A do mbahet nesër mësim ? Vendos Komisionit Parlamentar

Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqiri Bytyqi, ka përsëritur para Komisionit Parlamentar për Arsim qëndrimin e tij se, vendimi për orët e humbura gjatë grevës në arsim duhet të zbatohet i plotë, në mënyrë që të mos humbin nxënësit.

Në mbledhjen, e cila është mbajtur me ftesë të Komisionit Parlamentar për Arsim, ku kanë marrë pjesë edhe përfaqësuesit e SBAShK-ut, pas diskutimeve të shumta, ministri Bytyqi është pajtuar me propozimin e Komisionit që edhe këtë të shtunë të mos ketë zëvendësim të orëve të humbura, por kjo të fillojë nga e shtuna e ardhshme. Për këtë, MAShT do t’i njoftojë edhe zyrtarisht Drejtoritë Komunale të Arsimit.

Komisioni Parlamentar për Arsim e ka vlerësuar planin e Ministrisë për zëvendësimin e orëve të humbura, ndërsa ky propozim është bërë për t’i dhënë kohë Sindikatës që të reflektojë pozitivisht dhe mësimi të fillojë të zëvendësohet nga e shtuna e ardhshme.

Megjithatë, në këtë mbledhje, ministri Bytyqi ka përmendur disponimin e Drejtorive Komunale të Arsimit që të fillojë zbatimi i vendimit për kompenzimin e orëve të humbura, ndërsa ka paralajmëruar masa ligjore ndaj të gjithë individëve që do të përpiqen ta pengojnë zbatimin e vendimit.

Pra nesër nuk ka mësim, por nga java apo e shtuna e ardhëshme pritet të ketë vazhdim të procesit mësimorë edhe të shtunave./TeleshkronjaPost/

SBASHKU tregon a janë plotësuar kërkesat e tyre 100%

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari është ndarë i kënaqur me marrëveshjen që kanë arritur me kryeministrin Ramush Haradinaj dhe kryeparlamentarin Kadri Veseli.

“Ishte kënaqësi dje e filluam një raund të ri, sot arritëm marrëveshje. Lëvizja e re na ofron shumë kërkesave tona”, tha Jasharaj.

SBASHK-u ka vendosur ta ndërpresë grevën në arsim, pas marrëveshjes që është arritur me krerët e institucioneve.

Edhe këta të fundit, kanë pohuar së ky është një lajm i mirë për arsimin në vend, teksa kanë pohuar se të shtunën pritet edhe të votohet Projekt-buxheti për vitin 2019 dhe Ligji për Paga.

SBASHK refuzon rritjen e pagave nga qeveria Haradinajt: Greva do të vazhdojë

SBASHK’u nuk po pranon ofertën e kryeministrit Ramush Haradinajt për rritje të pagave në 20 milionë euro në vit.

Kryetari i SBASHK’ut për Prishtinë, Ahmet Pllana, tha se greva do të vazhdojë deri në përmbushjen e kërkesave të tyre për të rritur koeficientin, transmeton Teleshkronja Post..

“SBASHK do të vazhdojë grevën derisa Qeveria pranon të rrisë koeficientin nga 2 në 2.6 për shkolla fillore. Nëse nuk plotësohen kërkesat tona do të mblidhet Këshilli dhe do të merren masa më të ashpra deri në protesta”, tha Pllana për Klan Kosovën.

Ndërkaq, Haradinaj pas takimit me kryetarin e SBASHK’ut, Rrahman Jasharajt, ka dalë në një konferencë për media ku tha se bashkë me ministrin e Financave kanë marrë vendim për ngritje pagash.

Jasharaj: Ministri Bytyqi pajtohet me greven por se pranon publikisht

Kreu i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës të Kosovës (SBASHK), Rrahman Jasharaj, ka thënë se pozita e ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi, nuk ia lejon që publikisht të thotë se janë në përkrahje të grevës.

Rrahman Jasharaj, ka thënë se edhe Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë (MASHT) mbështet grevën e mësimdhënësve, por që sipas tij, ministrit Shyqiri Bytyqi, nuk ia lejon posti që të dalë publikisht dhe të thotë se e mbështet grevën e mësimdhënësve.

Këto komente kreu i SBASHK-ut i bëri pas takimit me mësimdhënësit e shkollës fillore “Elena Gjika”, në Prishtinë.

Sipas tij, vet ministri Bytyqi përkrah kërkesat e tyre.

“MASHT më në fund është në të njëjtin front të luftës me ne. Sa i përket koificientëve dhe ligjeve janë me ne mirëpo, natyra e punës së ministrit nuk e lejon që të dalë në media e të thotë se e përkrah këtë grevë”, deklaroi Jasharaj, duke shtuar se në MASHT janë optimist që do të ndryshojnë gjërat, raporton lajmi.net.

Në këtë takim me mësimdhënës, Jasharaj po ashtu deklaroi se greva do të përfundoj vetëm në momentin kur të plotësohen kërkesat e tyre dhe se sipas tij, çdo kush që tenton t’i bëj presion apo t’i kërcënoj grevistët, SBASHK do të ndërmarr hapa konkret dhe do të bëj kallëzim penal.

Tutje ai ka thënë se këtë mund ta bëjnë pasi që padinë për personat që pengojnë grevistët ia lejon ligji.