Lladrovci nuk kandidon, ka dy fjalë për spekulantët dhe keqbërësit politikë

Kryetari aktual i komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka publikuar edhe një tjetër status në Facebook duke sqaruar pozicionin e tij.

Ai ka shkruar se nuk ka pretendime për kryetarë dege të PDK-së në Drenas, dhe se këtë ka kohë që e ka bërë të ditur.

Ai gjithashtu thotë se spekulantët dhe keqbërësit po tentojnë të krijojnë mjegull në Drenas me emrin etij, shkruan Teleshkronja Post.

Nuk kam sfidë për proces zgjedhor për degën e PDK-së në Drenas, sepse fare nuk kam aplikuar për kryetar dege.
Prej më shumë se dy vjet, që nga marrja e mandatit të Kryetarit të Komunës së Drenasit, kam deklaruar thjeshtë dhe qartë, nuk kam pretendime për ta udhëhequr degën e PDK-së në Drenas.
Se nuk do të kandidoj për kryetar të Degës së PDK-së, e kam thënë me dhjetëra herë, por, keqbërësit nuk ndalen duke bërë matematika të pista dhe të lakojnë emrin tim, për të krijuar mjegull në Drenas.
Dy fjalë për spekulantët dhe keqbërësit politikë.
Një medium që financohet nga njëri keqbërës, vazhdimisht më merr nëpër gojë dhe është dezinformatori kryesor i opinionit, në kontekste negative, kundër meje.
Ky portal, nuk meriton reagim nga ana ime. Nuk e kam bërë reagimin as në fushatë, sepse duhet të bija tepër poshtë, në nivel të tyre kundër spekulimeve të tyre të pista.
Shembull është kur ditë më parë, nga një video “e lodhtë”, janë shkëputur pjesë, të cilat kanë menduar se po e komprometojnë procesin zgjedhor në degën e PDK-së në Drenas, por nuk ju eci. Nga kjo video, këta spekulantë, kanë krijuar tri a katër lajme, “të lodhëta”.
Tash, i njëjti portal, spekulues, në bashkëpunim me keqbërësit tjerë, përpiqet të nxitë një sfidë, e cila nuk do të ndodh. Nuk ka sfidë në proces zgjedhor për degën e PDK-së në Drenas, sepse fare nuk kam aplikuar për kryetar dege.
Pra, e ritheksoj, për qytetarët, nuk kam aplikuar për kryetar të degës.
Ndërsa për keqbërësit, kam një porosi, jeni lehtë të lexueshëm, mos spekuloni e mos paguani portale për spekulime, kot. Kot e keni, as procesin demokratik në degë, as kandidatin më të mirë, nuk do të mund ta pengoni që të udhëheq me partinë më të fuqishme në bastionin e saj.

Lladrovci konfirmon tre kandidatë për kryetarë dege të PDK-së në Drenas

Sot, përfundon procesi zgjedhor në të gjitha 43 nëndegët e PDK-së, të Degës së Drenasit, shkruan TeleshkronjaPost.info.

Drenasi njihet si një nga bastionet më të mëdha të Partisë Demokratike të Kosovës, prandaj ndiqet me interes të madhë.

Kandidatë për kryetarë dege janë tre persona, ish-kandidati i pavarur për kryetarë të Drenasit, Naim Bazaj, kryeshefi ekzekutiv i Postës, Sejdi Hoxha dhe Kushtrim Prenku.

Këto i ka konfirmuar vet kryetari Ramiz Lladrovci me një postim në Facebook :

Në pajtim me procedurat dhe kohën e paraparë për kandidatura, njoftoj anëtarët e PDK-së, delegatët për Zgjedhjet e brendshme në Degën e PDK-së në Drenas si dhe qytetarët se pranë Komisionit lokal, kanë arritur 3 kandidatura për kryetar të degës.Kandidatura për kryetar të Degës së PDK-së në Drenas, kanë parashtruar: Sejdi Hoxha, Kushtrim Preku dhe Naim Bazaj.

Në emër të Komisionit zgjedhor lokal, kandidatëve ju urojmë sukses në garën për të parin e Degës së PDK-së në Drenas!

Gjithashtu mund të merrni pjesë në sondazhin tonë se kush duhet ta marrë postin e shefit të degës së PDK-së në Drenas./TeleshkronjaPost/

Lajm i mirë: Hapet Zyra e Gjendjes Civile në Arllat

Ka përfunduar projekti për ndërtimin e Zyrës së Gjendjes Civile në Arllat dhe nga sot ajo është në funksion dhe në shërbim për qytetarët e fshatrave,Arllat, Llapushnik, Negroc dhe Gjergjicë.

Kjo Zyre do të jetë në funksion gjatë orarit zyrtar për qytetarët e Komunës së Drenasit, përkatësisht për qytetarët e fshatrave të lartcekura dhe gjithë atyre që janë të regjistruar në zyrat tjera, por që janë në sistem të gjendjes civile.

Ky projekt është realizuar nga Drejtoria e Administratës se Përgjithshme Komunale dhe ka për qëllim që shërbimet ndaj qytetarëve të jenë sa më afër tyre duke ju lehtësuar shërbimet e shpejta.

Kjo është bërë e ditur nga vet Komuna përmes një postimi në faqen zyrtare në Facebook:

Zyra e Gjendjes Civile në Arllat, foto: Komuna Drenasit
Zyra e Gjendjes Civile në Arllat, foto: Komuna Drenasit

https://www.facebook.com/437470389681459/photos/a.441179485977216/2164146920347122/

Disa fshatra të Drenasit qe pesë orë pa rrymë

Reduktimet e rrymës po vazhdojnë të jenë prezentë ende në Kosovë.

Ndonëse koha është rregulluar dhe temperaturat janë ngritur, KEDS po gjen ende arsye për ta ndalë rrymën.

Pa energji elektrike, sipas disa banorëve të Drenasit kanë mbetur tash e disa orë shumë fshatra të Drenicës.

Banorë të Drenasit kanë treguar për Express se tash e pesë orë shumë vende kanë mbetur pa rrymë. Sipas tyre askush nga KEDS nuk u është përgjigjur dhe nuk u ka dhënë arsye për reduktimet.

Edhe në Drenas mbyllen lojërat e fatit

Menjëherë pasi Parlamenti i Republikës së Kosovës mori vendim për ndalimin e aktivitetit për të gjitha lojërat e fatit, përveq llotarisë së Kosovës, institucionet ligjzbatuese kanë filluar aksionin.

Sipas njoftimit Policia e Kosovës në bashkëpunim të ngushtë me ATK-në janë duke mbyllur gjitha kazinotë/lojërat e fatit në Republikën e Kosovës.

Në këtë foto të bërë nga “Indeksonline” shihet një patrullë e PK-së teksa bën kontrollimin në një nga kazinotë e Drenasit.

Ndryshe, kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka njoftuar se në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Kosovë do të shfuqizohet ligji ekzistues i Lojërave të Fatit.

Haradinaj shkruan se me ligjin e ri do të ndalohen Lojërat e Fatit në Kosovë.

Për Mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, Zyra e Kryeministrit ka përgatitur ligjin, i cili do të shfuqizojë ligjin ekzistues dhe do të ndalojë lojërat e fatit” thuhet në njoftim.

Veseli viziton Drenasin, takon edhe Lladrovcin / Foto

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, së bashku me ministrin e Shëndetësisë, Uran Ismaili, shefin e UNICEF-it sot në Drenas ka përuruar nisjen e programit të ri shëndetësor për vizitat e mjekëve nëpër shtëpitë e nënave shtatzëna dhe atyre që kanë lindur, duke iu lehtësuar shërbimet shëndetësore.

Veseli tha me këtë rast se nëpërmjet këtij projekti po shkohet drejtpërdrejt tek qytetarët dhe familjet, fillimisht nëpërmjet qendrave të mjekësisë familjare.

“Kjo është një politikë dhe një strategji, për të cilën e përgëzoj ministrin e Shëndetësisë Uran Ismaili, i cili është duke bërë mirë punën e vet. Është e rëndësishme që kemi filluar reformat në sektorin e shëndetësisë. Nuk ka qenë e lehtë të bëhen ndryshimet e deritashme, qoftë në përmirësimin e kushteve të punës, qoftë në përmirësimin e kushteve materiale të stafit shëndetësor”, theksoi Veseli.

Ai tha se puna e nisur nuk do të ndalet dhe ministri Ismaili ka një vizion të qartë për transformimin rrënjësor të sistemit shëndetësor, për të siguruar shërbime të shpejta dhe cilësore për qytetarët tanë.

“Ne do të jemi te pacienti, te qytetari. Jemi të vetëdijshëm që ende, edhe sot, edhe pse ka përmirësime, qytetarët ballafaqohen me disa mungesa të barnave esenciale, por ne do të jemi përkrah tyre deri në fund. Nuk do të lejojmë që të ketë mjekë të papunë, ndërsa në anën tjetër të ketë mungesë të mjekëve nëpër klinika”, tha kryetari i Kuvendit, duke falënderuar UNICEF-in për mbështetjen e këtij projekti dhe projekteve të tjera.

Gjatë takimit me personelin shëndetësor në Drenas dhe bashkëbisedimit me mjekë dhe infermierë, ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaili, i siguroi ata se vitin e ardhshëm në Drenas do të ndërtohet një objekt i ri për Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare.

Ismaili tha se reformat në shëndetësi do të vazhdojnë, duke shtuar kujdesin shëndetësor për pacientët por edhe duke përmirësuar kushtet për personelin shëndetësor.

I pranishëm ishte edhe kryetari i komunës Ramiz Lladrovci, i cili falënderoi kryeparlamentarin Veseli dhe ministrin e Shëndetësisë për mbështetjen e Komunës së Drenasit.

Drenasi është komuna e 16-të ku ka nisur zbatimi i këtij programi, i hartuar në bashkëpunim me UNICEF-in.

Drejtori i kësaj organizate në Kosovë, Murat Sahin, tha se vizioni i UNICEF-it është që çdo fëmijë të ketë jetë të shëndetshme dhe pastaj edhe arsim më të mirë.

“Partneriteti që kemi në Kosovë me Ministrin e Shëndetësisë Uran Ismaili është model edhe për vende tjera. Ky program ka për qellim që secila grua shtatzënë dhe nëna që ka lindur fëmijë, t’i kenë gjatë dy viteve shtatë vizita të mjekëve në shtëpitë e tyre. Gjatë 2018 në mbarë komunat ku e realizojmë këtë projekt, janë kryer mbi 15 mijë vizita në shtëpi. Dua ta falënderoj kryetarin e Kuvendit i cili na ka mbështetur vazhdimisht në realizimin e programeve tona në Kosovë”, tha shefi i UNICEF në Kosovë, Murat Sahin.

Kryeparlamentari Veseli i shoqëruar nga ministri i Shëndetësisë dhe mjekë të QKMF ka vizituar edhe në familje për të parë nga afër zbatimin e këtij projekti i cili është mirëpritur nga nënat shtatzëna.

Drenas: Këlyshët ngordhin në krua, nxënësit pinë ujë nga aty

Shkolla fillore “Shaban Polluzha”, në Korroticë, furnizohet me ujë nga ky burim. Edhe 270 nxënësit e saj e pinë ujin që rrjedh nga ky krua.

Por në këtë burim uji, që një javë kanë rënë dhe kanë ngordhur tre këlysh duke e kontaminuar ujin që furnizon shkollën.

I pari që e vërejti këtë, ishte Endrit Dobërdolani, banor i fshatit.

Madje, ai doli të hënën nga ora 07:00 e mëngjesit, për mos ta lënë askënd të pijë ujë këtu.

Për ta pastruar vendin, të hënën dolën edhe njësiti i zjarrfikëseve.

Kurse në vendin e ngjarjes, u panë edhe inspektorati i mjedisit të Komunës së Drenasit.

Megjithëse është përgjegjësi e komunës ta mirëmbajë këtë krua, ata u dëgjuan ta urdhërojnë personelin e shkollës “Shaban Polluzha” që ta vendosin derën e hyrjes në këtë krua.

Drejtoresha e shkollës, Drita Curri, thotë se për këtë gjë, u njoftua të dielën vonë.

E të shqetësuar për shëndetin e fëmijëve, shprehen prindërit.

Ky krua nuk u shërben vetëm banorëve te fshatit.

Nga komuna e Drenasit, përmes një përgjigje me shkrim, kanë thënë se kanë urdhëruar ndërprerjen e furnizimit me ujë të pijshëm në objektin e shkollës.

Sipas komunës, ata deri me tani, kanë ndërmarrë dhjetëra aksione për pastrimin e këtij kroi.

Ndërsa fajësuan qytetarët e papërgjegjshëm, për hedhjen e mbeturinave.

Drenas: Fermerit e ia djegin 5 hektarë mjedër

Tash me fillimin e sezonit pranveror, zjarret në vendin tonë ditëve të fundit janë bërë shqetësim për qytetarët.

Raste të shpeshta po hasim çdo ditë, veçmas gjatë vikendeve, ku toka bujqësore e fusha po digjen në mënyrë të qëllimshme.

Ky fenomen ndonëse i ndaluar, vazhdon të paraqes rrezik, jo vetëm për shkak të afërsisë me vendet e banueshme, por edhe për shkak të ajrit të dëmshëm.

Sot, një fermeri në Komunën e Drenasit i janë djegur rreth 5 hektar mjedër, ndërsa është dashur të intervenojë edhe ekipi i zjarrfikësve.

Vet, fermeri nga Gradica është shprehur të jetë mjaftë i shqetësuar me këtë që i ndodhi sot, ndërsa ka treguar se falë zjarrfikësve ka arritur të shpëtojë një pjesë e plantacionit.

‘”Është për të ardhë keq se çfarë njerëz mbanë kjo tokë. Sot persona të pandërgjegjshëm i kanë vu zjarrit plantacionit me rreth 5 hektar mjedër, por për fat një familjar i imi nga Baica ishte duke kalu andej e ma dha lajmin e hidhur. Me intervenimin e shpejtë të zjarrfikësve nga Drenasi, arritëm ta shpëtojmë pjesën dërmuese të plantacionit”, ka treguar ai.

Ndryshe, pavarësisht apelit për mos djegien e fushave pasi të korren drithërat, pronarët dhe qytarët, vazhdojnë të besojnë se tokat e tyre do të jenë shumë më produktive. Por sipas ekspertëve se bujqësisë, lëvrimi i tokës do të ishte shumë më produktiv se vënia e zjarrit.