A do mbahet nesër mësim ? Vendos Komisionit Parlamentar

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka përsëritur para Komisionit Parlamentar për Arsim qëndrimin e tij se, vendimi për orët e humbura gjatë grevës në arsim duhet të zbatohet i plotë, në mënyrë që të mos humbin nxënësit.

Në mbledhjen, e cila është mbajtur me ftesë të Komisionit Parlamentar për Arsim, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e SBAShK-ut, pas diskutimeve të shumta, ministri Bytyqi është pajtuar me propozimin e Komisionit që edhe këtë të shtunë të mos ketë zëvendësim të orëve të humbura, por kjo të fillojë nga e shtuna e ardhshme. Për këtë, MAShT do t’i njoftojë edhe zyrtarisht Drejtoritë Komunale të Arsimit.

Komisioni Parlamentar për Arsim e ka vlerësuar planin e Ministrisë për zëvendësimin e orëve të humbura, ndërsa ky propozim është bërë për t’i dhënë kohë Sindikatës që të reflektojë pozitivisht dhe mësimi të fillojë të zëvendësohet nga e shtuna e ardhshme.

Megjithatë, në këtë mbledhje, ministri Bytyqi ka përmendur disponimin e Drejtorive Komunale të Arsimit që të fillojë zbatimi i vendimit për kompenzimin e orëve të humbura, ndërsa ka paralajmëruar masa ligjore ndaj të gjithë individëve që do të përpiqen ta pengojnë zbatimin e vendimit.

Pra nesër nuk ka mësim, por nga java apo e shtuna e ardhëshme pritet të ketë vazhdim të procesit mësimorë edhe të shtunave./TeleshkronjaPost/

Zyrtare: SBASHKU merr vendim për mësimin nesër

SBASHKU ka marrë vendim, nesër nuk do të ketë mësim në gjithë shkollat e Kosovës.

Lajmin e ka konfirmuar Rrahman Jasharaj, Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës.

“Jo nuk do të ketë mësim. Vendimi i SBASHKUT mbetet në fuqi. Jemi në pritje të vendimit të Gjykatës lidhur me kompensimin e orëve të mësimit. Besojmë se gjykata do të marrë vendim meritor”, tha ai në klankosovë.

“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë po bën presion që mësimi të mbahet edhe të shtunën, pra në terren kemi vërejtur se kolegëve tonë po u bëhet presion nga MASHT”.

Ai paralajmëron se “ nëse ky presion vazhdon, Sindikata do t’i riaktivizojë grevat”.

Jasharaj, përmendi edhe letrën e dërguar nga kryeinspektori i Ministrisë së Arsimit siç tha ai “pa titull”, që bëjë presion që të kompensohen orët e humbura nga grevat e mbajtura nga punëtorët e arsimit, për shkak të kërkesës së tyre për ngritjen në 30 për qind të koeficientit të pagës.

Jasharaj poashtu bëri thirrje “që nxënësit të mos shkojnë në mësim në grupe të vogla, por të respektojnë vendimin e SBASHK-ut”.

Sindikata Arsimit: Orët e humbura gjatë grevës nuk do të mbahen, pritet vendimi i gjykatës

Këshilli Drejtues i SBASHK-ut bashkë me kryetarët e Kuvendeve të Sindikatave komunale të Arsimit Parauniversitar dhe të Universiteteve kanë mbajtur takim të jashtëzakonshëm për të debatuar lidhur me deklarimin dhe qëndrimin e anëtarësisë rreth çështjes së orëve të humbura gjatë grevës e sidomos rreth vendimit nr. 911, të datës 27 shkurt 2019, te Ministrit Bytyqi lidhur me këtë çështje.

Pas një debati të hapur e duke sjellë mendimin e anëtarësisë Këshilli Drejtues solli vendimin që:

Të mos zëvendësohen orët e humbura gjatë grevës deri në aktgjykimin përfundimtarë të gjykatës përkatëse lidhur më ligjshmërinë e vendimit nr: 911 të datës 27.02.2019 për kompensim të orëve të humbura gjatë grevës, të cilin e ka nxjerr Ministri i Arsimit,Shkencës dhe Teknologjisë.

SBASHK-u i bindur se MASHT dhe Drejtoritë Arsimore respektojnë institucionet e drejtësisë apelon te këto dy institucione arsimore që të presin deri në vendimin përfundimtar të gjykatës lidhur me këtë çështje.

SBASHKU tregon a janë plotësuar kërkesat e tyre 100%

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari është ndarë i kënaqur me marrëveshjen që kanë arritur me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.

“Ishte kënaqësi dje e filluam një raund të ri, sot arritëm marrëveshje. Lëvizja e re na ofron shumë kërkesave tona”, tha Jasharaj.

SBASHK-u ka vendosur ta ndërpresë grevën në arsim, pas marrëveshjes që është arritur me krerët e institucioneve.

Edhe këta të fundit, kanë pohuar së ky është një lajm i mirë për arsimin në vend, teksa kanë pohuar se të shtunën pritet edhe të votohet Projekt-buxheti për vitin 2019 dhe Ligji për Paga.

Qeveria ia bën edhe një ofertë SBASHKU-t, ata i kthejnë shpejtë përgjigjen

Qeveria ka ndryshuar edhe njëherë koeficientët për mësimdhënësit, por sërish jo për të prekur kërkesat e grevistëve.

Një draft i ri, për të cilin është punuar gjatë vikendit, e të cilin e ka siguruar KTV, tregon për rritje të koeficienteve, edhe në raport me atë që Haradinaj e kishte prezantuar në konferencë të jashtëzakonshme për media, pas takimit me drejtuesit e SBASHK-ut.

Në Ligjin fillestar për Paga, koeficienti për mësimdhënës në shkollë të mesme ishte 2.3, që kur përkthehet në pagë në bazë të vlerës së një koeficienti prej 239 euro, i bie që paga e këtij niveli mësimdhënësish të bëhej rreth 550 euro.

Në propozimin e Haradinajt të së dielës, kjo pagë propozohej në 597 euro. U refuzua nga sindikalistët.

Qeveria ka vendosur që mos ta ndryshojë këtë propozim, dhe si i tillë do të shkojë në Komisionin për Administratë, të Kuvendin e Kosovës.

Pra, përfundimisht Qeveria e ngrit këtë koeficient vetëm në 2.5, që në pagë përkthehet në 597 euro.

E, i menjëhershëm ka qenë reagimi i SBASHK’ut.

Menaxheri financiar në SBASHK, Ymer Ymeri, ka thënë se propozimi më i fundit nga qeveria e Kosovës për pagat në arsim në projektligjin për paga është tentim për mashtrim të sindikalistëve.

Versioni i propozuar, sipas tij, është i papranueshëm për SBASHK-un.

“Është një tentim për mashtrim por nuk do të munden të na mashtrojnë, vetëm po humbin kohë kot. Si duket greva do të zgjasë me jave të tëra”, ka thënë ai për Kohën Ditore.

“Ne mendojmë që ky është një tentim për t’i bindur grevistët se janë plotësuar kërkesat sa për të tentuar ta thyejnë grevën. Por, unë jam shumë i bindur se edhe nesër dhe në ditët në vijim greva do të mbahet 100 për qind sikurse e 11 që ishte sot”.

Në Ligjin fillestar, Qeveria kishte kategorizuar të gjithë mësimdhënësit në ciklin fillor në koeficientin 2, ose përkthyer në pagë 478 euro.

Në propozimin e Haradinajt kjo pagë parashihej të rritej në 525, që nënkuptonte rritje të koeficientit në 2.2.

Propozimi i ri e ka shpërndarë në dy këtë kategori.

Mësimdhënësit në shkollë të mesme të ultë (6-9) e ka ngritur në 2.35 ose rreth 560 euro, ndërsa për kategorinë mësimdhënës të së mesme të ultë (1-5), e ka lënë në 2.2, pra 525 euro.

Te kategoria e mësimdhënësve në sistemin parashkollor, në Ligj ishte propozuar koeficienti 1.9, ose 454 euro përkthyer në pagë.

Haradinaj e kishte propozuar ngritjen në 501 euro, ose 2.1 me koeficient. Në propozimin e ri, kjo është rritur në 2.15 apo rreth 515 euro.

Në 1.9 ka shkuar pozita e edukatorit, nga 1.7 sa ishte me propozimin e parë.

E, ,ësimdhënësit të hënën kanë hyrë në javën e tretë të grevës me kërkesën që koeficientët në të gjitha nivelet e arsimit të rriten për 30 për qind.

SBASHK refuzon rritjen e pagave nga qeveria Haradinajt: Greva do të vazhdojë

SBASHK’u nuk po pranon ofertën e kryeministrit Ramush Haradinajt për rritje të pagave në 20 milionë euro në vit.

Kryetari i SBASHK’ut për Prishtinë, Ahmet Pllana, tha se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre për të rritur koeficientin, transmeton Teleshkronja Post..

“SBASHK do të vazhdojë grevën derisa Qeveria pranon të rrisë koeficientin nga 2 në 2.6 për shkolla fillore. Nëse nuk plotësohen kërkesat tona do të mblidhet Këshilli dhe do të merren masa më të ashpra deri në protesta”, tha Pllana për Klan Kosovën.

Ndërkaq, Haradinaj pas takimit me kryetarin e SBASHK’ut, Rrahman Jasharajt, ka dalë në një konferencë për media ku tha se bashkë me ministrin e Financave kanë marrë vendim për ngritje pagash.

Jasharaj: Ministri Bytyqi pajtohet me greven por se pranon publikisht

Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se pozita e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, nuk ia lejon që publikisht të thotë se janë në përkrahje të grevës.

Rrahman Jasharaj, ka thënë se edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) mbështet grevën e mësimdhënësve, por që sipas tij, ministrit Shyqiri Bytyqi, nuk ia lejon posti që të dalë publikisht dhe të thotë se e mbështet grevën e mësimdhënësve.

Këto komente kreu i SBASHK-ut i bëri pas takimit me mësimdhënësit e shkollës fillore “Elena Gjika”, në Prishtinë.

Sipas tij, vet ministri Bytyqi përkrah kërkesat e tyre.

“MASHT më në fund është në të njëjtin front të luftës me ne. Sa i përket koificientëve dhe ligjeve janë me ne mirëpo, natyra e punës së ministrit nuk e lejon që të dalë në media e të thotë se e përkrah këtë grevë”, deklaroi Jasharaj, duke shtuar se në MASHT janë optimist që do të ndryshojnë gjërat, raporton lajmi.net.

Në këtë takim me mësimdhënës, Jasharaj po ashtu deklaroi se greva do të përfundoj vetëm në momentin kur të plotësohen kërkesat e tyre dhe se sipas tij, çdo kush që tenton t’i bëj presion apo t’i kërcënoj grevistët, SBASHK do të ndërmarr hapa konkret dhe do të bëj kallëzim penal.

Tutje ai ka thënë se këtë mund ta bëjnë pasi që padinë për personat që pengojnë grevistët ia lejon ligji.

Zyrtarisht nesër nuk ka mësim, SBASHK-u në grevë

Nesër nuk do të ketë mësim, por do të ketë grevë, këtë vendim e ka marr SBASHK-u, transmeton Teleshkronja Post.

Përmes një njoftimi në Facebook, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës ka thënë se kanë marr vendim që nesër të filloj greva në gjitha instutcionet arsimore publike në vend.

Kjo grevë do të filloj nga ora 09:00-12:00 çdo ditë:

Postimi i SBASHK-ut:

Të nderuar, anëtarë të SBASHK-ut.

Ashtu siç edhe jeni të informuar, përmes mjeteve të informimit por edhe nga kryetarët e sindikatave të institucioneve tuaja, si dhe nga kryetarët e sindikatave të komunave tuaja, Këshilli Drejtues i SBAShK-ut në mbledhjen e vet të datës 10.01.2019, në mënyrë unanime ka marrë vendim që i tërë sistemi arsimor duke i përfshirë Çerdhet, Shkollat Fillore dhe të Mesme të Ulëta, Shkollat të Mesme të Larta dhe Universitetet të fillojnë Grevën e Përgjithshme nga data 14.01.2019, nga ora 9:00 deri 12:00, deri në realizimin e kërkesave.
Kërkojmë nga ju që secili të bisedoj gjatë kësaj kohe me prindërit e institucionit tuaj, të kërkoni mirëkuptim dhe përkrahjen e tyre dhe ti bëni me dije, se greva nuk është vullnet i yni, por është një domosdoshmëri për ta rregulluar ligjin e pagave i cili ka qindra defekte, dhe përgjegjës për këtë grevë janë institucionet e Kosovës që nuk janë marrë seriozisht me paralajmërimet e SBAShK-ut, që nga viti 2016, por edhe që nga prilli i vitit 2018.

Gjatë këtyre ditëve mund të plasojnë edhe informata që tentojnë ta përçajnë grevën, e një e tillë e rrejshme veç u përhap sot ne rrjetet sociale gjëja se është anuluar greva,por ju të dashur anëtarë të SBASHK-ut duhet të bazoheni vetëm në informatat që vijnë nga SBASHK-u përmes përfaqësuesve tuaj të cilët ju vetë i keni zgjedhur për ta udhëhequr grevën në institucionin tuaj, po ashtu mund të informoheni nga lajmet në web-faqen e SBASHK-ut, www.sbashk.-rks.org, si dhe në Facebook: SBAShK – Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës e Kosovës.

SBASHK do t’ju mbaj të informuar në çdo kohë për negociatat eventuale që do të zhvillohen në institucionet e Kosovës, dhe ju siguron se pa përmbushjen e kërkesave tuaja greva nuk do të përfundon.

Me respekt,
Rrahman Jasharaj- Kryetar i SBASHK-ut
Prishtinë, më 13 janar 2019 ora 13,15