Deklarata e Challandes për shortin EURO 2020

Selektori i Kombëtares së Kosovës, Bernard Challandes, ka thënë se Kosovës i ka rënë të luajë në një grup të vështirë në kualifikime për Kampionatin Evropian 2020, por paralajmëroi se “Dardanët” nuk dorëzohen.

Kosova mësoi se do të luajë në Grupin A, me Anglinë si bartës të saj dhe shtetin fqinj, Malin e Zi, si dhe me Çekinë e Bullgarinë, transmeton Teleshkronja Post.

Kosova mund të jetë e kënaqur me shortin, duke marrë parasysh se ka mundur të ketë kundërshtarë më të fortë se ekipet që pati fat t’i ketë në grup.

Për dallim nga Anglia dhe Çekia që shihen si kundërshtarë më të fortë, Kosova pritet ta ketë më të lehtë ndaj Bullgarisë dhe Malit të Zi dhe mund të shpresojë për një kualifikim në EURO 2020.

E njeriu që e udhëhoqi Kosovën drejt një fushate shumë të suksesshme në Ligën e Kombeve, duke e promovuar nga Liga D në Ligën C dhe duke ia siguruar një vend në play-off për kualifikime në EURO 2020, Bernard Challandes ka besim se verdhekaltrit mund t’ia dalin edhe këtu.

“Nuk është grup i lehtë, por ne jemi Kosova. Nuk mund të mendojmë se jemi në një grup të lehtë pasi Anglia është skuadër shumë e fortë dhe këtë e dimë.”

“Por me skuadrat e tjera është e mundur, kam besim në ekipin tim, i cili është shumë mirë para ndeshjes me Maqedoninë.”

Në EURO 2020 do të kualifikohen dy ekipet e para nga secili prej 10 grupeve.

Kampanja e kualifikimeve nis xhiron e parë më 21 dhe 23 mars të vitit 2019.

Në rast se Kosova dështon të kualifikohet në Evropian përmes rrugës tradicionale, atëherë do ta ketë një mundësi tjetër, përmes play-offit të Ligës së Kombeve më 2020, ku kundërshtar do ta kishte Maqedoninë./Teleshkronja Post

Sot sytë nga Dublini, Shqipëria dhe Kosova njohin kundërshtarët e Europianit

Sot në Dublin, duke nisur nga ora 12:00 do të hidhet shorti për grupet kualifikuese nga të cilat do të përcaktohen skuadrat që do të shkojnë në Europianin e vitit 2020, që do të luhet në disa shtete të ndryshme të Europës.

Shqipëria, ndryshe nga herët e fundit ka pësuar një rënie dhe tashmë renditet në vazon e katërt, çka do të thotë se do të ketë të paktën 3 kundërshtarë më të fortë se vetja në letër, raporton Teleshkronja Post.

Ndërkohë, Kosova që merr pjesë për herë të parë në eliminatoret e një Europiani, renditet në vazon e pestë pas një edicioni mjaft të mirë në Ligën e Kombeve, ku edhe arriti ta përfundonte e para në grup.

Duke qenë se Shqipëria dhe Kosova janë në vazo të ndryshme, atëherë nuk përjashtohet as mundësi që të dyja skuadrat të jenë në të njëjtin grup kualifikues, gjithmonë nëse Shqipëria nuk shortohet në një grup me Serbinë ose me Bosnje-Hercegovinën, duke qenë se Kosova nuk mund të luajë ndaj këtyre ekipeve, për shkak të problemeve politike.

Kombëtarja Shqipëtare mund të jetë në grup me çdo kundërshtar, duke qenë se nuk ka probleme politike me askënd./Teleshkronja Post