Zyra e Mogherinit: Marrëveshja Kosovë-Serbi është vonuar, taksa shkaku pse s’ka marrëveshje

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila është edhe ndërmjetësuese e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thotë se është e gatshme të ftojë menjëherë një takim të nivelit të lartë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel në momentin e parë që hiqet taksa.

Ajo madje thotë se është e gatshme që të mbyllet në një takim pavarësisht se a do të zgjas edhe me muaj të tërë.

Në një intervistë për Gazetën Express, zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijancic, thotë se derisa nuk hiqet taksa, BE-ja nuk ka ndërmend të bëj ndonjë lëvizje drejt një takimi Thaçi-Vuçiq.

Zyrtarja e BE-së ka përsëritur edhe një herë kërkesën e Brukselit që urgjentisht të hiqet vendimi për taksën, me qëllim të vazhdimit të dialogut që do të dërgojë drejt një marrëveshje historike, ligjërisht të obligueshme në pajtim më të drejtën ndërkombëtare.

Sipas saj, dialogu është rruga e vetme për të ecur drejt marrëveshjes, dhe shton se këtë rrugë tashmë e ka vështirësuar vendimi i Haradinajt për taksë ndaj Serbisë e Bosnjës.

Sa i përket Platformës së Prishtinës, Maja Kocijancic ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e Brukselit se nuk i komenton qëndrimet e palëve në dialog.

E pyetur se pse 2019-a po cilësohet si vit i marrëveshjes, Mogherini nuk ka pasur një sqarim, vetëm ka treguar për thirrjet e vazhdueshme që janë bërë nga të gjitha instancat e Bashkimit Evropian që të shfrytëzohet momenti i krijuar për të arritur një marrëveshje finale dhe historike ndërmjet dy shteteve.

Sipas saj duhet të vendoset paqe dhe stabilitet në rajon, prandaj një zgjidhje e problemit Kosovë-Serbi është diçka që duhet të ndodh urgjentisht, pasi një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është vonuar.

Megjithatë ndërmjetësuesja Mogherini, ka hezituar që të përgjigjet në disa prej pyetjeve të Gazetës Express.

Kocijancic nuk e ka thënë asnjë kur është pyetur rreth deklarimeve të presidentit Hashim Thaçi se do të tentojë të ndryshojë edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në shërbim të idesë së tij për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, në kuadër të synimi të tij për korrigjim të kufijve.

Përveç kësaj BE-ja nuk ka pasur përgjigje edhe në pyetjen tjetër nëse e konsideron si lëvizje të gabueshme shkuarjen në zgjedhje të parakohshme pa e hequr vendimin për taksën.

Vlenë të theksohet se Gazeta Express disa nga pyetjet ia ka drejtuar përfaqësueses së zyrës së BE-së në Kosovës, Natalya Apostolova, por për shkak të natyrës së tyre, nga kjo zyrë është thënë që për to më mirë të përgjigjet Federica Mogherini.

Si përfaqësuese e Zyrës së BE-së në Kosovë, a pranoni të ftoni ndonjë takim me liderët e shtetit, për të diskutuar rreth situatës aktuale politike, me qëllim të zhbllokimit të saj?

Krerët e institucioneve, më saktësisht kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë që është i gatshëm menjëherë t’iu kthehet bisedimeve të Brukselit, megjithatë sipas tij Serbia është duke e penguar vazhdimin e dialogut, duke thënë se nuk kthehet në dialog pa e pezulluar taksën. Sipas Haradinajt, këto dy gjëra nuk kanë ndërlidhje mes vete (taksa dhe dialogu). Ju znj. Apostolova duke parë këtë, a mendoni që Serbia po e shfrytëzon këtë situatë për të parandaluar vazhdimin e dialogut. Pasi që taksa është vendosur si një kundërpërgjigje ndaj agresionit të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës, dhe ju nuk keni bërë asnjëherë presion ndaj Serbisë për të ndalur fushatën e egër kundër shtetësisë së Kosovës, siç po i bëni tani presion Kosovës për taksën ?

Maja Kocijancic: Sa i përket zhvillimeve të fundit: Bashkimi Evropian ka parë që kuvendi i ka miratuar Ligjin për Dialogun dhe Platformën për Dialogun. Si ndërmjetës, Bashkimi Evropian nuk jep komente për qëndrime individuale të palëve në dialog. Negociatat janë mënyra e vetme për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Bashkimi Evropian rithekson që dialogu është rruga e vetme për të ecur përpara dhe ai është në interesin e qytetarëve në Kosovë dhe Serbi dhe për rajonin në tërësi.

Vendimi i autoriteteve të Kosovës në nëntor të vitit të kaluar për të vendosur taksa për mallrat e importuara nga Bosnja e Hercegovina dhe Serbia nuk ka ndihmuar për ta krijuar mjedisin e nevojshëm që dialogu të vazhdojë. Ashtu siç është përsëritur nga BE-ja, SHBA-ja dhe të tjerët, ne e ritheksojmë thirrjen tonë ndaj qeverisë së Kosovës për ta pezulluar menjëherë këtë taksë në mënyrë që të mundësohet vazhdimi i menjëhershëm i dialogut.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë që në zemër të marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja reciproke [Serbia të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës]. A është edhe ky qëllimi i BE-së, si ndërmjetësues i dialogut?

Maja Kocijancic: Fokusi ynë është puna e vazhdueshme brenda dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, i cili ndërmjetësohet nga përfaqësuesja e lartë/zënvendëspresidentja e BE-së dhe i cili pritet të intensifikohet pas pezullimit të taksës.Puna po vazhdon për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme lidhur me normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve që do ta siguronte një zgjidhje afatgjate për çështjet më të rëndësishme – një zgjidhje të zbatueshme, të qëndrueshme dhe reale, e cila mbështetet në marrëveshje të dyanshme, që është në vijë me ligjet ndërkombëtare dhe evropiane dhe e cila është e pranueshme për shtetet anëtare të BE-së dhe rajonin. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme për të gjitha çështjet e hapura është urgjente dhe jetike për Serbinë dhe Kosovën për të përparuar në rrugën e tyre evropiane dhe për stabilitetin e paqen në rajon.

Të gjithë në Bashkimin Evropian po e thonë se viti 2019 është momentum për arritjen e një marrëveshje finale, dhe një moment I tillë duhet shfrytëzohet, megjithatë askush nuk e jep të paktën një arsye se pse viti 2019 po konsiderohet viti i një marrëveshje finale.Cili është shpjegimi juaj për këtë ?

Maja Kocijancic: Status quo-ja nuk është opsion as për Serbinë, as për Kosovën. Marrëveshja gjithëpërfshirëse në fakt është vonuar. Presidenti i Këshillit Evropian, presidenti i Komisionit Evropian, përfaqësuesja e lartë, komisioneri Hahn, Komisioni si tërësi dhe të gjitha shtetet anëtare të BE-së e kanë përsëritur përmes shumë instancave mbështetjen e tyre për arritjen e një marrëveshjeje. Ne i inkurajojmë palët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje të gjatë përmes arritjes së një marrëveshjeje historike. Marrëveshja ligjërisht e obligueshme dhe gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve lidhur me të gjitha çështjet e hapura është në dobi të popujve dhe do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon si dhe do të jetë ndihmë për Serbinë dhe Kosovën për të përparuar drejt BE-së, për këtë arsye ajo është jetike dhe urgjente.

Pyetjet në vazhdim i janë dërguar drejtpërdrejtë zyrës së Mogherinit:

A konsideroni se shkuarja në zgjedhje të parakohshme pa e pezulluar taksën mund të jetë një gabim i madh që mund ta mbaj dialogun të bllokuar edhe për dy apo tre muaj? Cila është thirrja e BE-së për partitë politike në Kosovë?

Maja Kocijancic: Porosia jonë është e qartë: Status quo-ja nuk është opsion as për Serbinë, as për Kosovën. Marrëveshja gjithëpërfshirëse në fakt është vonuar. Presidenti i Këshillit Evropian, presidenti i Komisionit Evropian, përfaqësuesja e lartë, komisioneri Hahn, Komisioni si tërësi dhe të gjitha shtetet anëtare të BE-së e kanë përsëritur përmes shumë instancave mbështetjen e tyre për arritjen e një marrëveshjeje. Ne i inkurajojmë palët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje të gjatë përmes arritjes së një marrëveshjeje historike.

Siç ka thënë përfaqësuesja e lartë/zëvendës presidentja e BE-së, Mogherini, në Këshillin për Punë të Jashtme në muajin shkurt, rundet e dialogut nuk “ndodhin”. Unë i mbledh ata, por nuk do t’i mblidhja për një seancë tjetër të dialogut deri të plotësohen kushtet. Që të plotësohen kushtet, pres që autoritetet e Kosovës ta tërheqin, ta pezullojnë ose ta anulojnë vendimin për taksë 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina. Deri atëherë, nuk shoh që ka kushte për një rund të ri dhe të suksesshëm të bisedimeve në dialog.

Duke e pasur parasysh këtë, në çastin që kushtet të plotësohen, jam e gatshme që jo vetëm ta thërras një takim të nivelit të lartë në dialog mëngjesin e ardhshëm, por edhe të mbyllemi për aq kohë sa është e nevojshme, qoftë një javë, një muaj ose tre muaj. Jam e sigurt se mund të përfitojmë në mënyrë të dobishme nga një mjedis pozitiv, nëse arrihet diçka e tillë, për ta arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Sidoqoftë, unë pres që të plotësohen kushtet e duhura dhe se deri tash nuk kam parë lëvizje në këtë drejtim.

“Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”, tha ajo.

A e konsideroni ndryshimin e kësaj pike të Kushtetutës si një veprim të rrezikshëm që do të bëjë Kosovën një shtet që edhe përmes Kushtetutës tregon se ka pretendimet territorial ndaj shteteve të tjera ?

Maja Kocijancic: Fokusi ynë është puna e vazhdueshme brenda dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, i cili ndërmjetësohet nga përfaqësuesja e lartë/zënvendëspresidentja e BE-së dhe i cili duhet të intensifikohet pas pezullimit të taksës. Lexoni çfarë ka thënë përfaqësuesja e lartë e BE-së më 18 shkurt në Këshillim për Punë të Jashtme: EU High Representative said on the 18/02 Foreign Affairs Council

Puna po vazhdon për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme lidhur me normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve që do ta siguronin një zgjidhje afatgjate për çështjet më të rëndësishme – një zgjidhje të zbatueshme, të qëndrueshme dhe reale, e cila mbështetet në marrëveshje të dyanshme dhe që është në vijë me ligjet ndërkombëtare dhe evropiane dhe e cila është e pranueshme për shtetet anëtare të BE-së.

Marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe ligërisht e obligueshme për normalizim të marrëdhënieve për të gjitha çështjet e hapura është urgjente dhe jetike për Serbinë dhe Kosovën për të përparuar në rrugën drejt BE-së si dhe për stabilitetin dhe paqen në rajon.

Haradinaj e thotë shkurt: Mogherini është arsyeja pse dialogu nuk vazhdon

Dje gjatë ditës në një deklaratë për media, si ndërmjetsuesja e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë tha se dialogu vazhdon atëherë kur hiqet taksa.

E menjëher sot ka reaguar kryeministri i vendit, duke treguar arsyen pse dialogu nuk po vazhdon dhe kush është fajtori, shkruan Teleshkronja Post.

Kryeminsitri në Facebook shkruan se dialogu ka dalë nga binarët, dhe kjo ka ndodhur për shkakun e Frederica Mogherinit, e cila ka lejuar të diskutohet për shkëmbim territoresh.

Ai theksoi gjithashtu se Kosova është e përkushtuar që ky dialog të vazhdojë dhe mund të vazhdojë pa e lidhë me temën e tarifave./teleshkronjapost.info/

Postimi i plotë i të parit të qeverisë :

Nesër në Kosovë vijnë dy këshilltarët e kancelares Merkel

Edhe java që po hyjmë pritet të përfshihet me porosi të bashkësisë ndërkombëtare sa i përket dialogut me Serbinë.

Për nesër, në Kosovë është paralajmëruar një vizitë e dy këshilltarëve të kancelares Merkel, Matthias Luettenberg dhe Jan Hecker.

Në Kosovë dje solli mesazhe edhe zyrtari i lartë amerikan, David Hale, i cili ftoi liderët e Kosovës që të flasin me një zë, në mënyrë që të fuqizohet roli i Kosovës në dialog.

Hale po ashtu theksoi se përkrahja e SHBA’së është e palëkundshme. Duke folur për marrëveshjen gjithëpërfshirëse me Serbinë, Hale tha se në bosht të saj duhet të jetë njohja e ndërsjellë.

Edhe pse ditët e fundit ka pasur presion për heqjen e taksës për t’i hapur rrugë dialogut me Serbinë, presidenti serb, Vuçiq, sot ka vënë në pikëpyetje vazhdimin e dialogut edhe nëse hiqet taksa.

Po sot, Lista Serbe, përmes zëdhënësit Igor Simiq, u ka thënë LDK’së dhe Vetëvendosjes, se do t’iu bashkohet në rrëzimin e Qeverisë Haradinaj nëse i sigurojnë 51 vota.

Përfundon takimi i liderëve me përfaqësuesin e DASH nga Amerika

Liderët e institucional, presidenti Hashim Thaçi, kryeministri Ramush Haradinaj si dhe kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli kanë përfunduar takimin me zyrtarin e lartë amerikan, David Hale.

Pas këtij takimi, të zhvilluar në Ambasadën së SHBA-së në Prishtinë, liderët janë mbledhur në njërin prej restoranteve të kryeqytetit.

Diplomati amerikan në këtë takim raportohet t’u kërkuar nga liderët e vendit që të bëhet pezullimi i taksës 100 për qind ndaj mallrave që importohen nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Në vazhdim më teper informata…

Ndryshe, tashmë kanë kaluar më shumë se tre muaj prej kur Qeveria e Kosovës ka marrë vendim për vendosjen e taksës 100 për qind ndaj produkteve serbe dhe boshnjake.

Para se të vijë në Prishtinë, diplomati amerikan David Hale, dje ka qëndruar në Bograd. Gjatë takimit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, Hale ka kërkuar vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi në kërkim të arritjes së një marrëveshjeje mes dy vendeve.

Çdo ditë vendet e BE-së na dërgojnë kërkesa për heqje të taksës

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, ka thënë se në zyrën e saj çdo ditë shkojnë kërkesa nga vendet e BE-së, për tërheqjen e taksës ndaj produkteve serbe.

“Normalisht ne s’kemi asgjë, mirëpo, ne në Ministri kemi kërkesa nga vendet e BE-së, që në mënyrë zyrtare kërkojnë të hiqet taksa”, ka thënë ajo derisa po raportonte në Komisionin për Integrime Evropiane.

Hoxha shton gjithashtu se BE-ja u ka bërë të ditur se Kosova ka plotësuar të gjitha kushtet për liberalizim të vizave, por janë duke pritur pasi që Bashkimi Evropian është në provat e zgjedhjeve dhe ata nuk duan të japin argumente.

Tutje, ministrja ka mohuar se Kosova ka humbur milionat për shkak të moszbatimit të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA).

Ditë më parë u raportua se për shkak të moszbatimit të MSA-së gjatë vitit 2018, Kosova ka humbur 11 milionë euro. Ndërkaq, këtë vit mund të humben edhe 14 milionë euro të tjera. /Express

Amerikanët: Nëse taksa nuk hiqet, ushtarët amerikan largohen nga Kosova

Njerëzit e Trumpit, në takimet e shumta që kanë zhvilluar sot me spektrin politik, përvec tjerash, kanë kërcënuar se nëse Kosova nuk ia heq taksën produkteve serbe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të tërheqin trupat ushtarakë nga Kosova.

Aktualisht SHBA ka rreth 650 trupa në Kosovë kryesisht në stacionuar në kampin Boondsteel bazën më të madhe amerikane në Evropë.

Një burim i besueshëm i Gazetës Express, që sot ka qenë në takim me delegacionin amerikan ka thënë se njerëzit e administratës Trump e kanë kërcënuar Kosovën edhe tërheqje trupash nga Kosova.

“Në takimet e deritanishme kanë kërcënu që munden me u tërheq prej Kosovës edhe ushtarakisht, njëjtë sikur në Siri”, ka thënë ky burim.

Delegacioni i udhëhequr nga John Erath, drejtor kryesor për Çështje Evropiane në Këshillin e Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, si dhe nga drejtori për Ballkan të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, Brad Berkley, kanë mbajtur një rekord të takimeve. Në të gjitha këto është diskutuar për pezullimin e taksës ndaj produkteve serbe.

Delegacioni ka takuar dje kryeministrin Ramush Haradinaj dhe presidentin Hashim Thaçi. Shefi i ekzekutivit ka lënë mbledhjen pak minuta para se ajo të përfundonte. Është injoruar kryeparlamentari Kadri Veseli, i cili as dje e as sot s’është thirrur në takime nga amerikanët.

Haradinaj ka treguar se as pak këtij takimi nuk ka pranuar që taksa ndaj Serbisë të hiqet, pa u njohur pavarësia e Kosovës.

Thaçi nuk ka folur asgjë, ndërsa në orët e mbrëmjes ka shkuar në shtëpinë e kreut të LDK-së, Isa Mustafa.

Mëngjesin e sotëm i pari i vendit ka vazhduar takimet me njerëzit e administratës Trump, mirëpo në zyrën e tij ka qenë edhe ekipi negociator, i udhëhequr nga Shpend Ahmeti dhe Fatmir Limaj.

Zyra e Presidentit doli me njoftim se të gjithë anëtarët e ekipit negociator janë pajtuar se duhet të dëgjohen këshillat e amerikanëve dhe të hiqet taksa.

“Të gjithë anëtarët e ekipit negociator kanë shprehur shqetësimin për veprimet agresive të Beogradit, por në të njëjtën kohë kanë shprehur edhe gatishmërinë e tyre për respektimin e këshillës së SHBA-së për suspendimin e taksës dhe rifillimin e dialogut në Bruksel”, shkruante në komunikatën e ZKM-së.

Këtë e ka mohuar Shpend Ahmeti, duke thënë se nuk është pajtuar se duhet të pezullohet taksa.

“Delegacioni shtetëror nuk është deklaruar për suspendimin e taksës. Ka qëndrime të subjekteve të ndryshme dhe ato janë tashmë të njohura për publikun. Për më shumë, as unë nuk jam deklaruar për suspendimin, as në këto takime dhe as në takime tjera. Kemi folur për arsyeshmërinë e taksës dhe pse ka qenë e nevojshme”, ka shkruar në reagimin e tij Ahmeti.

Ndërkaq, para amerikanëve është zbutur Fatmir Limaj, partneri i Haradinajt i cili deri tash po e përkrahte taksën dhe qëndrimin e Kryeministrit për mosheqjen e saj.

Limaj ka thënë se duhet të merren parasysh këshillat e amerikanëve që çojnë në fillimin e dialogut.

Gjatë ditës delegacioni ka takuar një pjesë të deputetëve të disa partive opozitare. Në takim ishte marrë pjesë deputetët e LDK-së, Vjosa Osmani, Lumir Abdixhiku dhe Arban Abrashi; deputeti i Alternativës Ilir Deda dhe deputeti i PSD-së, Visar Ymeri.

Ndërsa Lëvizja Vetëvendosje është i vetmi subjekt politik që s’është raportuar se ka pasur ndonjë takim me delegacionin nga Këshilli Kombëtar i Sigurisë të SHBA’së.

Ish –Sekratari Mattis para se të merrte pozitën gjatë një dëshmie në janar të vitit 2017 para senatit, kishte thënë se prania e ushtarëve amerikanë është kritike për të siguruar stabilitetin në rajon. Ai kishte thënë se para largimit do të ishte e mençur që FSK të marrë mandatin për të siguruar mbrojtjen territoriale. /Express

Pendohet Fatmir Limaj pas takimit me amerikanët

Pendohet Fatmir Limaj ! Ashtu edhe siç pritej, pas takimit me njerëzit e dërguar nga administrata Trump është zbutur në qëndrimin për taksën ndaj produkteve serbe, duke e lënë kryeministrin Ramush Haradinajn të vetmin që insiston në mbajtjen e taksës.

Dy bashkëkryesuesit e ekipit negociator të krijuar me platformë të Kuvendit, Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti, janë takuar me delegacionin amerikan sot në zyrën e presidentit Hashim Thaçi.

I pari i Nismës, Limaj, në Facebook ka shkruar se delegacionit amerikan u ka thënë se po punojnë që të unifikojnë qëndrimin rreth taksës, në mënyrë që të mundësohet fillimi i dialogut, duke marrë parasysh këshillat e amerikanëve.

“Shfrytëzova rastin për thënë se vendimi për taksën ka qenë vendim shtetëror dhe tashmë është e qartë se ka këndvështrime të ndryshme rreth kësaj teme. I sigurova që po punojmë fuqishëm që institucionet e Kosovës rreth kësaj çështjeje të kenë një qëndrim unik i cili do t’i mundësonte edhe fillimin e dialogut duke marrë parasysh këshillat e miqve tanë amerikanë”, shkruan ndër të tjera Limaj.

Dihet se këshillat e amerikanëve janë që taksa të hiqet, ndërsa ky është edhe kushti që Serbia ka vënë për ta vazhduar dialogun.

Postimi i plotë i Limajt:

Sot në zyrën e presidentit, ne si Delegacion Shtetëror për Bisedime me Serbinë, u takuam me përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley,

Unë shfrytëzova rastin që dy zyrtarët e lartë të Shtëpisë së Bardhë t’i njoftoj për punën e deritanishme të Delegacionit Shtetëror, për parapërgatitjet që po i bëjmë për dialogoun e mundshëm me Serbinë.

Njoftova për përgatitjen e platformës për bisedime e cila, pas miratimit nga ana e institucioneve, është proceduar në Kuvend dhe shpresoj që Kuvendi i Kosovës të diskutojë dhe votojë këtë platformë e cila do ta paraqesë qëndrimin zyrtar të Kosovës në dialogun e ardhshëm me Serbinë.

Gjithashtu shpreha shqetësimin tonë për sjelljen e shtetit serb në raport me Kosovën, ndërhyrjen që çdo ditë Serbia i bën në Kosovë dhe ndaj qytetarëve të Kosovës, pengesat që i bën Kosovës dhe qytetarëve të saj. Përmendëm arsyet që na kanë detyruar ta marrim vendimin për taksën.

Përfaqësuesit e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, John Erath dhe Brad Berkley, edhe njëherë paraqitën qëndrimin e njohur amerikan për pezullimin e taksës për t’i dhënë mundësi dialogut dhe përkushtimin e SHBA-ve për të parë sa më shpejt një marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë e cila do ta mbyllte njëherë e përgjithmonë konfliktin mes dy vendeve.

Shfrytëzova rastin për të thënë se vendimi për taksën ka qenë vendim shtetëror dhe tashmë është e qartë se ka këndvështrime të ndryshme rreth kësaj teme. I sigurova që po punojmë fuqishëm që institucionet e Kosovës rreth kësaj çështjeje të kenë një qëndrim unik i cili do t’i mundësonte edhe fillimin e dialogut, duke marrë parasysh këshillat e miqve tanë amerikanë.

Haradinaj: Kushdo që flet për kufij i shërben agjturave ruse dhe Putinit

Kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj duket më i prerë se kurrë sa i përket çeshtjeve të ndryshimit të kufijve dhe taksës.

I ftuar në televizionin nga Shqipërisa Ora News, Haradinaj ceku se kushdo që po e përmend ndryshim kufijsh i shërben agjendës së Putin.

“Kushdo që po përmend ndryshim kufijsh apo bashkim me Shqipërinë duke dhënë copë tokë nga Kosova, ai po i shërben agjenturave ruse dhe serbe.”

“Nëse dikush përmend aq shumë këtë temë për kufij, është e qartë se u shërben vizionit të Sputnikut dhe po merrë para për këto deklarime, direkt apo indirekt,” u shpreh Haradinaj.

Përndryshe sot pasdite ka arritur letra nga SHBA ku kërkon pezullimin e taksës ose raportet Kosovë-Amerikë mund të keqësohen, por Haradinaj nuk ka ndryshuar qendrim.
/TeleshkronjaPost/