Intervista e Benjamin Kolollit për UEFA-n / Video

Mbrojtësi kosovar i Zurich, Benjamin Kololli, ka thënë se ndeshjet kualifikuese të Kosovës për Kampionatin Evropian 2020 do të jenë një përvojë e mrekullueshme për vendin.

Lojtari i përfaqësueses së Kosovës, Benjamin Kololli, ka dhënë një intervistë për UEFA-n, ku ka folur për ecurinë e Kosovës në Ligën e Kombeve, për pritjet që ka për kualifikimet Euro 2020, për mentalitetin e popullit në Kosovë, për dashurinë e madhe që kanë njerëzit për futbollin dhe për shumëçka tjetër.

Pas Arbër Zenelit, Kololli është golashënuesi i dytë më i mirë i Kosovës me tri gola, edhe pse luan si mbrojtës i majtë për Bernard Challandes.

Intervista është përkthyer nga kanali në YouTube i Federatës së Futbollit të Kosovës, transmeton Teleshkronja Post.

Më poshtë ndiqeni intervistën me titra shqip:

Trajneri i Kosovës, Challandes: Dy ndeshje na ndajnë nga ëndrra

Challandes është shumë i lumtur me skuadrën që ka krijuar te Kosova, me të cilën fitoi Grupin në Ligën e Kombeve duke bërë paraqitje fantastike dhe janë vetëm dy ndeshje larg kualifikimit në Euro 2020.

Trajneri i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, në një intervistë për Super Sport Kosova, ka folur për punën 1 vjeçare me “Dardanët”, kualifikimin historik në Ligën e Kombeve dhe të ardhmen, transmeton Gazeta Express.

Është bërë një vit kur Challandes u ul në stolin e Kosovës dhe që atëherë, “Dardanët” nuk dinë çfarë është humbja.

66 vjeçari u emërua trajner i Kosovës më 2 mars të vitit 2018 dhe që nga atëherë ka zhvilluar 9 ndeshje zyrtare e miqësore ku ka shënuar 7 fitore dhe 2 barazime.

Golaverazhi i ‘Dardanëve’ është thjesht fantastike nën urdhërat e Challandes, 21 gola të shënuar dhe vetëm 2 të pësuar.

Është data e largët 9 tetor i vitit 2017 kur “Dardanët” pësuan humbjen e fundit, pra më shumë se një vit, kur në stol ishte ish-trajneri, Albert Bunjaku.

Challandes, për Super Sport, e vlerëson si një arritje të jashtëzakonshme punën 1-vjeçare me “Dardanët”.

“Kishim synim të fitojmë grupin në Ligën e Kombeve dhe ia kemi dal”, tha Challandes.

“Jam i kënaqur me punën e ekipit, stafit dhe të gjithëve. Jam i befasuar me përparimin e ekipit, synimi ka qenë të krijojmë një ekip luftarak që do të luftonim për njëri-tjetrin dhe ia kemi arrit qëllimit”.

“A do të jem gjatë trajner i Kosovës? Nuk mendoj shumë për të ardhmen, jam i vjetër dhe nuk më kanë mbetur shumë vite”.

“Euro 2020? Kemi mundësi që përmes Ligës së Kombeve të shkojmë në Evropian, kemi edhe kualifikime, edhe pse do të jetë e vështirë, është një tjetër garë. Por, pas arritjes në Nations League, jemi dy fitore larg për të realizuar ëndrrën, që të marrim pjesë në Kampionatin Evropian”.

“Miqësorja me Danimarkën? Do të jetë e rëndësishme për t’u përgatitur për Bullgarinë. Por, mos prisni shumë ndryshime. Rezultati i ndeshjes me Danimarkën do të jetë i rëndësishëm për atë që vjen më pas”. /Gazeta Express/

Zyrtare: Kosova miqësore me gjidandin evropian

Kosova ka siguruar edhe një ndeshje miqësore para fillimit të kualifikimeve për kampionatin evropian 2020.

Përfaqësuesja jonë edhe zyrtarisht do të takohet me një prej kombëtareve të mëdha të kontinentit të vjetër, Danimarkën.

Kështu ka pohuar në një prononcim për Telegrafin, zyrtari i Federatës së Futbollit të Kosovës, Mirsad Çollaku.

Ai ka treguar se ndeshja mes këtyre dyja ekipeve do të zhvillohet në fushën e stadiumit të Prishtinës, më 21 mars.

“Po është e vërtetë që Kosova do të luajë me Danimarkën. Ndeshja do të luhet më 21 mars në kryeqytetin tonë”, ka pohuar prizrenasi.

Theksojmë se katër ditë para takimit me danezët, Kosova do të luajë ndeshjen e parë për kualifikuese me Bullgarinë.

Kujtojmë se ‘dardanët’ kanë rast të artë që edhe përmes ‘play-off’ të kualifikohen në Euro 2020, ku do të takohet në gjysmëfinale me Maqedoninë.

Ndryshe, Kosova në kualifikuese është në grup me Anglinë, Malin e Zi dhe Republikën e Çekisë.

Sulmuesi i Kosovës afër kalimit në Bundesliga

Paraqitjet e mira me skuadrën kroate Lokomotiva Zagreb kanë bërë që shumë skuadra evropiane të vihen pas për të kërkuar shërbimet e tij.

Talenti kosovarë Lirim Kastrati mund të ndryshoj skuadër në afatin e janarit, shkruan Teleshkronja Post.

Lojtari i Kosovës me shumë gjasë do të largohet nga skuadra kroate, pasi dëshiron të bëjë një hap edhe më të madh në karrierë.

Kastrati tashmë ka në tavolinë disa oferta nga klubet e Bundesligës, por që janari do të jetë vendimtar për të.

Lokomotiva e Zagrebit e di se nuk mund ta mbaj më shumë në skuadër, pasi interesimi i klubeve për talentin kosovar është shumë i madh.

 

Super kombëtarja europiane luan miqësore me Kosovën

Kombëtarja e Kosovës vitin 2019 do ta fillojë me një ndeshje miqësore ndaj Kombëtares së Danimarkës.

Ndeshja do të zhvillohet në muajin mars në Prishtinë, “Fadil Vokrri”, transmeton Gazeta Express.

FFK-ja ka thënë për Express se është duke biseduar me federatën daneze për caktimin e kësaj miqsoreje. Pritet zyrtarizimi.

Nëse arrihet marrëveshja për takimin mes dy kombëtareve, atëherë miqësorja mes Kosovës e Danimarkës pritet të zhvillohet mes datave 21 dhe 23 marsit të vitit të ardhshëm.

Kujtojmë se Kosova luan ndeshjen e parë për kualifikime të Euro 2020 më 25 mars ndaj Bullgarisë në “Fadil Vokrri”.

Liburn Aliu: “Të korrigjojmë himnin dhe flamurin e Kosovës (Video)”

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Liburn Aliu ka thënë se duhet t’i gëzohemi suksesit të Kosovës në futboll, por mirë do të ishte të ndryshohet himni dhe flamuri

Aliu ka thënë ka ende kohë që Kuvendi i Kosovës të reflektojë për të ndalur Hashim Thaçin, shkruan Telegrafi, përcjellë Teleshkronja Post.

Deputeti opozitar në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se klasa politike duhet të ketë një unitet politik për të ndalur Hashim Thaçin.

“Tash duhet të ndalemi dhe të reflektojmë. Të ndalim Hashim Thaçin sepse po e shohim se çfarë është në gjendje të bëj. Kur do të arrijmë të ndalim atë, pastaj do të kemi situatë krejtësisht tjetër. Ai moment do të jetë fillimi i kësaj kthese që ne po flasim”.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje ka folur edhe për ndeshjet e futbollit, duke thënë se edhe në të kaluarën ekipet sportive i kanë mobilizuar shqiptarët për kauza të rëndësishme.

“Ne duhet t’i gëzohemi suksesit të përfaqësueses së Kosovës. Por, perfekte do të ishte të ndryshojë himni dhe flamuri, dhe le të luajnë të dyja shtetet… Të korrigjojmë atë çfarë kemi të imponuar dhe kjo do të ishte e duhura”, tha Aliu, përcjell Telegrafi.

Aliu thotë se pavarësisht dështimeve që i kanë ndodhur Kosovës në rrafshin diplomatik, sporti do të na ngrejë pak moralin dhe do të gjejmë energji për t’u ngritur si popull.

“Sukseset në futboll na ngritë moralin…Ne kemi pasur luftën tonë si diçka që na ka ngritur moralin, ndërsa tani korrupsioni e gjërat negative na kanë ulur pak moralin. Sporti pak na ngre pak moralin”, tha Aliu.