Cakaj përplaset me Daçiqin në Poloni: Qe 28 vjet jam refugjat për shkak tëndin

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj, është përplasur me homologun e tij serb Ivica Daçiç në Ministerialin e Varshavës për çështjen e Kosovës.

Mësohet se Daçiç ka kërkuar që Ministri i Jashtëm kosovar Behgjet Pacolli të mos jete pjesë e takimit dhe është ngritur për tu larguar nga salla.

Në këtë moment ka ndërhyrë Cakaj duke ju drejtuar Daçiç: “E di që po më dëgjon, prandaj po të flas. Fjalimi i Daçiç është një retorikë e shekullit XX dhe totalisht pa vend dhe pa sens. Daçiç ka 28 vite në politikë e unë kam 28 vite jetë. Por për shkak të 28 viteve të tij, unë kam 28 vjet refugjat.”

Pas ndërhyrjes së Cakaj, Daçiç ka kërkuar të marrë fjalën sërish por nuk është lejuar nga drejtuesi i takimit.

Ky episod vjen pak ditë pas incidentit diplomatik në Konferencën mbi “Klimën në Ballkanin Perëndimor” që u mbajt në Tiranë, ku delegacioni serb nuk pranoi të rrijë bashkë me delegacionin kosovar, të dy të ftuar si pjesë e kësaj konference të rëndësishme.

Kosova sakaq refuzoi të përfaqësohet nën logon UNMIK, me pretendimin se është shtet i pavarur. Nga ana tjetër delegacioni serb nuk pranoi pjesëmarrjen e Kosovës në këtë Konference, e për këtë arsye u largua, duke mos dashur lejimin e Kosovës si anëtare me të drejta të plota në OKB.

KFOR i përgjigjet deklaratave për luftë të Ivica Daçiq

Zëdhënësi i KFOR-it, Vincenzo Grasso, teksa ka komentuar deklarimet e ministrit të Jashtëm të Serbisë, Ivica Daçiq, për një intervenim ushtarak të Serbisë në veri të Kosovës, ka thënë se aktualisht nuk ka asnjë shenjë se diçka e tillë mund të ndodh.

Në një përgjigje për Gazetën Express, Grasso ka thënë se janë në kontakt me të gjitha institucionet e sigurisë në të dy vendet, me qëllim të parandalimit të ndonjë të papriture që mund të dëmtojë Kosovën dhe Serbinë.

“Sipas situatës aktuale nuk ka asnjë shenjë se ngjarje të tilla të tmerrshme mund të ndodhin. KFOR-i mban marrëdhënie të vazhdueshme dhe të mira me të gjithë akterët e sigurisë në Kosovës, si dhe me Forcat e Armatosura Serbe, me qëllim të parandalimit të ndonjë veprimi të papritur që mund të jetë i dëmshëm edhe për Kosovën edhe për Serbinë”, ka thënë Grasso.

I pyetur nëse KFOR-i dhe NATO-ja janë të shqetësuar lidhur me këto deklarata, Grasso thotë se e vetmja arsye aktuale për shqetësim janë deklarimet që po përdoren.

“Nuk kemi ndonjë indikacion apo arsye për t’u shqetësuar. Shqetësimi i vetëm është për shkak të retorikës që po përdoret, sepse krijon një mjedis ku një incident i izoluar mund të përshkallëzohet”, ka thënë ai për Express.

Grasso u ka bërë thirrje të gjithë atyre që mbajnë përgjegjësi për deklarata publike dhe të gjithë mediave, që të jenë të kujdesshëm dhe të mos shkaktojnë pasoja të rënda me fjalët e tyre.

“KFOR-i u bën thirrje të gjithë folësve dhe mediave të jenë të kujdesshëm që të mos shkaktojnë pasoja më të thella me fjalët e tyre”, potencon ai.

Ai për Express ka treguar se janë duke e monitoruar rregullisht situatën në të gjithë territorin e Kosovës.

“KFOR-i është i pranishëm çdo ditë me LMT-në ( Ekipet ndërlidhës të Monitorimit) dhe rregullisht kontrollojmë dhe monitorojmë situatën në mbarë Kosovën. KFOR-i është plotësisht i angazhuar për mandatin nën Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara, me qëllim që të garantojë sigurinë për të gjithë njerëzit në Kosovë”, shton ai.

I pyetur nëse po planifikojnë të rrisin numrin e patrullimeve në veri të Kosovës, Grasso, thotë se KFOR-i kryen aktivitete të përditshme në të territorin e Republikës së Kosovës dhe jo vetëm në veri.

“Ne e bëjmë atë nëpërmjet ushtrimeve, provave dhe vendosjes së trupave si nga toka po ashtu edhe nga ajri. KFOR-i është i gatshëm dhe i përkushtuar për të për të mbrojtur të gjithë njerëzit në Kosovë, pavarësisht vendndodhjes së tyre”, ka potencuar Grasso për Gazetën Express.

Në fund ai ka bërë thirrje për të gjithë institucionet e sigurisë që të përmbahen nga deklaratat që krijojnë tensione të panevojshme dhe shqetësime të pabaza në mesin e qytetarëve.

“Siç e thash, KFOR-i është vazhdimisht në kontakt me Institucionet e Sigurisë së Kosovës në të gjitha nivelet, si dhe me homologët ushtarak të të gjitha vendeve fqinje. KFOR, fton të gjithë që të përmbahen nga krijimi i tensioneve jo të duhura, të cilat shkaktojnë shqetësime të pabaza në mesin e popullatës”, ka përfunduar zëdhënësi i KFOR-i, Vincenzo Grasso për Gazetën Express.

Express lidhur me këtë çështje ka kontaktuar sot edhe ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kosovës. Zëvendësministri Burim Ramdani, ka thënë se do të koordinohet me KFOR-in për çfarëdo rrethane që do të krijohet.

Ndërsa deklaratat e Daçiqit, i ka cilësuar si luftë speciale, e cila është bërë edhe gjatë viteve të 90-ta.

Ndërkohë ka reaguar edhe shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, i cili ka thënë se këto kërcënime të politikanëve serb për ndërhyrje në veri, tregojnë se sa larg dialogut janë Kosova dhe Serbia.

Çitaku shtang Serbinë: Mbledhjet në OKB po i ktheni në teatër, Daçiq po tregon përralla

Diplomatja e Kosovës në Uashington, Vlora Çitaku i ka cilësuar si teatër mbledhjet e Këshillit të Sigurimit në OKB, ku po diskutohet për Kosovën.

Zonja Çitaku ka deklaruar se me këtë, Beogradi zyrtar po tenton t’i tregojë përralla dhe tregime të shpikura botës.

Ajo ka vlerësuar se diskutimet e shpeshta për Kosovën, janë dëshmi se Serbia nuk është aspak e sinqertë, transmeton Telegrafi.

“Është e papranueshme që kjo dhomë është shndërruar në një teatër nga Serbia. Ky forum është bërë skenë për Serbinë që t’i tregojë përralla botës, dhe tregime të shpikura që as ata vetë nuk i besojnë. Këto sesione kanë humbur kuptimin e tyre, dhe në fakt gjithë kjo që po ndodhë këtu është një dëshmi tjetër se Seria nuk është e sinqertë as në qëllimet që po artikulon, për vazhdimin e dialogut”, ka thënë Çitaku.

Ambasadorja e Kosovës në Uashington, duke folur për taksën ndaj Serbisë, ka thënë se vendimi i Qeverisë së Kosovës ka ardhur pas fushatës brutale të Beogradit, kundër shtetësisë së Kosovës.

Ajo deklaroi se Serbia me njërën dorë e lufton Kosovën, kurse me tjetrën thotë se është e interesuar për normalizimin e raporteve.

Sipas Çitakut, edhe nëse hiqet taksa, Serbia do të gjejë arsye tjera për të mos e vazhduar dialogun.

“Vendimi për taksat ndaj Serbisë nuk ka qenë i lehtë, por megjithatë pyetja që duhet ngritur është pse është marrë ky vendim. Tarifat ishin në reagim të fushatave brutale të qeverisë së Serbisë kundër Kosovës. Nuk mund dikush ta mbaj njërën dorë ta luftojë ekzistencën tonë, e me tjetrën të pretendojnë se janë për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën”, ka thënë Çitaku.

Ajo foli edhe për mundësinë e vazhdimit të dialogut, duke shtuar se një gjë e tillë mund të ndodhë vetëm për njohje të ndërsjellë.

Çitaku komentoi edhe deklarimet e ministrit të jashtëm serb, Ivica Daçiq i cili tha se Gjykata Speciale po i trajton kriminelët e luftës së UÇK-së.

Ajo than ë mbledhjen e OKB-së, se Kosova ka bërë luftë çlirimtare, duke e cilësuar tutje krijimin e ushtrisë si vendim të duhur.

“Vendimi për Ushtrinë ishte i ligjshëm, kushtetues dhe kjo vetëm po krijonte parakushte e një mekanizmi të sigurisë, që mundëson kontributin e Kosovës që të jetë pjesë e aleancave evropiane”, ka thënë Vlora Çitaku.

Ndryshe, mbajtja e seancës së Këshillit të Sigurimit mbi Kosovën ishte deri në momentin e fundit në pikëpyetje, pasi disa vende perëndimore e kundërshtuan praktikën e diskutimit të kësaj çështjeje katër herë në vit.

Britania e Madhe kërkoi që Kosova të hiqet përgjithmonë nga rendi i ditës, ndërsa SHBA beson se seancat duhet të mbahen dy herë në vit.

Daçiq thotë se Pacolli e ka kër’cënuar, reagon MPJ

Ministria e Punëve të Jashtme në krye me Behgjet Pacollin ka reaguar lidhur me deklaratën e ministrit serb, Ivica Dacic, i cili kishte thënë se “Behgjet Pacolli e kishte kër’cënuar me vr’asje në Bukuresht”, në takimin joformal të organizuar nga Rumania.

Në këtë ministri i kanë kujtuar Dacicit, vrasjet e politikanëve në Serbi, duke thënë se e kaluara e vendit të tij është përplot krime ndaj të tjerëve, si dhe vrasje e vetëvr’asje në mesin e tyre.

Këshilltari i Behgjet Pacollit, Fatmir Haxholli i ka sugjeruar Daciqit që të qetësojë turmat radikale, nëse mund t’I mbajë ende nën kontroll. Derisa i ka kujtuar se i njejti ishte bashkëpuntor i Millosheviqit.

‘’Janë serbët e përfaqësuar nga mentaliteti i Ivica Daçiq, ata që vranë Kryeministrin e tyre, Zoran Gjingjiq, kjo veçmas për faktin se në mungesë guximi për t’u përballur me të vërtetën historike, pavarësinë e Republikës së Kosovës, politikanët qyqarë sikurse Daçiq, nuk mund të shohin dalje nga situata, veçse përmes vrasjeve. Mos harroni, që janë pak media hulumtuese në Serbi, ato që tashmë kanë drejtuar gishtin te Beogradi zyrtar për vrasjen e Oliver Ivanoviqit. Çfarë t’i thuhet kësaj figure të veshur me petkun diplomatik, përpos se e kaluara e vendit të tij, është përplot krime ndaj të tjerëve, si dhe vrasje e vetëvrasje në mesin e tyre. Daçiq le t’i qetësojë turnat radikale në Serbi, nëse mund t’i mbajë ende nën kontroll, sepse duke mos pasur se kë të sulmojnë, ato lehtë mund të kthehen edhe kundër politikanëve qyqarë e gënjeshtarë. Daçiqit si bashkëpunëtor i Millosheviqit, me siguri i kujtohet edhe vr’asja e Ivan Stamboliq’’, ka thënë Haxholli.

Ministri Gent Cakaj ia bën 8 me 2 Ivica Daçiq

Gent Cakaj ka pasur dje takimin e parë si Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, de facto me kompetenca të deleguara nga Edi Rama.

Ai ka marrë pjesë në Samitin e Ministrave të Jashtëm të BE-së dhe vendeve të Ballkanit, që u zhvillua në Bukuresht në kuadër të presidencës rumune të Këshillit të Ministrave të BE-së.

Cakaj është përballur me një situatë befasuese nga ministri i Jashtëm i Serbisë Ivica Daçiq, i cili nuk ka mundur të mos e shigjetojë zv.ministrin shqiptar, që vjen nga Kosova.

Meqënëse në takim përveç tij ishte dhe ministri i Jashtëm i Kosovës Behxhet Pacolli, Daçiq ka kërkuar shkas për ta parë këtë si provokim, duke e nisur takimin me shigjetime.

Në përpjekje për të vënë në pozita të vështira Cakajn përballë liderëve europianë, Daçiq ka shprehur shqetësim përse Kosova ka dy ministra të jashtëm në tryezë, raportojnë mediat.

“Pse Kosova ka dy ministra të jashtëm në tryezë? Ky është një provokim i rëndë që na bëhet nga ministri i jashtëm Edi Rama”, ka thënë Daçiq.

Por, ministri i deleguar Gent Cakaj nuk ia ka lënë mangët dhe i ka kthyer një përgjigje të shpejtë Daçiqit, që ka shkaktuar ilaritet [të qeshura] në sallë.

Nisur nga fakti që Daçiç është nga Prizreni, ministri Cakaj i ka kujtuar se duhej të ishte skandalizuar më herët.

“Në fakt zoti ministër ju duhet të ishit skandalizuar më parë, sepse Kosova i ka pasur dy, dhe ka një fjalë që thotë nuk ka dy pa tre! Ju jeni nga Prizreni apo jo, por përfaqësoni këtu Serbinë. Ndërsa unë po jam shqiptar nga Kosova dhe përfaqësoj Shqipërinë!”, i tha Cakaj, Daçiqit.

Daçiq ka disa pyetje për Haradinajn, pas letrës për kryeministrat e botës

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ia ka drejtuar disa pyetje kryeministrit të Kosovës, Ramush Haradinaj.

Ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, nuk është i vetëdijshëm për situatën në të cilën gjendet, pas letrës së dërguar te liderët botërorë.

Haradinaj të martën njoftoi se u ka dërguar një letër kryeministrave të botës ku thuhet se: “Kosova bisedon me Serbinë si shtet sovran”.

“Nëse është ashtu, pse nuk bëhen anëtarë në Kombet e Bashkuara, INTERPOL ose UNESCO? Pse 13 shtete i kanë tërhequr njohjet dhe pse tani SHBA-ja dhe BE-ja pranojnë që të kërkohet një kompromis?”, deklaroi Daçiq për “Veçernje Novosti”.

Haradinaj në letrën e tij kishte shkruar se statusi i Kosovës është konfirmuar më 17 shkurt të vitit 2008 me shpalljen e pavarësisë dhe se dialogu me Serbinë ka për qëllim normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë “me njohje të ndërsjella”.

Stil i një rrugaçi, Daçiq fyen kancelarin austriak, e quan budalla

Ministri i Punëve të Jashtme të Serbisë e ka ulur veten në nivelin e një rrugaçi nga më ordinerët, duke fyer madje edhe kancelarin austriak Sebastian Kurz për përkrahjen që i jepte Kosovës për anëtarësim në Interpol.

Përveç që tregon se, gjoja se, i ka thënë Kurzit se “ç’të gjeti kështu, ti je i mençur, vetëm një budalla është në anën e humbësve”, kryediplomati serb, i cili jo rrallë paraqitet si një palaço cirku.

Ai ka përdorur edhe lojë fjalësh me keqpërdorimin e emrit të Kurzit, i cili i shqiptuar serbisht ka kuptimin e organit gjenital të mashkullit.

“Përmes kujt deshën në Interpol ashtu edhe hynë”, ka deklaruar Daçiqi, duke përdorur frazën nga serbishtja “preko kurca”, që do të thotë “përmes (apo përtej) ‘atij sendit’ tentuan dhe në të edhe përfunduan”.

Deklaratën Daçiqi e dha në konferencë shtypi, që bashkë me presidentin serb e mbajti pas mossuksesit të Kosovës për t’u anëtarësuar në Interpol, në Asamblenë e Përgjithshme që u mbajt sot në Dubai.

– Unë këtë e flisja që moti. U thosha të mos paraqiten, të mos e turpërojnë veten, se do të përjetojnë debakël. Desha t’i ruaj që të mos turpërohen, e tash le të arsyetohen para popullit të tyre, tha Daçiqi./Teleshkronja Post/