Ramush Haradinaj kthehet nga Haga, thotë se do ta vazhdojë punën

Kryeministri në dorëheqje i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj është rikthyer nga Haga pas intervistimit që pati nga Gjykata Speciale.

Kjo u bë e ditur përmes një shkrimi që ai ka postuar në rrjetet sociale ku ka treguar se që nga nesër do të vazhdoj përsëri me punë.

Tutje, ai tha se kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush dhe se nuk mund të na imponohet një Dodik Republika.

Ai foli edhe për zërat se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes është jo kushtetuese.

Të dashur qytetarë,

Sapo u ktheva nga Haga, e nesër vazhdojmë me punë. Pas dorëheqjes sime kam kryer obligimin ligjor pranë Prokurorisë së Dhomave të Specializuara. Pafajësinë time nuk mund ta vë në pikëpyetje askush. I kthehem obligimeve të mia në Kosovë. Vendimi im për dorëheqje dhe veprimet e mia të fundit janë porosi se çfarëdo abuzimi ndaj Kosovës, që vjen, nuk do të na lëkundë nga e drejta jonë sovrane. Kufijtë e Kosovës nuk guxon t’i prekë askush. Kosovës nuk mund t’i imponohet Dodik Republika. Tregu për njohje po, e taksa deri në njohje. Dialog pa kushte, po menjëherë.

Të dashur qytetarë,

Dëgjoj zëra se kryerja e detyrave qeverisëse pas dorëheqjes, është jo kushtetuese. Si Qeveri në dorëheqje, ashtu siç e kam cekur edhe në vendimin tim për dorëheqje, do t’i kryejë detyrat, se nuk guxoj të lë vakuum qeverisës, sepse Kosova nuk mund t’i bartë pasojat e vakuumit qeverisës. Me respekt për ta, palët që mendojnë ndryshe i ftoj t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese. Çfarëdo që të jetë vendimi i Gjykatës Kushtetuese do ta respektoj.

Na priftë e mbara!

RH

Meta me vajzën e tij viziton Haradinajn në Prishtinë

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, pas dorëheqjes së tij po vazhdon të relaksohet me takime miqësore, por edhe politike që i kontribuojnë vendit tonë.

Derisa ai dje kohën e kaloi pranë familjes së tij, sot Haradinaj në Prishtinë ka mirëpritur presidentin shqiptar, Ilir Meta dhe vajzën e tij, Borën.

Postimi i Haradinajt dhe foto e postuara nga ai:

“Kënaqësi e veçantë të takoj sonte në Prishtinë Presidentin e Shqipërisë, Ilir Meta, bashkë vajzën Borën. Rast i mirë për të këmbyër mendime rreth aktualitetit politik në Kosovë, Shqipëri dhe rajon. Në proceset që po kalon Kosova, angazhimi i përbashkët përballë sfidave e fuqizon faktorin shqiptar”, ka shkruar Haradinaj në një postim të bërë në faqen e tij zyrtare Facebook.

Ndryshe, Haradinaj dha dorëheqje nga posti i tij pas marrjes së ftesës nga Gjykata Speciale, për arsyen e vetme, të intervistohet si qytetar i thjeshtë, e jo si kryeministër i Kosovës.

Reagon Thaçi pas ftesë së Krasiniqit nga Specialja: ‘Sërish do të dalim fitimtarë.’

Sot në mëngjes u bë publik lajmi se edhe ish-eprori i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Jakup Krasniqi, është ftuar nga Gjykata Speciale në Hagë.

Kjo u bë e ditur nga vet Krasniqi në një postim publik në Facebook, raporton Teleshkronja Post.

E me të marrë vesh lajmin, Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar me një status.

Ai shkruan se asnjë gjykatë nuk mund ta gjykojë luftën e pastër të UÇK-së dhe se prapë shokët e tij do të dalin fitimtarë.

Postimi i plotë nga presidenti Thaçi:

Lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë dhe do të mbetet përjetësisht e pastër dhe e drejtë. Asnjë gjykatë, as vendore, as ndërkombëtare, nuk mund ta njollos atë. Me Jakup Krasniqin, me anëtarët e tjerë të Shtabit të Përgjithshëm, komandantët e zonave dhe ushtarët që janë ftuar nga Gjykata Speciale, ne e kemi mbrojtur popullin dhe e kemi luftuar armikun deri në çlirimin e vendit tonë. Si president i vendit, si bashkëluftëtar, e çmoj shumë gatishmërinë e të gjithëve që të bashkëpunojnë me drejtësinë. Duke bashkëpunuar me drejtësinë ndihmojmë që të ngadhënjejë e vërteta për luftën tonë çlirimtare. Jam i bindur që, njëjtë sikurse në të kaluarën, sërish do të dalim fitimtarë. Pastërtia e luftës sonë do të dëshmohet përballë çdo gjykate! HTH

Edhe Jakup Krasniqi ftohet nga Gjykata Speciale në Hagë

Jakup Krasniqi përmes një shkrimi të postuar në Facebook, ka njoftuar opinionin se ka marrë ftesë nga Gjykata Speciale.

Ky është njoftimi i tij përmes Facebookut:

Të nderuar bashkëkombës

Ndihem i obliguar moralisht t’ju njoftoj se kam marr ftesë nga Dhomat e Specializuara të Gjykatës Speciale në Hagë të paraqitem më 24 korrik 2019.

Pavarësisht bindjeve të mia që Gjykata Speciale e ngritur mbi bazën e raportit të Dick Martit, miratuar nga Këshilli i Evropës, i cili fund e krye është sajuar në Beograd me shpifje e gënjeshtra dhe me motiv e qëllim të komprometimit dhe inkriminimit të luftës së drejtë e të pastër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përkundër qëndrimit tim të hapur kritik e kundërshtues për krijimin me presion të kësaj gjykate, unë do të prezantohem në hetuesinë e saj në datën e caktuar në cilëndo cilësi. Me besim në drejtësinë, i bindur se e vërteta është që gjatë luftës në Kosovë, Serbia ka kryer gjenocid, kurse konstruktet e saj monstruoze për UÇK-në do të bien poshtë, unë do të jem atje për të dhënë kontributin tim për ndriçimin e së vërtetës historike.

Megjithatë është fatkeqësi dhe ironi e llojit të vet, që në vend se Serbia të përballet me drejtësinë për krimet kundër njerëzimit dhe gjenocidit, ne duhet të mbrohemi nga akuzat e saj të trilluara, në vend që të gjykohen argumentet dhe provat e pamohueshme dhe të njohura botërisht, drejtësia merret me trille dhe shpifje të ulëta të politikës serbe dhe të shërbimeve të saj sekrete.

Përkundër bindjeve të mia sa i përket kësaj gjykate politike, të krijuar me presion politik nga njerëzit që bartin funksione të larta shtetërore në Kosovë dhe themelimin e saj me votën e atyre deputetëve që ishin numra në Kuvendin e Kosovës, unë do të prezantohem në hetuesinë e Gjykatës Speciale.
Nuk do të jetë hera e parë që dal para hetuesve për të dhënë përgjigje për çështje të sajuara nga pushteti i Serbisë. Ia kam dalë në proceset e hetuesisë jugosllave të viteve tetëdhjetë, siç ia kam dalë me përgjegjësi edhe kur jam ftuar nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi, për rastet e kurdisura në bazë të dosjeve të dorëzuara nga Serbia kundër Fatmir Limajt, Ramush Haradinajt dhe bashkëluftëtarëve të tyre.

Në të dy rastet kam dhënë deklarata në cilësinë e zëdhënësit të UÇK-së, përfaqësuesit të saj politik dhe anëtarit të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së gjatë luftës së viteve 1998-1999. Deklaratat e mia në Gjykatën Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavi janë publike, siç është publik edhe verdikti i kësaj gjykate kur i hodhi si të pabaza të gjitha akuzat kundër Fatmir Limajt dhe Ramush Haradinajt, duke shpallur pafajësinë e tyre.

As kësaj radhe nuk mund të jetë ndryshe.

Bekim Jashari ia kujton fjalët e thëna nga Haradinaj

Kryetari i Komunës së Skenderajt, Bekim Jashari ka komentuar dorëheqjen e kryeministrit Ramush Haradinaj dhe ftesën e Gjykatës Speciale.

Ai ka thënë se lufta dhe liria e një populli kanë heronjtë dhe sakrificën, kanë dhëmbje e vuajtje, shkruan Teleshkronja Post.

Postimi i blotë nga Bekim Jashari në rrjetet sociale :

“Kryeministri ynë, Ramush Haradinaj, i kishte kaluar të gjitha këto. Ka për të kaluar edhe këtë sprovë jo të drejtë dhe gëzimi atëherë do të jetë më madh.

“100 herë me u rrzu, prapë kam me u qu” Ramush Hardinaj.

ZYRTARE: Ramush Haradinaj ftohet në Hagë, jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit

Sot kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar se ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryeministrit të qeverisë së Kosovës.

Kjo vjen pasi Haradinaj është ftuar të jap dëshmi si i dyshuar në Gjykaten Speciale në Hagë, shkruan Teleshkronja Post.

Këtë njoftim e dha vet Haradinaj përmes një postimi në faqen e tij zyrtare në Facebook:

VIDEO: “Burrat qajnë”. Momentet emocionuese kur Haradinaj dorëhiqet

A udhëtoj Kadri Veseli për në Hagë ? Sqarohet

Universiteti i Lubjanës është sot në pushim, ndërsa kryeparlamentari Kadri Veseli, kur mohoi se do të shkojë në Hagë për t’u intervistuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, tha se ka shkruar në kryeqytetin slloven për punë të doktoratës.

Prej vitesh, kryeparlamentari Kadri Veseli është kandidat për doktoratë në Universitetin e Lubjanës.

Ai këtë e ka përdorur edhe sot kur GE raportoi se Veseli, përmes Lubjanës, do të udhëtojë në Hagë, ku do të intervistohet nga Tribuinali Special.

Veseli ka thënë se është në kryeqytetin slloven, dhe atje ka shkruar për punën e studimëve të tij në universitet.

Mirëpo, del që universiteti ku Veseli vijon studimet e doktoratës është sot në pushim.

Në faqen zyrtare të Universitetit të Lubjanës del që ky institucion është në pushim nga 1 deri më 3 maj. Nesër e pasnesër është fundjavë.

Ndërkaq lidhur me udhëtimin misterioz të Veselit ka pasur edhe një prononcim kontradiktor.

Nënkryetari i Kuvendit, Xhavit Haliti kur është pyetur se ku ka shkruar Veseli, ai ka treguar se kryetari i ka thënë se po shkon jashtë vendit për një konferencë.

“Mua më ka thënë që do të shkojë në një konferencë e jo për t’u intervistuar”, tha Haliti për KosovaPress.

Haliti nuk e dinte se për çfarë konference po bëhej fjalë, e as në cilin shtet.

Antari i LDK-së ftohet nga Gjykata Speciale

Pas Blerim Kuçit dhe Agim Kuçit, Gjykata Speciale me seli në Hagë ka ftuar edhe asamblistin e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Komunën e Suharekës, Bashkim Ndrecajn.

Ftesën nga Specialja e ka bërë publike vetë Ndrecaj, duke thënë se do t’i përgjigjet asaj, pasi ai thotë se është ‘obligim qytetar”.

“Sot nga Prokuroria Speciale në Hagë më erdhi një fletëthirrje për t’u paraqitur me datë 21 maj 2019 në dhomat e Specializuara në Hagë. Unë do t’i përgjigjem kësaj ftese sepse e kemi obligim qytetar”, ka shkruar Ndrecaj në një postim në Facebook.

Ai tha se beson në luftën e UÇK-së, më shumë sesa në drejtësi.

“Unë besoj në drejtësi por më shumë besoj në Luftën e drejtë të UÇK-së”, shkroi Ndrecaj, që njëherësh është edhe kryetar i Nëndegës së LDK-së në Shirokë.