Hoti: Shërbimi ushtarak është i obligueshëm në Kosovë

Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, përmes një postimi në Facebook ka bërë të ditur se Këshilli i Ekspertëve i LDK-së, në punëtorinë dyditore për Programin Qeverisës të LDK-së për qeverinë në ardhje, në fushën e mbrojtjes nacionale, ka vlerësuar që shërbimi ushtarak në Kosovë të jetë i obligueshëm, sipas modelit të vendeve të vogla si Zvicra dhe vendeve të tjera.

Hoti ka theksuar se një masë e tillë do të garantonte mbrojtje efektive nacionale, do të rriste aftësitë fizike e profesionale të rinisë si dhe Ushtrisë së Kosovës do t’ia mundësonte të renditet krahas ushtrive të partnerëve tanë në NATO.

“Kjo masë garanton mbrojtje efektive nacionale, i rrit aftësitë fizike e profesionale të rinisë dhe i mundëson Ushtrisë së Kosovës të renditet krahas ushtrive të partnerëve tanë në NATO. Për një periudhë disavjeçare, të rinjtë do të shërbejnë për disa muaj në shërbimin ushtarak, me shkëputje, bazuar në nevojat e të rinjve për arsim, punësim dhe familje”, ka shkruar Hoti.

Gjithashtu, Hoti ka thënë se kjo është njëra nga masat kryesore të Programit Qeverisës të LDK-së në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë nacionale, sipas modelit dhe qasjes proaktive të zbatuar tashmë në vendet më të avancuara të botës.

“Programi i LDK-së do t’i maksimizojë përparësitë dhe mundësitë e Republikës së Kosovës në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë”, është shprehur Hoti.

“Procesi i përgatitjes të programit të ri të LDK-së do të jetë gjithëpërfshirës, me pjesëmarrje të të gjithë ekspertëve në LDK-në që kanë dhënë kontribut për tri dekada në ndërtimin e shtetit të Kosovës, si dhe do të përfshijë ekspertizën e kuadrove më të mirë që ka Kosova”, përfundoi ai.

Zyrtare: Lutfi Haziri njofton se do tëkandidoj për kryetar të LDK’së

Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri ka shpallur kandidaturën për kryetar të partisë. Kryetari i Gjilanit këtë e ka bërë të ditur në një debat televiziv, Debat Plus në RTV Dukagjini.

Haziri në Dukagjini ka thënë se pret që të ketë marrëveshje brenda strukturave të LDK-së për kandidat të përbashkët dhe ai tha se aty ka hise.

“Por edhe nëse nuk ka marrëveshje, unë do të kandidojë”, ka thënë ai.

Ndryshe, kryesia e LDK-së ka vendosur sot për organizimin e zgjedhjeve të brendshme në këtë subjekt politik.

Shefi i grupit parlamentar të kësaj partie, Avdullah Hoti ka thënë se nga java e ardhshme do të nisin përgatitjet për realizimin e tyre.

“Sot Kryesia e LDK-së ka vendosur për organizimin e zgjedhjeve në LDK, bazuar në platformën e aprovuar nga Këshilli i Përgjithshëm i LDK-së në nëntor 2018. Është aprovuar struktura e delegatëve sipas degëve për Kuvendin e LDK-së. Nga java e ardhshme do të fillojnë përgatitjet administrative dhe teknike për realizimin e këtyre zgjedhjeve”, ka deklaruar ai.

Antari i LDK-së ftohet nga Gjykata Speciale

Pas Blerim Kuçit dhe Agim Kuçit, Gjykata Speciale me seli në Hagë ka ftuar edhe asamblistin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Suharekës, Bashkim Ndrecajn.

Ftesën nga Specialja e ka bërë publike vetë Ndrecaj, duke thënë se do t’i përgjigjet asaj, pasi ai thotë se është ‘obligim qytetar”.

“Sot nga Prokuroria Speciale në Hagë më erdhi një fletëthirrje për t’u paraqitur me datë 21 maj 2019 në dhomat e Specializuara në Hagë. Unë do t’i përgjigjem kësaj ftese sepse e kemi obligim qytetar”, ka shkruar Ndrecaj në një postim në Facebook.

Ai tha se beson në luftën e UÇK-së, më shumë sesa në drejtësi.

“Unë besoj në drejtësi por më shumë besoj në Luftën e drejtë të UÇK-së”, shkroi Ndrecaj, që njëherësh është edhe kryetar i Nëndegës së LDK-së në Shirokë.

Lista Serbe LDK’së e VV’së: Bëni 51 numra, ju bashkohemi për rrëzimin e Qeverisë

Lista Serbe është e gatshme të votojë për rrëzimin e Qeverisë së Ramush Haradinajt, nëse opozita siguron 51 vende në Kuvendin e Kosovës, ka deklaruar deputeti i kësaj partie Igor Simiq

Ai tha për Pink TV se do të kthehej në Kuvendin e Kosovës në kohën kur opozita të mbledhë nënshkrime për shkarkimin e qeverisë.

Simiq tha se Lista Serbe nuk është në Parlamentin e Kosovës, pasi dëshiron të jetë me popullin e saj dhe jo me praninë e saj duke i dhënë legjitimitet sesioneve parlamentare, “sepse ata formuan një ushtri me 107 vota”.

“Çfarë do të bëjmë me 9 për qind ose 10 vota? Do të hyjmë në Kuvend sapo opozita parlamentare të mbledhë 51 nënshkrime për rënien e qeverisë”, tha ai.

Ndryshe, edhe shefi i GP-së së LDK-së, Avdullah Hoti ka shkruar sot në profilin e tij në Facebook se në momentin që opozita do t’i sigurojë 61 vota do të procedojnë mocion votëbesimi ndaj qeverisë Haradinaj.

Mbeten të shihen zhvillimet e reja gjatë javës së ardhshme.

Natën Thaçi viziton Mustafën, e konfirmon edhe LDK-ja

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka vizituar të mërkurën mbrëma kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

Lidhur me këtë, Telegrafi ka folur me zyrtarët e LDK-së.

Zëdhënësi i LDK, Besian Mustafa, i ka thënë Telegrafit, se vet Presidenti Thaçi ka kërkuar takim me kreun e LDK-së Isa Mustafa.

“Mund të konfirmoj që, me kërkesë të Presidentit Thaçi, kryetari Mustafa e ka takuar në shtëpinë e tij, ku është njoftuar nga Presidenti rreth vizitës së sotme të dy zyrtarëve nga SHBA-ja dhe kërkesave të tyre drejtuar koalicionit qeverisës”, ka thënë zëdhënësi i Lidhjes Demokratike.

Duhet theksuar se sot gjatë ditës, Presidenti Thaçi bashkë me kryeministrin Haradinaj, janë takuar me delegacionin e lartë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në përbërje të John Erath dhe Brad Berkley.

Duke komentuar indirekt vendimin për taksën, Haradinaj ka thënë se marrëveshja me Serbinë duhet ta rregullojë edhe tregtinë e lirë.

Ndërkaq, zyrtarët e lartë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së SHBA-së, kanë ripërsëritur qëndrimin e qartë të administratës amerikane që taksa duhet të suspendohet me qëllim që të vazhdojë dialogu dhe përpjekjet për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Thaçi ka theksuar se Kosova me çdo kusht do t’i ruajë marrëdhëniet me SHBA-në./Telegrafi/

Memli Krasniqi i përgjigjet akuzave të Isa Mustafës

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se LDK dhe kreu i saj Isa Mustafa, janë bërë për keqardhje me veprimet e tyre qysh nga mandati i tij si kryeministër.

Pas akuzave të Isa Mustafës se Kadri Veseli është përgjegjës për grevat, në një prononcim për klankosova.tv, deputeti Memli Krasniqi ka thënë se ishte vet Isa Mustafa ai që në mandatin e tij si kryeministër, nuk qe në gjendje t’iu rriste pagat askujt e lëre më mësimdhënësve të paktën për 5%.

”Njeriu qe ne mandatin e tij s’ka qene ne gjendje t’ua rrite pagat askujt, e as mesimdhenesve, bile as per 5%, se paku do te duhej te heshte kur ky koalicion ua rrite pagat per 20%, me zotimin qe do te arrije 30% deri ne fund te mandatit”.

”Por, LDK dhe Isa Mustafa kane rene ne fund te pusit dhe jane bere aq per keqardhje, sa nuk ia vlen fare te komentohen deklaratat e tyre halucinative”, është shprehur Kransiqi për klankosova.tv.

Aleanca i bie pishman, i kërkon falje ish-kryeministrit Mustafa

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila udhëhiqet nga Ramush Haradinaj i ka kërkuar falje Lidhjes Demokratike të Kosovës, për deklaratat që deputeti i AAK’së.

Kjo vije pas disa deklaratave e kundër deklaratave, më e spikatura është ajo e deutetit Bekë Berisha ku e quajti Isa Mustafën “xhenaze politike”.

Komunikata e dërguar tek mediave, nga AAK shkruan se besojnë që gjuha që ka përdorur deputeti ka qenë e paqëllimshme.

“AAK, i kërkon falje ish-kryeministrit Mustafa dhe LDK-së për gjuhën e përdorur nga deputeti Bekë Berisha. Besojmë se mënyra se si është shprehur deputeti Berisha ka qenë e paqëllimtë”, thuhet në njoftimin e partisë.

Në një komunikatë drejtuar mediave, nga LDK-ja kanë shkruar se Berisha e ka shpallur të vdekur Mustafën.

“Duhet ta marrim seriozisht faktin që një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i partisë së Kryeministrit, e shpall dhe kërcënon për xhenaze vertikale politike, kryetarin e partisë më të madhe në vend, LDK-së, e cila është në opozitë.

Problemi nuk qëndron se në Kosovë kemi individ me mendësi të prodhuesve të kufomave, por është trishtuese që një i tillë është i propozuar nga AAK dhe ka marrë mandatin e përfaqësuesit të popullit në Kuvendin e Kosovës”, shkruhet në komunikatë.

Këto deklarata nga LDK-ja i kanë cilësuar si kërcënime ndaj Isa Mustafës, ndërkaq, kanë shkruar se LDK-ja dhe Kosova kanë përjetuar mjaftueshëm xhenaze për arsye politike.

“LDK-ja konsideron se deputeti nuk ka imunitet të shpallë dhe kërcënojë kryetarin e LDK-së si të vdekur, për faktin se ai e konsideron kundërshtar politik.

LDK-ja dhe Kosova kanë përjetuar mjaft xhenaze për arsye politike nga dora e njerëzve me mendësi dhe vepra kriminale. Të tillët nuk e kanë vendin në Kuvendin e Kosovës, si të përzgjedhur të partive politike, por e kanë vendin para ligjit, duke dhënë përgjegjësi për shpalljet e kërcënimet e tyre kriminale.”

Deputeti Berisha ka thënë në emisionin “DPT Te Fidani”, se “Isa Mustafa është një xhenaze vertikale politike”.

“As hair, e as dëm nuk mund të bëjë”, është shprehur Berisha.

Ai ka thënë se Mustafa nuk ka të drejtë të kritikojë qeverisjen e Ramush Haradinajt, duke vlerësuar se Kosova nuk ia ka parë aspak hairin qeverisjes së Mustafës në vend.

Fatmir Sejdiu synon postin e kryetarit të LDK-së

Ish presidenti i vendit, njëherësh edhe ish kryetari i LDK-së, Fatmir Sejdiu, pretendon rikthimin e tij në krye të kësaj partie.

Sejdiu në një interviste në Zona B të Klan Kosovës, nuk e mohoi mundësinë e kandidimit të tij për këtë post.

“LDK-ja ka nevojë që të ketë një njeri që kthehet fuqishëm ne tavanin e zhvillimit historik të saj, por që ka edhe pragmatizmin politik. Kam bërë ofertën time edhe në faza të mëhershme. Jam një njeri që mund të bëj punë të mirë për LDK-në, me gjithë energjinë që kam dhe konceptin politik që kam. Të shohim a është kështu apo jo !?”, tha ai.

Ish presidenti foli edhe për ideologjinë dhe frymën e Lidhjes Demokratike të Kosovës, në veçanti për promovimin e miqësisë ndërkombëtare nga lideri historik i kësaj partie, Ibrahim Rugova.

“Mendoj se Kosova dhe shqiptarët e Kosovës do t’i kenë aleat të përhershëm ShBA-të dhe vendet e rëndësishme të BE-së dhe anëtare të NATO-s. Duhet të shikohet në mënyrë më të sinqertë çështja e bashkëpunimit me ta. Ajo miqësi nënkupton një politikë në kontinuitet që me efektet e saj duhet të sjellë pasoja të mira dhe të vazhdueshme për ne dhe paqen në rajon. Është me rëndësi që edhe LDK-ja ta ketë parasysh këtë strategji, këtë qasje dhe miqësi historike që kemi me ShBA-të”.

Sa i përket dialogut Kosovë-Serbi, Sejdiu tha se LDK-ja nuk duhet të ngelet jashtë këtij procesi.

“LDK-ja ka nevojë që të ketë rol parësor, për shkak të fuqisë që ka, në proceset e rëndësishme për vendin”, tha ai.