Jakup Krasniqi: Këta që po i pengon sot taksa, s’kanë qenë të zotët ta trembin macen nga përsheshi

Njëra nga figurat më të rëndësishme të PDK-së që rrugëtimin e tij politik e ka vazhduar tek NISMA për Kosovën, Jakup Krasniqi, ka kritikuar të gjithë faktorin politik në Kosovë që po e kundërshtojnë vendimin e Haradinajt për taksën.

Sipas Krasniqit vendimi për taksën nuk është një pengesë për vazhdimin e dialogut dhe arritjen e një marrëveshje.

Ish-kreu i Kuvendit ka folur për krimet serbe që janë kryer gjatë luftës së fundit në Kosovë kundër civilëve të pafajshëm, duke thënë dikush në Kosovë me kujtesë të shkurtër ka mundur edhe t’i harrojë.

Ai thotë se nuk habitet me ndërkombëtarët që e kundërshtojnë një vendim të tillë të Qeverisë Haradinaj, por i vije çudi me politikanët në Kosovë që po e kundërshtojnë një vendim të tillë.

“Nuk me habisin shumë ata të jashtmit, pasi ata në fund të fundit nuk janë prekur nga krimi e gjenocidi që e jetuam në Kosovë, por me habisin këta tanët, që kurrë nuk qenë të zotet që ta “trembin macen nga përsheshi” dhe i pengon taksa! Bile po me vije goxha keq pse janë bërë kaq shumë këta të fundit! Madje fare pa u skuqur po defilojnë nga një ekran televiziv në tjetrin?!”, ka thënë Krasniqi, shkruan Gazeta Express.

Ndër të tjera Krasniqi ka shtruar edhe një pyetje se pse nuk ishte arritur një marrëveshje para nëntorit të vitit 2018, meqeë tashmë po e përdorin taksën si një pretekst për bllokimin e dialogut.

“Të gjithë atë që taksën 100 % e shohin si pengesë për gjëja një marrëveshje të pretenduar me Serbinë – “janë në lule të Xhehnetit” , ka thënë kryetari i Këshillit Kombëtar të NISMA-s.

Kundërshtarët e taksës, Krasniqi nuk ka ngurruar që t’i quaj edhe qyqarë.

Shkrimi i plotë i Jakup Krasniqit:

Të gjithë ata që Taksën 100% e shohin pengesë për gjëja një marrëveshje të pretenduar me Serbinë – “JANË NË LULE TË XHENETIT”!

Ju takon sidomos atyre që thirren në vlera demokratike, që të bëhen burra ose burrnesha e le të na tregojnë: Pse marrëveshja që kaq shumë po e dëshirojnë në mes Kosovës e Serbisë nuk e arritën para nëntorit të vitit 2018? Nuk ka dyshim, taksën e kanë si pretekst, po cilët ishin pretekstet para taksës?

Dëgjoni e lexoni, kuptohet nëse keni sy për të parë e veshë për të dëgjuar se çka na përrallisin disa herë brenda një dite çinovniket e lartë të Serbisë për Kosovën e shqiptarët? Kërcënimet që i bëjnë edhe tani janë po të njëjtës natyrë si ato të viteve të luftës kur ia patën vu zjarrin Kosovës! Pra, se çka mendojnë ata kriminel e kemi parë sidomos në vitet 1998 dhe 1999. Ketë askush nuk po e thotë!

Nuk po shkojmë më larg në histori se bëhet tepër, por as sot nuk mendojnë ndryshe për shqiptarët e Kosovës. A e dinë ata në BE, pse ishte formuar Tribunali i Hagës për krimet në ish Jugosllavinë? Nëse kanë harruar, shqetësohem për ata që e kanë kujtesën e shkurtër! Në Kosovë ka shumë njerëz në politikë me kujtesë shkurtër. Besonim se në BE njerëzit mendojnë ndryshe! Të gjithë e dinë se, Taksa nuk ishte aty nga viti 2011 e krejt deri në fund të vitit 2018 kur janë zhvilluar Bisedimet e Brukselit dhe nuk u arrit asnjë marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë – Serbi!

Nuk me habisin shumë ata të jashtmit, pasi ata në fund të fundit nuk janë prekur nga krimi e gjenocidi që e jetuam në Kosovë, por me habisin këta tanët, që kurrë nuk qenë të zotet që ta “trembin macen nga përsheshi” dhe i pengon taksa! Bile po me vije goxha keq pse janë bërë kaq shumë këta të fundit! Madje fare pa u skuqur po defilojnë nga një ekran televiziv në tjetrin?!

Qyqarë, Bota gjithherë ka pasur, por edhe tash po vazhdon t’i ketë me bollëk!

Pa dyshim, njerëzit me integritet, dije e dinjitet gjithnjë e kudo kanë qenë në pakicë, si dje ashtu edhe sot nuk ka ndonjë ndryshim në substancë!

Ishte një kohë që ATA të paktet, që kishin integritet e vizion ndiqeshin nga shumica! Tani është koha e zhurmërisë se shumicës!

Prej atyre që jetonin e jetojnë në “lule të xhenetit” me zhurmëri, nuk e pres ditën e selametit!

Krasniqi: “Unë e shpalla pavarësinë, Thaçi vetëm lexoi një deklaratë”

Tre netët e fundit para shpalljes së pavarësisë, presidenti i asaj kohe, Fatmir Sejdiu, kishte pritur thuajse mëngjesin në zyrë, duke nënshkruar dokumente si kërkesa për njohje që do t’u adresoheshin vendeve të botës.

Krahas kësaj, diskutimet e brendshme ishin të mëdha, se kush do të ishte njeriu i cili do ta lexonte deklaratën e shpalljes së pavarësisë.

Kryetarit të Kuvendit atëkohë, Jakup Krasniqi, ndërkombëtarët i kishin kërkuar që njeriu që do ta lexonte deklaratën të ishte kryeministri, Hashim Thaçi.

Por, Kransiqi, që thotë se ka pasur pak rëndësi se kush e lexoi deklaratën, e konsideron veten si njeriu që shpalli pavarësinë, raporton KTV.

“Pasi është votuar deklarata, unë kam dalë në foltore, dhe kam dhënë rezultatin e votimit. Dhe, si akt i shpalljes së Pavarësisë, do të duhej të merrej ai moment, pas votimit të deklaratës. Dhe jo leximi i deklaratës”.

Njeriu i parë që nënshkroi aktin e pavarësisë, presidenti Fatmir Sejdiu, thotë se 17 shkurti i 2008-s do të mbetet si dita më e rëndësishme në jetën e tij.

Sikurse Krasniqi, edhe Sejdiu thotë se Hashim Thaçi veç e ka lexuar një deklaratë që nënkupton shprehje të vullnetit të popullit, por përgjegjësia kryesore ishte e deputetëve që votuan.

11 vjet pas, Sejdiu thotë se askush nuk mund të ketë mandat të diskutojë për integritetin e sovranitetin, askush në institucione, sipas tij, nuk mund ta ketë fuqinë të kapërcejë Kushtetutën.

Sejdiu ka thënë se Kosova duhet ta ruajë partneritetin me ata që na ndihmuan qysh në ditët e hershme.

Ndërsa, ish-kreu i Kuvendit, Krasniqi, thotë se loja me kufij është e rrezikshme. Ai tha thotë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do të duhej të ndodhte me këta kufij me të cilët Kosova është shpallur shtet 11 më parë.

“Nuk kemi frikë nga zgjedhjet, Ramushi fiton më së shumti nga rrëzimi i Qeverisë”

Për njërin prej udhëheqësve të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi, thotë se vendosja e taksës ndaj produkteve serbe nuk mund t’i prishë raportet Kosovë – SHBA edhe pas presionit që po bën kjo e fundit.

Për rrëzimin e mundshëm të Qeverisë Haradinaj, ku partner koalicioni është Nisma, Krasniqi thotë se partia e tij nuk u frikësohet zgjedhjeve. Jakup Krasniqi komenton edhe përplasjen Thaçi – Haradinaj, për Gazetën Express

Vendosmëria e kryeministrit Haradinaj për mosheqjen e taksës ndaj Serbisë që po merr përkrahje edhe nga partneri i koalicionit Nisma, mund t’i kushtojë me rrëzim të Qeverisë. Por edhe nëse do të ndodhë kjo, Jakup Krasniqi thotë se partia e tij nuk u frikësohet zgjedhjeve. Ai thekson se kësaj situate duhet t’i frikësohen ata që nuk e kanë gatishmërinë për t’i mbrojtur interesat e vendit. Në këtë situatë më së shumti do të fitojë Ramush Haradinaj, thotë ai.

“Ndoshta edhe mund të ndodhë, por nga kjo askush nuk mund të fitojë më shumë sesa Ramushi. Ne nuk e kemi asnjë arsye që t’u frikohemi zgjedhjeve të reja. Le të frikësohen të gjithë ata që nuk po e kanë gatishmërinë për t’i mbrojtur interesat e shtetit e të kombit! Po sekush duhet të mendojë për interesin e vendit e kombit e jo të pushteteve personale”, tha Krasniqi në një bisedë për Gazetën Express.

Krasniqi vlerëson se taksa nuk i prish raportet SHBA – Kosovë. Ai thotë se presioni amerikan duhet të drejtohet nga Serbia pasi, sipas tij, ata janë shkaktari i të këqijave në Evropë.

“Taksa nuk mund ta prishë partneritetin me SHBA-në, ajo po i prish raportet e atyre që nuk janë të gatshëm të vendosin politika reciprociteti më Serbinë e disponuar armiqësisht, me ata që luftojnë për t’i mbrojtur interesat e shtetit e të qytetarëve tanë. Presioni duhet të drejtohet ndaj Serbisë, pasi ajo është shkaktari i të gjitha të këqijave në Evropë”, u shpreh Krasniqi.

Jakup Krasniqi e ka komentuar edhe përplasjen virtuale mes presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj. Raportet u acaruan edhe më shumë gjatë vikendit kur Thaçi shkroi se bora do të shkrihet por shpreson të mos bëhet skllotë, kjo deklaratë erdhi pasi Haradinaj ishte shprehur se bora do të shkrihej dikur.

Për këtë, Krasniqi tha se Haradinaj është në krye të detyrës që duhet mbështetur fuqishëm.

“Kryeministri Haradinaj është në krye të detyrës e përgjegjësive të tij kushtetuese, për çka duhet mbështetur fuqishëm. Drejtuesit e shtetit duhet të jenë në krye të përgjegjësive të tyre kushtetuese”, përfundoi ai.

Ende nuk dihet nëse kjo Qeveri i ka ditët e numëruara në pushtet. Sot liderët shtetërorë kanë zhvilluar takim me ambasadorin amerikan në Kosovë, Philip Kosnett, pas të cilit Ramush Haradinaj tha se këtë javë mund të ndodhin zhvillime. Ndërsa Hashim Thaçi e quajti takim të zakonshëm duke shtuar se nuk ka agjendë as individ qe e prish miqësinë e Kosovës me SHBA-në. /M.Miftari /Gazeta Express

S’e kuptoj LDK’në e Thaçin që kushtëzojnë dialogun me heqjen e taksës

Kryetari i Këshillit Kombëtar të Nismës Socialdemokrate, Jakup Krasniqi thotë se e kupton reagimin e liderëve të Serbisë për taksën prej 100 për qind, po nuk e kupton reagimin e LDK-së dhe të presidentit Hashim Thaçi që kushtëzojnë sipas dialogun me heqjen e taksës.

“Është për t’i kuptuar disi reagimet e kushtëzimet që zyrtarët më të lartë serbë në Beograd, të cilët vazhdimin e dialogut e lidhin me taksën 100%, por si t’i kuptojmë përfaqësuesit e një partie politike “shtet-formuese” (LDK-së) dhe kryetarit të vendit që janë në një vijë politike me Vuçiqin e Bërnabiqin?! Të cilët e kushtëzojnë vazhdimin e dialogut me heqjen e taksës 100%?”, thotë Krasniqi përmes një komunikate për media.

Ai shton se, “sikur të njëjtit të kishin reaguar ndaj cilitdo veprim të Serbisë kundër Kosovës, gjatë kohës sa janë zhvilluar bisedimet politike të Brukselit, t’i kishin kushtëzuar bisedimet me aktivitetet e shumta armiqësore të Serbisë ndaj Kosovës e të kishin pasur ndonjë sukses në atë drejtim, do të përpiqeshim që t’i kuptojmë edhe sot?! Por, këta “racionalistë” të politikës sonë, diçka të ngjashëm nuk e kanë kërkuar as edhe një herë deri më tani”.

Krasniqi thotë se nëse deri sot asnjë veprim armiqësor të Serbisë, e të cilat veprime kanë qenë të shumta, askush as në Kosovë e as në BE, nuk i kushtëzuan ato veprime me vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve në mes Kosovës e Serbisë. Pse tani kur Kosova ka vendosur taksën 100% dhe më të drejtë, tani vazhdimi i dialogut kushtëzohet me heqjen e taksës?

“Këta njerëz duhet t’i kujtojnë: Kërcënimet që kanë ardhur dhe vijnë nga Serbia, ndërhyrjet e Serbisë në ndërtimet në Lagjen e Diellit, Ndërtimin e murit ndarës, trenin nacionalist, tërheqjen e njohjeve, mos pranimin e Kosovës në UNESCO e së fundi në Interpol, kërcënimet ndaj pjesëtarëve të pakicës serbe nga FSK-ja etj ., etj. Ku ishin atëherë? Pse të njëjtit heshtnin?”, thotë Krasniqi.

Krasniqi thotë se LDK-ja dhe kryetari, i zgjedhur nga ajo, le t’i bashkohen ekipit për vazhdimin e dialogut me Serbinë pa kushtëzim, le ta arrijnë marrëveshjen e normalizimit të premtuar që pesë vite dhe pastaj taksa 100% nuk do të ketë asnjë arsyeje që të ekzistoj më. Ajo zhbëhet vetvetiu.

“Pra e rëndësishme është që së pari të vazhdojë dialogu në Bruksel, të normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës e Serbisë e pastaj gjerat marrin rrjedhën e duhur”, ka thënë Krasniqi.