Deda pas takimit me Shpend Ahmetin e Visar Ymerin tregon pse u takuan

Themeluesi dhe deputeti i partisë Alternativa, Ilir Deda, ka thënë se takimi i sotëm me krerët e PSD-së, ka qenë ekskluzivisht një takim ku është diskutuar rreth dialogut të Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një përgjigje për Gazetën Express, ai ka thënë se këto janë takime të rregullta javore, ku diskutohet për çështjen e dialogut të Brukselit.

“Takimi ynë ka qenë, takim i rregullt javor, për dialogun me Serbinë”, ka thënë Deda për Gazetën Express.

Ai ka thënë se nuk ka asnjë arsye tjetër për këtë takim.

Vlenë të theksohet se raportet ndërmjet Dedës dhe kryetares së Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, nuk janë aq të mira sa në fillim kur e kishin themeluar partinë.

Shkak për këtë janë vendimet që ka marrë Deda për të votuar Buxhetin dhe për të respektuar marrëveshjen që partia e tij kishte arritur me PSD-në për të qenë bashkë sa i përket Platformës për Dialogun e Brukselit.B.V.

Nga: GE

Ilir Deda: Nga takimi me amerikanët kemi kuptuar se Thaçi ka gënjyer

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka folur pas takimit që kanë pasur së bashku me një grup deputetësh të opozitës me dy zyrtarët e administratës së Donald Trump,John Erath dhe Brad Berkley

Ai ka thënë se janë dakorduar që të mos flasin për detaje të këtij takimi, duke theksuar se situata është mjaft dramatike.

“Më iu tregu të drejtën më vjen keq prej qytetarëve. Ne e kemi pas një kërkesë nga amerikanët, që të mos dalim me detajet nga takimi”, ka thënë ai, shkruan Gazeta Express.

Deputeti Deda ka thënë se në këtë takim janë hequr shumë pikëpyetje të cilat kanë të bëjnë me korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka akuzuar Thaçin se së bashku me ata që kanë lobuar për presidentin janë munduar që të bindin SHBA-në që të gjithë në Kosovë janë pro një ideje të tillë. Ai thotë se në këtë takim është sqaruar gjithçka dhe amerikanët tashmë e dinë se populli i Kosovës nuk është për një ide të tillë.

“Ka qenë një takim shumë miqësor ku janë sqaruar shumë pikëpyetje që Kosova i ka pas sa i përket procesit të tanishëm. Situata nuk është e lehtë aspak, është shumë e vështirë për Kosovën. Na u kanë hek disa paqartësi. Atë që muj me thanë është që Thaci e ka gënjy opinionin publik, që ta arrije projektin e tij për korrigjim të kufirit. Presidenti Thaçi e ka kidnapu procesion e dialogut. Është mundu me manipulu me atë që Thaçi ka dëshirë me dhanë veriun e Kosovës. Miqtë e vetë kanë lobu shumë me paraqit në Amerikë që krejt në Kosovë janë pro korrigjimit të kufijve. E këta amerikanët e kanë kuptuar që një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe e kanë dhënë mesazhin e vetë. Kjo breng nga u ka hek, dhe u sqaru pozicioni amerikan shumë mirë.”, ka thënë Deda për T7, shkruan Gazeta Express.

Ndër të tjera ka treguar që dy zyrtarët e lartë amerikan kanë kërkuar që të hiqet taksa për vazhdimin e dialogut, ndërsa ka paralajmëruar se diçka do të ndodh nëse Kosova vazhdon të qëndroj në pozicionet politike aktuale.

Ai nuk ka treguar se çfarë mund të jenë pasojat, dhe thotë se për këtë duhet të flasin krerët e shtetit, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e Kadri Veseli.

“Ata e kanë sqaru shumë mirë, që taksa duhet të hiqet. Dhe kanë tregu se çfarë mundet me ndodhë nëse Kosova qëndron në pozitat aktuale. Për këtë është më mirë që me folë Veseli, Thaci e Haradinaj. Ata e kanë përgjegjësinë kryesore sepse udhëheqin me shtetin”, ka thënë ndër të tjera deputeti i Alternativës, raporton Express.

E ka thënë se nëse ata nuk do të flasin, atëherë në javën e ardhshme do të tregojnë se cilat kanë qenë ultimatumet e SHBA-së për Kosovën.

“Nuk mund të flas se çka mundet me na gjet, derisa të flasin krerët e institucioneve. Nëse nuk flasin deri javën e ardhshme, pastaj e shohim a do të flasim ne”, thotë ai.

Sipas tij duhet që të ketë një vendimmarrje shumë të shpejtë, pasi situata nuk është aspak e mirë.

“Nuk është situatë e lehtë. Duhet të tregojmë maturi, dhe të marrim vendime në një kohë shumë të shkurtë”, potencon ai.

Sa i përket vazhdimit të dialogut, Deda ka thënë se qëndrimi i tyre është që nga dialogu të ndodh njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Kërkesat e tyre janë shumë të qarta përmes letrave që i kanë dërguar. Amerikanët nga dialog kërkojnë që Serbia ta njoh Kosovën”, shprehet Deda.

Mimoza Kusari del kundër Ilir Dedës

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se partia e saj nuk e ka mbështetur votimin e buxhetit e as Ekipin negociator në Kuvendin e Kosovës.

Ish-zonja e parë e komunës së Gjakovës, Kusari-Lila, në RTV Dukagjini ka thënë se votimi i Ilir Dedës pro buxhetit dhe Ekipit negociator ka qenë kundër qëndrimit të partisë.

“Iliri ka vendos për votën e tij. Në këtë rast nuk ka qenë mbështetje e subjektit politik. Mendimi i tij ka qenë se duhet mbështetet buxheti dhe Ekipi negociator”, tha ajo.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës ka thënë më tej se në bazë të informacioneve që ka marrë në Kuvend, vota e Ilir Dedës ka qenë vendimtare për të kaluar Ekipi negociator.

“Nuk e di si ka shkuar situata, pasi sot kam marrë informata se vota e Ilirit për delegacionin ka qenë determinuese pasi që ka kaluar me 61 vota. Nëse ai është shprehur “pro” ky nuk është qëndrim i Alternativës. E them me përgjegjësi të plotë se organet vendimmarrëse të Alternativës nuk e mbështesin këtë formë të dialogut”.
Kusari-Lila ka thënë se çështja e votimit të Ilir Dedës ende nuk është shqyrtuar në organet e partisë.

“Argumentimi i tij në këtë rast është se ai ka të drejtë. Por mendoj se në strukturën politike të subjektit është nuk është shqyrtuar kjo çështje”, tha ndër të tjera Mimoza Kusari-Lila.