Ambasadori Kosnett takon liderët e Listës Serbe

Ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Philip Kosnett, ka takuar sot në Prishtinë përfaqësuesit e Listës Serbe.

Përmes rrjetit social Twitter, ambasadori amerikan ka thënë se, u ka kërkuar që të mos i lëshojnë institucionet e Republikës së Kosovës.

“Me ta diskutova për interesat dhe shqetësimet e komunitetit serb në Kosovë”, ka thënë Kosnett.

Sa u përket dorëheqjeje të kryetarëve të komunave veriore, Ambasadori amerikan është shprehur se “përfaqësuesit e tyre të zgjedhur duhet të mbesin pjesë e institucioneve të Kosovës dhe të punojnë në emër të komunitetit të tyre”.

Ndërkaq, nga Lista Serbe të pranishëm në takim kanë qenë kryetari Goran Rakiq dhe nënkryetari Igor Simiq.

Duhet theksuar se liderët e Listës Serbe së bashku me krerët e shtetit në Serbi, vazhdimisht janë duke kërkuar që Kosova ta pezullojë taksën.

Prononcohet edhe Haradinaj pas takimit me zyrtarin amerikan, David Hale

Është deklaruar edhe kryeministri Ramush Haradinaj pas takimit me zyrtarin e lartë amerikan, David Hale.

Takimi i mbajtur në rezidencën e Ambasadorit Amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, bashkë me Presidentin Thaçi dhe Kryetarin Veseli.

Pas takimit, Haradinaj ka shkruar një status në Facebook duke thënë se Kosova u tha amerikanëve se është e gatshme për dialog dhe e unifikuar.

I pari i qeverisë nuk e ka përmendur taksën fare, vetëm duke iu referuar një marrëveshje e cila përfshinë edhe tregtinë e lirë.

Gjithashtu edhe Presidenti Hashim Thaci ka shkruar se cka ndodhi sot në takimin me nënsekretarin amerikan për Politikë të Jashtme, David Hale./Teleshkronja Post/

Postimi i plotë i Haradinajt:

Thaçi takohet me Kosnett, pajtohen që duhet të hiqet taksa

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka takuar sot ambasadorin e SHBA-së, Philip S. Kosnett, aty është biseduar për tema të ndryshme e në veçanti për vazhdiminin e dialogut me Serbinë. Komunikata për media sqaron se Thaçi dhe

Kosnett u pajtuan që vitale është të largohen të gjitha pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe t’i hapet rrugë marrëveshjes paqësore
Thaçi ka theksuar se miqësia me SHBA-në është e përhershme dhe thelbësore për realizimin e qëllimeve strategjike për integrim në strukturat euroatlantike.

“Kosova dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës ndajnë vlera, parime dhe synime të përbashkëta. Në këtë rast, synimi ynë i përbashkët është të ndërtojmë paqe e stabilitet të qëndrueshëm në Kosovë dhe në rajon, si parakusht për zhvillim e prosperitet të vendit tonë. Çelës për paqen është arritja e një marrëveshjeje paqësore, gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare në mes të Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë presidenti Thaçi.

Presidenti dhe ambasadori Kosnett u pajtuan që vitale është të largohen të gjitha pengesat për vazhdimin e dialogut me Serbinë dhe t’i hapet rrugë marrëveshjes paqësore.

“Partneriteti dhe miqësia me Shtetet e Bashkuara të Amerikës është jetësor për Kosovën. Kosova ka arritur kaq larg falë përkrahjes së gjithanshme të Shteteve të Bashkuara”, ka theksuar presidenti Thaçi.

Ndryshe, kryeministri Ramush Haradinaj vazhdimisht po deklaron se taksa nuk duhet të hiqet derisa Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës.

Thaçi tregon qka u bisedua në takim me ambasadorin Kosnet dhe liderët

Pas më shumë se dy orë pasi përfundoi takimi mes liderëve, presidenti Hashim Thaçi ka publikuar një deklaratë.

Aty shkruan se si në takim u bisedua për ruajtjen e raporteve mes Kosovës dhe SHBA’ve, transmeton Teleshkronja Post.

Në postim Thaçi e ka përsëritur edhe një herë kërkesën se pret vendimmarrje të përgjegjshme në përputhje të plotë me interesat shtetërore sepse nuk ka kohë për të humbur.

Kryetari i Kuvendit Veseli me propozim konkret për taksën

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, njëherësh kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, ka deklaruar se taksa prej 100 për qind, e vendosur nga Qeveria e Kosovës ndaj Serbisë dhe Bosnjës e Hercegovinës, nuk do të hiqet.

Ajo mund të pezullohet përkohësisht dhe me kushte, si mirëbesim ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian, për disa arsye.

“Taksa doganore nuk duhet të hiqet, por ajo duhet të pezullohet për 120 ditë dhe gjatë kësaj periudhe duhet të vihen në fuqi disa kushte konkrete për pezullimin e saj. Dhe nëse pas 120 ditësh nuk kemi një situatë të re, ku sjelljet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës ndryshojnë rrënjësisht, atëherë e njëjta taksë vazhdon, por edhe vendimet e tjera që me automatizëm dërgojnë në reciprocitet të plotë me këto dy vende”, ka thënë Veseli, në një shkrim të publikuar në llogarinë e tij zyrtare, në rrjetin social Facebook, në internet.

Deklarata e Veselit vjen pas një takimi që ai ka pasur sot me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë, Philip Kosnett.

Veseli ka thënë se interesat amerikane në Kosovë janë edhe interesa të Kosovës dhe po ashtu interesat e Kosovës janë edhe interesa të SHBA-ve, ndërsa ka shtuar se ky është një fakt i pamohueshëm dhe kështu do të mbetet gjithmonë.

“Kosovës nuk i duhet kursi i konfrontimit me SHBA-të e as me BE-në. Përkundrazi! Gjuha e kushtëzimeve ndaj partnereve tonë kryesorë strategjikë si SHBA dhe BE nuk do ta ndihmojë Kosovën as në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial, e as në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike”, ka shkruar Veseli.

Shkrimi i plotë i Veselit në Facebook:

Sot kam takuar Ambasadorin e SHBA-ve në Prishtinë, Philip Kosnett. E vlerësoj dhe e falënderoj edhe një herë publikisht qëndrimin amerikan në përkrahje të sovranitetit dhe integritetit territorial të shtetit të Kosovës dhe perspektivës euroatlantike të vendit tonë.

Pa dyshim, SHBA-të mbeten partneri ynë më strategjik dhe miku më i madh i Kosovës në të gjitha fazat dhe proceset e lirisë dhe shtetndërtimit.

Dua ta bëj të qartë se përkushtimet e SHBA-ve për zgjerimin e NATO-s në Ballkanin Perëndimor, për orientimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE dhe për paqen e qëndrueshme ne rajon, përmes Dialogut dhe fqinjësisë së mirë, janë edhe interesa vitale të vetë shtetit tonë.

Kosovës nuk i duhet kursi i konfrontimit me SHBA-të e as me BE-në. Përkundrazi! Gjuha e kushtëzimeve ndaj partnereve tonë kryesorë strategjikë si SHBA dhe BE nuk do ta ndihmojë Kosovën as në mbrojtje të sovranitetit dhe integritetit territorial, e as në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike.

Republika e Kosovës, që disa muaj, ka vendosur taksën doganore prej 100% për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina. Taksa është vendosur si kundërpërgjigje ndaj agresivitetit politik dhe diplomatik të këtyre dy shteteve kundër shtetit, qytetarëve dhe mallrave tona.

Ky është një vendim legjitim, i drejtë, i duhur dhe i imponuar ndaj institucioneve tona që po përballen me këtë agresion, prandaj edhe do të qëndrojë në fuqi për aq kohë sa këto shtete do të kenë një politikë të tillë kundër shtetit tonë.

Taksa asnjëherë nuk ka pasur dhe as nuk do të ketë orientim kundër aleatëve tanë kryesorë, SHBA-ve dhe BE-së, e as kundër interesave të tyre strategjike në Kosovë dhe në Ballkanin Perëndimor.

E ritheksoj se interesat amerikane në Kosovë janë edhe interesa të Kosovës dhe po ashtu interesat e Kosovës janë edhe interesa të SHBA-ve. Ky është një fakt i pamohueshëm dhe kështu do të mbetet gjithmonë.

Takimin që kam ftuar javën e kaluar, më 23 janar, bashkë me Kryeministrin dhe Ambasadorin Kosnett, ka qenë i frytshëm dhe në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje kalimtare në lidhje me taksën ndaj Serbisë dhe Bosnje e Hercegovinës. Qëllimi i takimit ka qenë afrimi dhe jo largimi me SHBA-të.

Andaj, shqetësimet serioze, të shprehura në deklaratën e fundit të Ambasadës Amerikane, si vazhdimësi e letrës së Presidentit Trump, por edhe qëndrimin konsistent amerikan në lidhje me zhvillimet e fundit në vendin tonë, i marrim me seriozitetin më të madh dhe do t’iu përgjigjemi në mënyrë konstruktive.

Në takimin e javës së kaluar kam dhënë një propozim konkret, të cilit i qëndroj deri në fund. Taksa doganore nuk duhet të hiqet, por ajo duhet të pezullohet për 120 ditë dhe gjatë kësaj periudhe duhet të vihen në fuqi disa kushte konkrete për pezullimin e saj. Dhe nëse pas 120 ditësh nuk kemi një situatë të re, ku sjelljet e Serbisë dhe të Bosnje e Hercegovinës ndryshojnë rrënjësisht, atëherë e njëjta taksë vazhdon, por edhe vendimet e tjera që me automatizëm dërgojnë në reciprocitet të plotë me këto dy vende.

Besoj se ky është vendim i arsyeshëm, që e ruan dinjitetin e vendit, afirmon legjitimitetin e vendimit për taksën 100%, por edhe balancon interesin shumë strategjik të Kosovës, duke ruajtur dhe intensifikuar raportet me partnerët tanë kryesorë, SHBA-të dhe BE-në.

Qëndrimi im është që taksa duhet të mbetet si vendim i drejtë i Republikës së Kosovës, por pezullimi i përkohshëm, me kohëzgjatje prej vetëm 120 ditësh, duhet të ndodhë si masë mirëbesimi ndaj SHBA-ve dhe BE-së, edhe për këto arsye:

1. Kosova tregon përkushtimin e vet të palëkundur ndaj SHBA-ve dhe BE-së, si dhe ndaj prioriteteve të vëna për Ballkanin Perëndimor, të cilave ju besojmë edhe ne si shtet.

2. Kosova dëshmon se është pjesë e politikave të paqes dhe partneritetit dhe i promovon ato si politika të veta.

3. Përderisa qëndrimi i Kuvendit të Republikës së Kosovës është për t’i dhënë shans Dialogut për arritjen e Marrëveshjes Ndërkombëtarisht Obligative ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çka është krijuar tashmë edhe Delegacioni Shtetëror, ne duhet t’i japim mundësi këtij procesi dhe zgjidhjes së të gjitha çështjeve të hapura. Ne besojmë se Dialogu është mjeti më efikas dhe i domosdoshëm për t’i tejkaluar të gjitha mosmarrëveshjet në Ballkanin Perëndimor dhe si shtet duhet të jemi promovues permanentë të këtyre vlerave.

4. Dialogu, si proces, mund dhe duhet të ndodhë me një format dhe orar që përcaktohet në pajtim me partnerët tanë perëndimorë. Por, qasja konstruktive e Republikës së Kosovës në këtë proces nuk duhet të merret si e mirëqenë dhe të shërbejë si mundësi përfitimi për Serbinë në rrugën e saj drejt BE-së, derisa qytetarët e Kosovës ende janë të izoluar, pa të drejtën e lëvizjes së lirë në Zonën Schengen.

5. Kosova duhet të jetë e përkushtuar për përfundim të suksesshëm të Dialogut. Por, nëse ky proces nuk rezulton me Marrëveshje të pranueshme për Republikën e Kosovës, shteti ynë do të rivendosë taksën prej 100% dhe do të ndërmarrë masa të tjera shtesë për vendosjen e reciprocitetit të plotë, për të mbrojtur interesat tona politike dhe ekonomike.

Kujtesa jonë politike në Kosovë na lë të kuptojmë pa dyshim se kërkesat e SHBA-ve gjithmonë kanë rezultuar me veprime pozitive për Kosovën dhe qytetaret e saj. Konferenca e Rambujesë, intervenimi i NATO-s, Pakoja e Ahtisaarit, Pavarësia e Kosovës, si dhe së fundmi mbështetja për themelimin e Ushtrisë së Kosovës, e shumë vendime e veprime të tjera, janë dëshmitë më të pakontestueshme se kurdoherë që kemi qenë në linjë të njëjtë me SHBA-të vetëm kemi fituar dhe asnjëherë s’kemi humbur.

Në politikën kosovare, në shoqërinë tonë, në popullin tonë, nuk duhet të ketë asnjë pikë dyshimi se harmonizimi i Kosovës me SHBA-të i sjell vetëm të mira popullit të Kosovës. Përkundrazi, vetëm harmonizimi i Kosovës me SHBA-të është garanci për suksesin e Kosovës në çdo aspekt. Andaj, kokëfortësia ndaj kërkesave të mikut tonë më të madh nuk është politike shtetformuese.

Vendimet tona politike duhet të kenë në thelb të vetin interesin e shtetit dhe të qytetarëve tanë, e jo qasjen iracionale të përfitimeve politike individuale, grupore e partiake.

Prandaj, në Dialog duhet të shkojmë më të bashkuar dhe më të qartë se kurdoherë me parë. Kjo është qasja ime, por edhe e koalicionit tonë. Kushtetuta e Kosovës është mandati dhe baza jonë e vetme në Dialog. Sovraniteti, integriteti territorial dhe karakteri unitar i shtetit tonë janë të pacenueshme. Andaj, nuk do të ketë as këmbim territoresh, e as Asociacion të komunave me kompetenca ekzekutive. Çfarëdo vendimi që mund të vijë nga përfundimi i Dialogut, do ta ketë vulën dhe vullnetin e qytetarëve të Republikës së Kosovës, përmes të të zgjedhurve të tyre në Kuvendin e Republikës së Kosovës, si dhe përmes referendumit.

Në këtë proces, ne duhet t’i bashkërendojmë veprimet tona me partnerët tanë strategjikë, para së gjithash me SHBA-të. Dhe në këtë drejtim, askush nuk duhet ta lëkundë besimin tonë te SHBA-të, e as besimin amerikan te ne. Çfarëdo qëndrimi që e vendos Kosovën në kursin e konfrontimit me SHBA-të nuk do ta ketë mbështetjen time asnjëherë.

Çka u vendos për taksën në takim me ambasadorin Kosnett dhe Veseli-Haradinaj ?

Sot kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, kanë pasur takim me ambasadorin e SHBA-së, Philip Kosnett, dhe kryeministrin Ramush Haradinaj rreth taksës 100% kundër Serbisë.

Veseli pas takimit tha se vendimet e shtetit do të jenë në interes të qytetarëve dhe në koordinim të plotë me SHBA-në dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë.

Por, Veseli nuk është treguar konkret nëse takimi ka përfunduar me ndonjë vendim rreth taksës 100% që Kosova ka vënë ndaj Serbisë.

Nëpërmjet një deklarate në faqen e tij në Facebook, Veseli ka thënë se Kosova është e vendosur që përjetësisht ta ruajë miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo nuk do të ndryshojë asnjëherë.

Haradinaj e Kosnett nuk janë deklaruar fare, deri më tash, pas takimit, transmeton Teleshkronja Post.

Deklarata e plotë e Kadri Veselit:

Me Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Philip Kosnett dhe Kryeministrin Ramush Haradinaj sot patëm një takim tejet konstruktiv dhe diskutuam për sfidat që na presin gjatë këtij viti.

Ne do të punojmë bashkë që vendimet e institucioneve të Kosovës, për procese të rëndësishme, të jenë në interes të qytetarëve tanë dhe në koordinim të plotë me SHBA-të dhe partnerët tjerë ndërkombëtarë.

Kosova është e vendosur që përjetësisht ta ruajë miqësinë dhe partneritetin strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe kjo nuk do të ndryshojë asnjëherë.

Përfundon takimi mes Veseli e Haradinajt dhe ambasadorit amerikan për taksën

Ambasadori amerikan, Philipp Kossnet është parë duke dalur nga objekti i Kuvendit të Kosovës, ku kishte shkuar për takim me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli dhe kryeministrin, Ramush Haradinaj.

Jozyrtarisht është raportuar se në takim, temë kryesore do të jetë mundësia për heqjen e taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjës, raporton Telegrafi.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Philip Kossnet ka arritur në ambientet e Kuvendit të Kosovës, ku do të takohet me të parin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselin, si dhe me kryeministrin Ramush Haradinaj.

Siç edhe është raportuar, temë kryesore e takimit do të jetë edhe taksa e vendosur nga Qeveria e Kosovës, për produktet nga Serbia dhe Bosnja e Hercegovina.

Pos SHBA-ve, heqjen e taksës e kanë kërkuar edhe dy vendet e fuqishme evropiane, Gjermania dhe Franca.

Dy ambasadorët e këtyre dy shteteve në Beograd kanë thënë se taksa duhet të hiqet sa më shpejt të jetë e mundur.

Ndryshe, burime nga Partia Demokratike e Kosovës kanë thënë për Telegrafin se kryetari i partisë, Kadri Veseli nuk pritet të lëvizë nga qëndrimi për heqjen e taksës, pa lëvizur edhe Serbia.

Ndërsa Haradinaj kur është pyetur dje në lidhje me mundësinë e heqjes së taksës, ka thënë se “bora do të shkrihet dikur”.

Në anën tjetër presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar se Kosova nuk duhet ta rrezikojë partneritetin me Amerikën.

Tahiri: Haradinaj do t’ia përsëritë ambasadorit amerikan qëndrimin e tij për taksën

Taksa nuk do të hiqet as nesër e as pasnesër. Kështu ka thënë Besnik Tahiri, koordiantor nacional për reformën shtetërore në Qeverinë e Kosovës,Duke folur për takimin që është paralajmëruar të mbahet të martën e 22 janarit, mes kryeministrit Ramush Haradinaj, kryeparlamentarit Kadri Veseli dhe ambasadorit amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, ai ka thënë se i pari do të përsëritë qëndrimin e tij për taksën.

“Vendimi për taksën nuk ka ardhur se ne jemi zgjuar në një mëngjes dhe kemi vendosur që ta vendosim taksën, por është një vendim politik që ka ardhur si pasojë e veprimeve të Serbisë, sidomos kohëve të fundit. Vendimi ka ardhur edhe si pasojë e diskutimeve dhe pajtimit mes partnerëve të koalicionit”, ka thënë Tahiri në “Interaktiv” të KTV’së.

Ai ka thënë se po sheh një diskurs, për të gabueshëm, se taksa po i dëmton marrëdhëniet e Kosovës me Amerikën.

“Kjo taksë nuk është kundër Amerikës, as kundër ndonjë vendi të BE-së, madje as kundër Serbisë. Është taksë që tregon se këtu ka një shtet dhe një kryeministër që është sovran në vendimet e veta”, ka thënë Tahiri. “Taksa e ka bërë formësimin e shtetësisë së Kosovës, dinjitetin e qeverisjes në vend, dhe është bërë për të arritur efektet politike për të cilat është vënë”, ka thënë ai më tej.

Tahiri ka thënë se raportet me SHBA-në janë burimore dhe të kamotshme. Kur është pyetur për deklaratat e fundit të eksponentëve të PDK-së, që thonë se SHBA-ja nuk bën të mos dëgjohet.

“Më së paku kemi nevojë për këtë këshillë. S’ka nevojë me na tregu dikush që duhet ta dëgjojmë Amerikën. Nuk kemi lu mendsh ne me u prish me Amerikën, me mikun më të mëdhenj të shqiptarëve. Por taksa nuk ka të bëjë me Amerikën”, ka thënë Tahiri.

Është pyetur edhe për pozicionin e presidentit Hashim Thaçi, për taksën.

“Presidenti e ka rolin e vet. Unë flasë për pozicionin e z. Haradinaj. Por them se ai (Presidenti) duhet të luajë rolin e vet që e ka, që të krijojë unitet politik në raport me Serbinë”, ka thënë Tahiri.

Ka treguar se Haradinaj e Thaçi nuk janë takuar ende në vitin 2019.

“Por një komunikim i vazhdueshëm ekziston. Kjo e taksës është një temë serioze. Këtu duhet i madh e i vogël të bëhen bashkë. Taksa është vendim politik i koalicionit qeverisë, mirë i menduar dhe mirë i koordinuar”, ka thënë Tahiri.

/TeleshkronjaPost/