin turk

Në qytetin Kars të Turqisë ka filluar ushtrimi fushor ndërkombëtar “WINTER EXERCISE 19“ (Ushtrimi dimëror) në të cilin po marrin pjesë përfaqësuesit e 13 shteteve.

Ushtrimi “Ushtrimi dimëror 19“ ka për qëllim testimin e kapaciteteve luftarake në kushte të dimrit (borë me trashësi deri 50 cm dhe temperatura deri -20 gradë celsius), si dhe forcimin e ndërveprimit në ambiente të përbashkëta operacionale.

FSK-ja po merr pjesë me një kontingjent prej shtatë pjesëtarëve të rangut; oficerë dhe nënoficerë-stafi. Kontingjenti i FSK-së ka zbarkuar me datën 06 shkurt 2019, dhe i është bashkuar Brigadës së 14-të të Mekanizuar të Ushtrisë Turke, në detyra të ndryshme, si oficerë/nënoficerë stafi etj.

Komandanti i Kontingjentit të FSK-së, majori Albert Kuqi, deklaroi se “të gjithë oficerët dhe nënoficerët e FSK-së, janë në nivel të detyrës duke treguar profesionalizëm gjatë realizimit të këtij ushtrimi të përbashkët operacional.

Qëllimi i pjesëmarrjes së FSK-së është që pjesëtarët tanë të trajnohen dhe zhvillojnë shkathtësitë e planifikimit dhe ekzekutimit të ushtrimeve, ku përfshinë; qitje reale nga armët e kombinuara të kalibrave të ndryshme në një operacion konvencional ushtarak, si dhe këto përvoja t’i aplikojmë në vendin tonë në kushte dhe ambiente të ngjashme“, shtoi major Kuqi.

Ushtrimi “WINTER EXERCISE 19“ do të përfundojë më 22 shkurt 2019.

Hapet konkursi për ushtarë në Ushtrinë e Kosovës

Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës sot do të shpallë zyrtarisht konkursin publik për rekrutimin e rekrutëve (OR1) – ushtarëve që do të shërbejnë në komponentën aktive të Forcës së Sigurisë së Kosovës (Ushtrisë së Kosovës).

Afati i konkurrimit do të jetë deri më 22 shkurt 2019.

Konkursi do të shpallet mbi bazën e Planit të Veprimit 2019 të Ministrisë së Mbrojtjes. Bazuar në këtë plan do të zhvillohet edhe procesi i shqyrtimit, filtrimit dhe përzgjedhjes së rekrutëve të rinj që do të pranohen në FSK.

Kriteret e përgjithshme për rekrut/OR1(ushtar) të FSK-së do të jenë: Të jetë shtetas i Republikës së Kosovës; të këtë të përfunduar shkollën e mesme; të jetë i moshës 18-23 vjeç; të ketë zotësi të plotë për të vepruar; të zotërojë aftësitë e nevojshme shëndetësore e fizike për vendin e shërbimit si dhe të mos jetë i dënuar për vepër penale, me vendim të formës së prerë.

Procedurat e shqyrtimit, filtrimit dhe përzgjedhjes do të jenë: Shqyrtimi fillestar i aplikacioneve; testi i aftësive; testi fizik; intervista me shkrim dhe me gojë; testi mjekësor; trajnimi; verifikimi; emërimi si dhe e drejta e ankesës.

Dokumentet e kërkuara për aplikim sipas konkursit do të jenë: Diploma (dëshmi) e shkollimeve të përfunduara; dëshmi; certifikata; mirënjohje (nëse posedon); certifikata e lindjes (jo me të vjetër se 6 muaj); certifikata e shtetësisë; vërtetimi nga gjykata që nuk është nën hetime apo i ndjekur penalisht; kopje e letërnjoftimit apo pasaportës si dhe dy fotografi të formatit (5 cm x 5 cm).

Shtetasit e Republikës së Kosovës të cilët konkurrojnë mund të pranohen në Forcën e Sigurisë së Kosovës pasi të kenë plotësuar kërkesat dhe kriteret e përgjithshme të përzgjedhjes. Pranimi në FSK konfirmohet pas përfundimit të trajnimit bazik dhe gjatë kësaj kohe kandidatët do të cilësohen si rekrutë (OR1). Pas përfundimit të trajnimit bazik rekrutët marrin gradën e ushtarit.

Formularët për aplikim do të jenë në dispozicion në të gjitha kazermat e FSK-së, si dhe në ueb-faqen e Ministrisë së Mbrojtjes, www.mksf-rks.org, apo www.rks-gov.net/mfsk ku do të publikohet edhe konkursi. Formularët duhet të dorëzohen personalisht, në të gjitha kazermat e FSK-së, në çdo ditë pune nga ora 09:00-15:00 deri në afatin e fundit për konkurrim.

Lirohen dy ushtarët e FSK-së pasi u intervistuan për tre orë nga autoritetet e sigurisë serbe

Janë liruar dy pjesëtarët serb të Ushtrisë së Kosovës të cilët ishin ndaluar herët në mëngjes nga autoritetet serbe në pikë kalimin kufitar në Jarinjë.

Alen dhe Anel Ujkanovic janë intervistuar nga autoritetet serbe për tre orë rresht.

Këtë e ka konfirmuar Gjenerali Rrahman Rama, transmeton Teleshkronja Post.

Edhe Anel Ujkanovic ndërkohë ka treguar se tani janë në Novi Pazar. Ai ka rrëfyer se si janë marrë në pyetje nga pala serbe për tre orë rresht.

Për ndalimin e tyre ka reaguar sot edhe i pari i ekzekutivit Ramush Haradinaj i cili kishte kërkuar lirimin e tyre të menjëhershëm.

Edhe zëvendësministri i Mbrojtjes, Burim Ramadani, ka thënë se këto janë veprime të papërgjegjshme të Serbisë. Sipas tij këto veprime janë një tregues i qartë se pse Serbia e meriton vendimin e Qeverisë së Republikës së Kosovës për taksë.

Thaçi në vizitë tek familja Rugova

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka vizituar familjen e ish-presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova.

I pari i shtetit tha se arsyeja e vizitës është urimi për themelimin e Ushtrisë së Kosovës.

Presidenti tha se trashëgimia shtetformuese e presidentit Rugova ka qenë dhe është shumë e rëndësishme për Kosovën.

“Ishte një moment i veçantë për të takuar gjithë anëtarët e familjes Rugova, për t’i uruar themelimin e ushtrisë së Kosovës dhe festat e fundvitit dhe falënderuar për trashëgiminë shtetformuese të Presidentit Rugova për Kosovën”, përfundoi ai.

Bashkë me Thaçin ishin edhe dy zëvendëskryeministrat, Behgjet Pacolli dhe Dardan Gashi.

Rifat Jashari për Ushtrinë: Kënaqësi për gjith shqiptarët

Sot me 14 dhjetorë, është ditë historike për shtetin e Kosovës, pasi u votua formimi i Ushtrisë së Kosovës me shumicë unanime në Kuvend.

Vëllai i komandantit legjendar të UÇK-së, Adem Jashari, Rifat Jashari është shprehur se krijimin e Ushtrisë së Kosovës e kanë pritur me vite të tëra, raporton Teleshkronja Post.

Për këtë ditë, sipas tij më meritorët janë ata që dhanë jetën për lirinë e Kosovës, transmeton kp.

“Kjo është një kënaqësi jo vetëm për mua, dhe ne si familje Jashari, por për tërë kombin shqiptar.”

“Këtë ditë e kemi pritur me vite të tëra, duke iu falënderuar bijve e bijave të Kosovës që e morën guximin, ia kthyen pushkën ushtrisë dhe policisë serbo-sllave.”

“Fal gjakut të tyre, luftës së tyre sot jemi këtu ku jemi, ishalla e gëzojmë, ishalla gjë të keqe më nuk i ndodh popullit tonë, vendit tonë”, tha ai.

Automjetet ushtarake amerikane për Ushtrinë e Kosovës / FOTO

Kur kanë ngelur më pak se një javë nga data e përcaktuar për votimin e projektligjeve për transformimin e FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës (FAK), nga Amerika në Kosovë, kanë arritur 24 automjete ushtarake “Humvee”.

Këto automjete, që pritet të jenë në dispozicion të FSK-së, pasi të marrë mandatin e Forcës së Armatosur, i kanë kushtuar buxhetit të Kosovës rreth 7 milionë euro.

Mësohet se FSK do të marrë edhe 27 automjete të tjera “Humvee”, të cilat janë donacion nga Ushtria Amerikane.

Ndërkaq, për formimin e ushtrisë, Kosova mori mbështetje të fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ka thënë se evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura është hap pozitiv dhe është mese e natyrshme për Kosovën si vend sovran dhe i pavarur, që të ketë aftësi vetëmbrojtëse.

Kosnett rithekson se Kosova vazhdon të mbetet lartë në prioritetet e politikës së jashtme amerikane.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ditë më parë ka deklaruar pasi të formohet Ushtria e Kosovës, vendi do të aplikonte për anëtarësim në NATO, edhe pse kjo e fundit u shpreh qartazi kundër kësaj nisme vetëm pak ditë më parë.

“Pas votimit të ligjeve më 14 dhjetor do të bëjmë atë që bën çdo vend tjetër që ka një ushtri, anëtarësohet në NATO, siç bëri Shqipëria”, ka theksuar Haradinaj.

Seanca për themelimin e Ushtrisë së Kosovës është paraparë të mbahet më 14 dhjetor.

Duhet theksuar se në korrik të këtij viti, Qeveria e Kosovës ka nënshkruar kontratë për blerjen e 51 automjeteve të blinduara ‘Humvee’./TeleshkronjaPost/

Vuçiq: Nuk jam i kënaqur që Amerika po e përkrah ushtrinë e Kosovës, por ajo është më e forta

Presidenti i Serbisë, Aleksander Vuçiq, ka thënë se kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka të drejtë kur thotë se Amerika mbështet formimin e ushtrisë së Kosovës.

Megjithatë, thotë se nuk është i kënaqur me qëndrimin e ambasadorit të SHBA-së, Philip Kosnett, për çështjen e ushtrisë.

“Nuk jam i kënaqur me atë se çfarë ka thënë ambasadori amerikan. Por ata janë më të fortët”, ka thënë Vuçiq.

Sa i përket mbështetjes nga Amerika për Kosovën, Vuçiq thotë se nuk është asgjë e re.

“Kjo mbështetje nga Amerika nuk është asgjë e re. Ne nuk kemi se çfarë të bëjmë tjetër, ne duhet ta mbrojmë veten”, ka thënë ai, shkruan ‘Blic.rs’.

Këto deklarata të presidentit serb vijnë pas mbështetjes që SHBA-ja i ka thënë nismës për krijimin e ushtrisë së Kosovës./Teleshkronja Post/

Philip Kosnett: Shëndrrimi i FSK-së në Ushtri, hap i natyrshëm

Ambasadori i ri amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, në një intervistë ekskluzive për RTK-në ka thënë sot se evoluimi i FSK-së në Forca të Armatosura është hap pozitiv.

Ai u shpreh se është mëse e natyrshme për Kosovën si vend sovran dhe i pavarur, që të ketë aftësi vetëmbrojtëse.

Ambasadori i ri amerikan thotë se liderët kosovarë kanë folur se si Forcat e Armatosura do të mund të merrnin pjesë në operacione paqeruajtëse jashtë shtetit, që Kosova e ka arritur pikën që në vend se të jetë vetëm konsumuese e sigurisë ndërkombëtare, mund edhe t’i kontribuoj asaj dhe se e tërë kjo është e mirëseardhur.

Kështu ka deklaruar ambasadori Kosnett, në një intervistë ekskluzive për RTK-në, e cila do të transmetohet e plotë, sonte prej orës 20:10 në RTK1.

Ambasadori, në këtë intervistë flet edhe për taksën prej 100 për qind ndaj produkteve serbe, për marrëveshjen përfundimtare me Serbinë dhe nëse ajo mund të prek çështjen e kufirit.

Ambasadori i ri amerikan, rithekson se Kosova vazhdon të mbetet lartë në prioritetet e politikës së jashtme amerikane. Pra, sonte nga ora 20:10 intervista e ambasadorit të ri amerikan në Kosovë, Philip Kosnett.