Joe Biden i shkruan letër Thaçit për Dialogun me Serbinë / Dokument

Ish-zëvendëspresidenti amerikan, Joseph Biden i ka dërguar një letër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.

Përmes kësaj letre, Biden i kërkon Thaçit që të ndjekë vetëm rrugën e njohjes reciproke me Serbinë.

Biden nuk i ka ofruar Presidentit Thaçi përkrahje në idenë e tij për ndryshim të kufijve, derisa ka kërkuar nga ai që të ndjekë vetëm rrugën e njohjes reciproke më Serbinë.

“Një zgjidhje e dakorduar në mënyrë reciproke me Serbinë, që çon në njohjen e pavarësisë së Kosovës, do të ishte një arritje e rëndësishme dhe do të ndihmonte në arritjen e të gjitha këtyre gjërave. Ju uroj suksese në ndjekjen e një zgjidhjeje të tillë”, thuhet në letrën e Biden drejtuar Thaçit.

Kjo është letra e plotë e tij dërguar presidentit Thaçi:

I nderuar president Thaçi,

E vlerësoj lart mundësinë që kisha që të kaloj kohë me ju në Konferencën e Sigurisë në Munih fundjavën e kaluar.

Kosova ka bërë përparim të pabesueshëm prej që ka fituar pavarësinë e saj, në një masë të madhe falë lidershipit dhe kontributeve tuaja. Sidoqoftë, siguria e vendit, perspektiva ekonomike dhe statusi ndërkombëtar duhet të forcohen dhe të zgjerohen – një pikëpamje që unë e di që ju e ndani. Një zgjidhje e dakorduar në mënyrë reciproke me Serbinë, që çon në njohjen e pavarësisë së Kosovës, do të ishte një arritje e rëndësishme dhe do të ndihmonte në arritjen e të gjitha këtyre gjërave. Ju uroj suksese në ndjekjen e një zgjidhjeje të tillë.

Ju e dini se përkushtimi im ndaj Kosovës është personal dhe i thellë, dhe unë do të vazhdojë të qëndrojë afër gjithë popullit të Kosovës, përderisa ju përmbushni angazhimin tuaj për një të ardhme më të ndritur. Faleminderit për partneritetin tuaj për ta bërë këtë të ardhme një realitet.

Përshëndetje të ngrohta,

Joseph R. Biden, Jr.

Thaçi: Shkëmbimi i territoreve nuk do të ndodhë, ndarjen e përmendin ata që ndihmuan Millosheviqin

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, ka thënë se është për korrigjim të kufijve me Serbinë, përmes të cilit Lugina e Preshevës do t’i bashkohet Kosovës, ndërsa territorit të Kosovës nuk do t’i preket asnjë centimetër.

Këto deklarime Thaçi i ka bërë në Samitin e Diasporës të organizuar në Shqipëri, ku ka mohuar se do të ketë shkëmbim të territoreve dhe ndarje të Kosovës.

I tensionuar në fjalimin e tij presidenti Thaçi ka thënë se pa shkelur mbi trupin e tij, askush nuk do të mund të cenojë asnjë milimetër të territorit të Republikës së Kosovës.

“Shkëmbimi i territoreve kurrë nuk do të ndodh. Për shkëmbim territoresh kanë folur edhe më herët. Shkëmbimi i territoreve është pazar dhe askush nuk do të lejojmë që të bëj pazar me kauzën kombëtare. Ndarja e Kosovës, pa shkelur mbi trupin tim, nuk do të mund ta cenojë kush asnjë centimetër, as Trepçën as Ujmanin, as Mitrovicën dhe asnjë milimetër të Republikës së Kosovës. Për ndarje të Kosovës dhe ekzagjerime të tilla. Ata që flasin sot për ndarje, janë ata që e kanë ndihmuar Sllobodan Millosheviqin janë miqtë ë Radojicicit që i kam dëbuar nga Kosova”, ka thënë Thaçi.

Ndërsa sa i përket idesë për korrigjim të kufijve ka thënë se e përkrah një ide të tillë, përmes të cilës Lugina e Preshevës do t’i bashkohet Kosovës, pa dhënë asgjë në këmbim.

“Korrigjimi i kufijve, Po. Sepse nuk ka njeri në botë që ma mohon idenë për bashkëngjitje të Luginës së Preshevës me Kosovën, pa u cenuar asnjë milimetër i territorit të Republikës së Kosovës”, ka potencuar ai.

Këto deklarime të Thaçit vijnë një ditë pas takimit të tij me dy zyrtarët e administratës së Donald Trump.

Thaçi: nuk ka shkembim territoresh

Presidenti Thaçi ngritë në këmbë me fjalimin sot në Tiranë 🇦🇱 🇽🇰 : "Pa shkelur mbi trupin tim, askush s’mund ta cenojë asnjë milimetër të territorit të Kosovës"

Posted by Teleshkronja Post on Friday, March 1, 2019

Ilir Deda: Nga takimi me amerikanët kemi kuptuar se Thaçi ka gënjyer

Deputeti i Alternativës, Ilir Deda, ka folur pas takimit që kanë pasur së bashku me një grup deputetësh të opozitës me dy zyrtarët e administratës së Donald Trump,John Erath dhe Brad Berkley

Ai ka thënë se janë dakorduar që të mos flasin për detaje të këtij takimi, duke theksuar se situata është mjaft dramatike.

“Më iu tregu të drejtën më vjen keq prej qytetarëve. Ne e kemi pas një kërkesë nga amerikanët, që të mos dalim me detajet nga takimi”, ka thënë ai, shkruan Gazeta Express.

Deputeti Deda ka thënë se në këtë takim janë hequr shumë pikëpyetje të cilat kanë të bëjnë me korrigjimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ai ka akuzuar Thaçin se së bashku me ata që kanë lobuar për presidentin janë munduar që të bindin SHBA-në që të gjithë në Kosovë janë pro një ideje të tillë. Ai thotë se në këtë takim është sqaruar gjithçka dhe amerikanët tashmë e dinë se populli i Kosovës nuk është për një ide të tillë.

“Ka qenë një takim shumë miqësor ku janë sqaruar shumë pikëpyetje që Kosova i ka pas sa i përket procesit të tanishëm. Situata nuk është e lehtë aspak, është shumë e vështirë për Kosovën. Na u kanë hek disa paqartësi. Atë që muj me thanë është që Thaci e ka gënjy opinionin publik, që ta arrije projektin e tij për korrigjim të kufirit. Presidenti Thaçi e ka kidnapu procesion e dialogut. Është mundu me manipulu me atë që Thaçi ka dëshirë me dhanë veriun e Kosovës. Miqtë e vetë kanë lobu shumë me paraqit në Amerikë që krejt në Kosovë janë pro korrigjimit të kufijve. E këta amerikanët e kanë kuptuar që një gjë e tillë nuk është e vërtetë dhe e kanë dhënë mesazhin e vetë. Kjo breng nga u ka hek, dhe u sqaru pozicioni amerikan shumë mirë.”, ka thënë Deda për T7, shkruan Gazeta Express.

Ndër të tjera ka treguar që dy zyrtarët e lartë amerikan kanë kërkuar që të hiqet taksa për vazhdimin e dialogut, ndërsa ka paralajmëruar se diçka do të ndodh nëse Kosova vazhdon të qëndroj në pozicionet politike aktuale.

Ai nuk ka treguar se çfarë mund të jenë pasojat, dhe thotë se për këtë duhet të flasin krerët e shtetit, Hashim Thaçi, Ramush Haradinaj e Kadri Veseli.

“Ata e kanë sqaru shumë mirë, që taksa duhet të hiqet. Dhe kanë tregu se çfarë mundet me ndodhë nëse Kosova qëndron në pozitat aktuale. Për këtë është më mirë që me folë Veseli, Thaci e Haradinaj. Ata e kanë përgjegjësinë kryesore sepse udhëheqin me shtetin”, ka thënë ndër të tjera deputeti i Alternativës, raporton Express.

E ka thënë se nëse ata nuk do të flasin, atëherë në javën e ardhshme do të tregojnë se cilat kanë qenë ultimatumet e SHBA-së për Kosovën.

“Nuk mund të flas se çka mundet me na gjet, derisa të flasin krerët e institucioneve. Nëse nuk flasin deri javën e ardhshme, pastaj e shohim a do të flasim ne”, thotë ai.

Sipas tij duhet që të ketë një vendimmarrje shumë të shpejtë, pasi situata nuk është aspak e mirë.

“Nuk është situatë e lehtë. Duhet të tregojmë maturi, dhe të marrim vendime në një kohë shumë të shkurtë”, potencon ai.

Sa i përket vazhdimit të dialogut, Deda ka thënë se qëndrimi i tyre është që nga dialogu të ndodh njohja e pavarësisë së Kosovës nga Serbia.

“Kërkesat e tyre janë shumë të qarta përmes letrave që i kanë dërguar. Amerikanët nga dialog kërkojnë që Serbia ta njoh Kosovën”, shprehet Deda.

Përfundon takimi mes zyrtarëve amerikan dhe Thaçit, Haradinajt

Ka përfunduar takimi ndërjmet zyrtarëve amerikan të cilët sot po vizitojnë Kosovën me temë kryesore dialogun me Serbinë.

Takimi ka filluar pak pas orës 15:00 dhe ka zgjatur rreth 2 orë, i cili përfundoi para pak minutave, shkruan Teleshkronja Post.

Kryeministi Haradinaj doli i nga presidenca i pari nga takimi, por nuk u prononcua për media.

Haradinaj ka refuzuar të përgjigjet për gazetarët duke thënë se ‘nesër ju mirëpres’.

Presidenti Thaci ose delegacioni amerikan nuk janë parë të kenë dalë nga zyra ku është mbajtur takimi.

Aty sot ka munguar kryeparlamentari Kadri Veseli, ndonëse takimi ishte paralajmëruar të mblidhte krerët shtetëror.

Delegacioni që sot ka ardhur në Prishtinë udhëhiqet John Erath, kryeshef për çështjet evropiane në Këshillin Kombëtar të Sigurisë Amerikan.

Të hënë dhe të martën ky delegacion ka qëndruar në Beograd.

Raportimi plotësohet vazhdimisht, minutë pas minute…

Një gazetë gjermane publikon datën e nënshkrimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi

Gazeta e përditshme gjermane “Frankfurter Rundschau” ka shkruar për detajet e një dokumenti në të cilën SHBA dhe Bashkimi Evropian kanë shkruar marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Mediumi gjerman në artikullin e saj shkruan se çka do të ndodhë me Trepçën dhe Liqenin e Ujmanit ndërsa zbulon datën kur kjo marrëveshje nënshkruhet.

“Frankfurter Rundschau” shkruan se ndarja mes Kosovës dhe Serbisë në vija etnike është marrëveshje e përkrahur nga Shtetet e Bashkruara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, megjithatë thuhet se implementimi i këtij plani mund të jetë një rrezik i madh.

Duke cituar komisionerin për zgjerim të BE’së dhe fqinjësi të mirë, Johnnes Hahn, Gazeta gjermane shkruan se është rritur presioni ndaj Kosovës dhe Serbisë për të arritur marrëveshje.

Presidenti serb Aleksander Vuçiq, ka thënë në një konferencë në Mynih të Gjermanisë, javën e kaluar se demarkimi i kufijve duhet të mbetet në tavolinën e diskutimeve.

Gazeta gjermane citon një dokument që paraqet skicën se si do të duket marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, për çka palët janë akoma në bisedime.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikën, me ardhjen e Administratës Trump kanë ndryshuar 180 shkallë qëndrimin për llojin e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë”, shkruan FR, transmeton Teleshkronja Post.

Sipas kësaj marrëveshjeje 17-pikëshe, qyteti i Mitrovicës do ta marrë një status të veçantë, me ç’rast ujësjellësi i Gazivodës dhe miniera e Trepçës do të privatizohen për 99 vjet nga përfaqësuesit e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Rusia, Kina dhe Franca), transmeton Gazeta Express.

Në marrëveshje hyn edhe ndërtimi i bazës ajrore të NATO’s në Kuçovë dhe baza detare në Vlorë. Gjithashtu autostrada nëpër Serbi, që quhet Korridori i 10-të, planifikohet të futet në protektorat ndërkombëtar.

Sipas gazetës, marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të nënshkruhet me 12 qershor të 2019’ës në Uashington, ashtu siç kishte paralajmëruar presidenti amerikan, Donald Trump.

Ndërkaq, politikania serbe nga Kosova Rada Trajkoviq citohet në shkrim duke thënë se shkëmbimi i territoreve do të ishte zgjidhja më e keqe e përkrahur nga Bashkimi Evropian. Sipas saj, kjo do të ngjallte frikë për serbët në zona të tjera të Kosovës se do të shkëputeshin komplet nga Serbia.
Marrë tek: GE

Deputetja Osmani: Në qarqet diplomatike flitet që Thaçi dhe Vuçiq kanë hartuar një dokument të fshehtë 12 pikësh

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe presidenti serb, Aleksander Vuçiq, flitet se kanë hartuar një dokument me dymbëdhjetë (12) pika, për marrëveshjen Kosovë –Serbi e për të cilën dy krerët e shteteve janë marrë vesh vetëm në parim.

Në formulimin e këtij dokumenti ka marrë pjesë edhe Bashkimi Evropian.

Këtë për Gazetën Express e ka konfirmuar deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Vjosa Osmani.

Ajo thotë se në këtë dokument është përfshirë çështja e korrigjimit të kufijve, Trepça dhe disa çështje të tjera të cilat kanë të bëjnë me trashëgiminë.

“Në qarqe diplomatike flitet për një dokument njëfaqësh, pra marrëveshje të parimeve, e cila do të trajtojë korrigjimin e kufirit, çështjen e kishave, të Trepçës dhe të tjera”, ka thënë Osmani për Express.

Ajo thotë se ky dokumenti në të cilin trajtohen më gjerësisht këto 12 pika nuk do të vijë fare për ratifikim në Kuvendin e Republikës së Kosovës, duke kujtuar se njësoj ishte vepruar edhe me marrëveshjen e vitit 2013 ndërmjet Thaçit dhe Daçiqit.

“Thuhet që dokumenti përcjellës që i trajton në detaje këto tema, nuk vjen për ratifikim në Kuvendin e Kosovës, por vetëm ajo e marrëveshjes së parimeve. Pak a shumë kjo është çfarë ka ngjarë në vitin 2013 kur marrëveshja mes Thaçit dhe Daçiqit përfshinte parimet themelore, por marrëveshjet zbatuese të atyre parimeve asnjëherë nuk kanë ardhur për ratifikim në Kuvend” ka shpjeguar Osmani.

Ajo thotë se nuk bëhet fjalë për një dokument final, por për një draft marrëveshje.

Osmani thotë se në hartimin e këtij drafti ka marrë pjesë edhe Bashkimi Evropian.

“Është produkt i negocimit mes dy presidentëve, herë me ndërmjetësimin e BE-së e herë pa të”, potencon deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për Gazetën Express.

Për takime të fshehta ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit ka folur edhe historiani dhe njohësi i zhvillimeve në Ballkan, Florian Bieber.

Ai ka thënë që deklarimet e Thaçit të bëra gjatë vizitës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, rreth një ‘korrigjimi të lehtë të kufijve’, tregojnë se Thaçi ka zhvilluar biseda të fshehta me presidentin serb për korrigjimin e kufijve.

Megjithatë, një gjë të tillë e ka mohuar presidenti i Serbisë, duke thënë se asnjëherë nuk është takuar fshehtas me Thaçin.

“Nëse do të ishim takuar fshehurazi, ne do të kishim raporte të mira”, kishte thënë Vuçiq.

Bashkimi Evropian është duke bërë përpjekje të mëdha për fillimin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Ata kanë shtuar presionin ndaj Kosovës për të hequr taksën, në mënyrë që Serbia të pajtohet për kthim në dialog, ndërkohë nuk dihet nëse një dokument i tillë i hartuar nga Thaçi dhe Vuçiq, do të vihet për diskutim në takimin e radhës të nivelit të lartë në Bruksel.

Kryeministri Ramush Haradinaj mbetet i vendosur për vazhdimin e mbajtjes së vendimit për taksën, e nga Bashkimi Evropian thuhet se nëse do të hiqet taksa, do të thirret menjëherë një takim mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel. /GazetaExpress/

Krasniqi: “Unë e shpalla pavarësinë, Thaçi vetëm lexoi një deklaratë”

Tre netët e fundit para shpalljes së pavarësisë, presidenti i asaj kohe, Fatmir Sejdiu, kishte pritur thuajse mëngjesin në zyrë, duke nënshkruar dokumente si kërkesa për njohje që do t’u adresoheshin vendeve të botës.

Krahas kësaj, diskutimet e brendshme ishin të mëdha, se kush do të ishte njeriu i cili do ta lexonte deklaratën e shpalljes së pavarësisë.

Kryetarit të Kuvendit atëkohë, Jakup Krasniqi, ndërkombëtarët i kishin kërkuar që njeriu që do ta lexonte deklaratën të ishte kryeministri, Hashim Thaçi.

Por, Kransiqi, që thotë se ka pasur pak rëndësi se kush e lexoi deklaratën, e konsideron veten si njeriu që shpalli pavarësinë, raporton KTV.

“Pasi është votuar deklarata, unë kam dalë në foltore, dhe kam dhënë rezultatin e votimit. Dhe, si akt i shpalljes së Pavarësisë, do të duhej të merrej ai moment, pas votimit të deklaratës. Dhe jo leximi i deklaratës”.

Njeriu i parë që nënshkroi aktin e pavarësisë, presidenti Fatmir Sejdiu, thotë se 17 shkurti i 2008-s do të mbetet si dita më e rëndësishme në jetën e tij.

Sikurse Krasniqi, edhe Sejdiu thotë se Hashim Thaçi veç e ka lexuar një deklaratë që nënkupton shprehje të vullnetit të popullit, por përgjegjësia kryesore ishte e deputetëve që votuan.

11 vjet pas, Sejdiu thotë se askush nuk mund të ketë mandat të diskutojë për integritetin e sovranitetin, askush në institucione, sipas tij, nuk mund ta ketë fuqinë të kapërcejë Kushtetutën.

Sejdiu ka thënë se Kosova duhet ta ruajë partneritetin me ata që na ndihmuan qysh në ditët e hershme.

Ndërsa, ish-kreu i Kuvendit, Krasniqi, thotë se loja me kufij është e rrezikshme. Ai tha thotë se normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë do të duhej të ndodhte me këta kufij me të cilët Kosova është shpallur shtet 11 më parë.

A është takuar Vuçiq fshehurazi me Thaçin ? Përgjigjet presidenti serb

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi sot se “nuk kishte pasur asnjëherë ndonjë takim sekret me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçin, siç pretendojnë politikanët nga Aleanca për Serbinë”.

Sipas mediave serbe, përcjell Telegrafi, Vuçiq një gjë të tillë e ka thënë gjatë përgjigjes së një pyetje rreth asaj se po komentohet se fshehtazi është takuar Thaçin.

Po sipas mediave, serbe, presidenti serb ka thënë se brengosët për situatën në Kosovë, sepse siç ka thënë ai, “është e qartë se kemi punë me njerëz të papërgjegjshëm, të cilët nuk mendojnë se çdo hedhje e benzinës në zjarr mund të sjellë një katastrofë që askush nuk dëshiron”.

“Ne nuk i kërcënojmë kurrë ata, edhe pse i dëgjojmë çdo ditë kërcënimet e tyre. Vetëm se unë mund të them para jush se – ai që mendon se mund të bashkojë Serbinë, kush mendon se mund të sulmojë serbët do të përballët me përgjigje të fuqishme dhe t’iu lutemi që këtë të mos e bëjnë”, është cituar presidenti i Serbisë. /Telegrafi/