Feronikeli vazhdon me fitore, prapë shkëputet në tabelë nga vendi i dytë

Klubi nga Drenasi, KF Feronikeli ka siguruar fitore 3-0, në ndeshjen e xhiros së 22-të, të IPKO Superligës, të zhvilluar ndaj Gjilanit.

Skuadra vendase ishte më e mirë gjatë gjithë takimit, duke shënuar dy gola në pjesën e parë.

Të dyja golat erdhën nga sulmuesi i pandalshëm këtë sezon, Kastriot Rexha, i cili së pari tundi rrjetën e Gjilanit në minutën e 24-të, e më pas për të dyfishuar epërsinë në minutën e 38-të.

Futbollistët shkuan në pushim, me epërsinë 2-0 të Feronikelit, shkruan Teleshkronja Post.

Gjatë pjesës së dytë u shënua edhe një gol tjetër. Mevlan Zeka realizoi për 3-0, duke i dhënë “vulën” kësaj paraqitje të mirë të skuadrës, në minutën e 85-të.

Feronikeli tani ka 52-pikë dhe vazhdon të jetë lider i IPKO Superligës së Kosovës, 5 pikë më shumë se Llapi e Prishtina në poziten e dytë./TeleshkronjaPost/