Presidenti Thaçi në Bruksel: ‘BE-ja ta marrë vendimin e vonuar për heqjen e vizave’

I pari i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, me të cilin ka biseduar për situatën politike, për perspektiven evropiane, për liberalizimin e vizave dhe për dialogun.

Thaçi e ka falënderuar presidentin Tusk për mbështetjen që BE-ja i ka dhënë Kosovës në dy dekadat e fundit, njofton kumtesa.

Ai ka theksuar se rajoni po vazhdon të jetë në një ”Status Quo” të vështirë, e cila po ngadalëson shumë procese.

“Zgjidhja e të gjitha mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe një qartësi, dinamikë dhe zotim më i madh i BE-së për perspektiven e vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë përgjigja më e mirë ndaj këtij stagnimi”, tha presidenti Thaçi.

Siç thuhet në njoftim, pas plotësimit të të gjitha kritereve, presidenti Thaçi ka thënë se ngadalësimi i vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është i pakuptimtë dhe i papranueshëm, pavarësisht arsyetimeve të vazhdueshme nga BE-ja dhe shtetet anëtare.

Presidenti Thaçi ka theksuar se Brukseli dhe Perëndimi janë orientimi i vetëm strategjik i Republikës së Kosovës.

Ajo që u vërejt në takim ishte se BE-ja nuk e ka vendosur flamurin e Kosovës, duke ngjallur polmika për mos-respektimin e Kosovës si shtet i pavarur me status të mbyllur./Teleshkronja Post/

Komisioneri Hahn: ‘Shkëmbimi i territoreve mund të diskutohet nëse duan liderët’

Para disa muajve ishte temë tabu dhe goditej rëndë kushdo që e fliste rreth kufijëve. Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johannes Hahn, ka folur rreth një marrëveshjeje të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Z.Johannes Hahn ishte në Washington javën e kaluar për të diskutuar për Lindjen e Mesme, Ukrainën dhe Ballkanin Perëndimor me homologët e tij të SHBA-së.

Në këtë kontekst, siç shkruan “The Washington Post,” ai ka folur edhe rreth marrëveshjes ndërmjet Greqisë dhe asaj që quhet sot Maqedonia Veriore, duke thënë se bashkë, SHBA dhe BE-ja u treguan të suksesshme.

Sipas tij, në luftërat e viteve 1990 dhe pasojat e tyre, Uashingtoni ishte në “vendin e shoferit” në rajon, jo Brukseli. Sot, Hahn tha, e kundërta është e vërtetë. Shtetet e Bashkuara janë shumë mbështetëse për Bashkimin Evropian dhe në rajon, tha ai, duke shtuar, “mendoj se ata janë mjaft të lumtur që ne jemi sot në krye të rajonit”.

Dhe shpresa e Hahn është që zgjidhja e mosmarrëveshjes të emrit të Maqedonisë do të shërbejë si pararendës ndaj zgjidhjeve të konflikteve të tjera, duke përfshirë edhe në dialogun midis Kosovës dhe Serbisë, transmeton “EO”.

Megjithatë, duke folur rreth një marrëveshje të mundshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, përkatësisht rreth mundësisë së “korrigjimit të kufijve”, Hahn theksoi se një marrëveshje ligjërisht detyruese midis dy do të mbulonte fushat përtej kufijve dhe se “një element themelor në një marrëveshje të ardhshme duhet të jetë respektimi i të drejtave të pakicave”.

“Tani për tani, askush nuk mund të parashikojë se çfarë do të ishte një rezultat final”, citohet të ketë thënë ai, duke shtuar se edhe “një shkëmbim i mundshëm i territorit mund të jetë si pjesë e saj – nëse palët dëshirojnë”.

“Parakushti i vetëm që kemi ngritur është se çdo lloj marrëveshje dypalëshe duhet të kontribuojë për më shumë paqe dhe stabilitet në rajon”.

Gjithsesi, një marrëveshje politike që vjen me koston e të tjerëve, tha Hahn, do të ishte e papranueshme për Bashkimin Evropian.

Kjo temë ka ndarë rrugët e liderëve politik në Kosovë, disa duke e kundërshtuar fuqishëm e disa duke e përkrahur./Teleshkronja Post

331 vota për, Parlamenti Evropian jep mbështetje të madhe për liberalizimin e vizave

Parlamenti Evropian ka votuar të enjten për të vazhduar mandatin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ky votim ka qenë pjesë e një hapi ligjor, në mënyrë që të vazhdohet mandati i këtij procesi edhe në kohën e tranzicionit, pasi zgjedhjet në Bashkimin Evropian do të mbahen në muajin maj.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon ka thënë në një postim në Twitter se tani i takon Këshillit Evropian të bëjë punën e tij.

Lajmi është publikuar edhe nga kryeministri Haradinaj.

“Nën lidershipin e eurodeputetes Tanja Fajon – në Parlamentin Europian me 331 vota për, u konfirmua për të dytën herë mandati për fillimin e trialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Një vullnet kaq i fuqishëm politi, që buroi sot nga Parlamenti Europian në Strasburg, rikonfirmon për të disatën herë se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kushtet e parashtruara, siç e ka konfirmuar edhe Komisioni Europian në Bruksel vitin e kaluar.

Është tërësisht e padrejtë, frustruese, dhe e dekurajuese që qytetarëve të Kosovës vazhdon t’u mohohet e drejta e fituar për lëvizje të lirë në Europë.

Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, u bëjmë thirrje kryeqyteteve të shteteve anëtare të Bashkimit Europian, që t’i japin drejtim dhe epilog çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, si e drejtë e fituar dhe e pakontestueshme, tani kur bëhen shtatë vjet nga data kur na është dorëzuar udhërrëfyesi për vizat.

Kosova vazhdon të mbetet e fokusuar në përkushtimin e saj për avansimin e rrugës sonë drejt Bashkimit Europian, dhe u qëndron fuqishëm besnike vlerave dhe parimeve për të cilat jemi zotuar bashkë në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit” shkruan kryeministri në njoftim.

Tanja Fajon kritikon ashpër BE-n, thotë se qytetarëve në Kosovë po iu humbet shpresa

Parlamenti Evropian ka diskutuar të mërkurën rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në mesin e diskutimeve mes përfaqësuesve evropianë ka pasur dallime të qarta në qëndrime rreth regjimit të vizave për Kosovën.

Megjithatë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon ka thënë se Bashkimi Evropian ka dështuar që të realizojë premtimet e tij ndaj Kosovës.

“Rritja e radikalizmit nuk ka të bëjë me kufizimin e udhëtimit sidomos për të rinjtë dhe për qëllime të vizitave. Mirëpo po, rritja e radikalizimit mund të jetë rezultat i izolimit të Kosovës dhe dëshprimit pasi BE-ja ka dështuar të realizojë premtimin e saj”, është shprehur ajo.

Fajon e ka përmendur sërish se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e vëna nga blloku evropian. Përveç kësaj ajo ka thënë se:

“…nëse ju sot thoni se Kosova nuk ka përmbushur obligimet ju thjesht jeni duke gënjyer, jeni duke u treguar të papërgjegjshëm”.

Përveç kësaj raportuesja për Kosovën ka thënë përmes një postimi në Twitter se “Evropa është duke humbur kredibilitetin dhe qytetarët e Kosovës po humbin shpresën”.

Pas këtyre diskutimeve, Parlamenti Evropian pritet të votojë të enjten për hapat e ardhshëm të këtij procesi.

Procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012. Bashkimi Evropian i kishte vënë Kosovës si detyrë të plotësojë 95 kritere për të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian.

Një rekomandim të tillë, Komisioni Evropian e ka bërë në korrik të vitit 2018, ndërkaq në shtator të po atij viti, Parlamenti Evropian kishte votuar në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave nuk e vendosi fare në agjendën e takimit të tyre çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kosova është vendi i vetëm në rajon, qytetarët e së cilës i nënshtrohen regjimit të vizave në zonën Shengen.

Shpërthen Kelemendi, i shan zyrtarët evropian / Foto

Gazetari dhe autori i emisionit “Rubikon,” Adriatik Kelmendi, ka shpërthyer ndaj përfaqësuesve të lartë evropian.

Ai në një postim në rrjetin social “Twitter” akuzon komisionin evropian dhe zyrtarë të saj si Frederica Mogherinin, Johanes Hahn dhe Emanuel Macron për racizëm, shkruan Teleshkronja Post.

Ai shkruan se si po aplikon prap për viza tjera.

Postimi i plotë i Adriatik Kelmendit në “Twitter” :

Zyra e Mogherinit: Marrëveshja Kosovë-Serbi është vonuar, taksa shkaku pse s’ka marrëveshje

Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, e cila është edhe ndërmjetësuese e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thotë se është e gatshme të ftojë menjëherë një takim të nivelit të lartë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel në momentin e parë që hiqet taksa.

Ajo madje thotë se është e gatshme që të mbyllet në një takim pavarësisht se a do të zgjas edhe me muaj të tërë.

Në një intervistë për Gazetën Express, zëdhënësja e Mogherinit, Maja Kocijancic, thotë se derisa nuk hiqet taksa, BE-ja nuk ka ndërmend të bëj ndonjë lëvizje drejt një takimi Thaçi-Vuçiq.

Zyrtarja e BE-së ka përsëritur edhe një herë kërkesën e Brukselit që urgjentisht të hiqet vendimi për taksën, me qëllim të vazhdimit të dialogut që do të dërgojë drejt një marrëveshje historike, ligjërisht të obligueshme në pajtim më të drejtën ndërkombëtare.

Sipas saj, dialogu është rruga e vetme për të ecur drejt marrëveshjes, dhe shton se këtë rrugë tashmë e ka vështirësuar vendimi i Haradinajt për taksë ndaj Serbisë e Bosnjës.

Sa i përket Platformës së Prishtinës, Maja Kocijancic ka përsëritur edhe një herë qëndrimin e Brukselit se nuk i komenton qëndrimet e palëve në dialog.

E pyetur se pse 2019-a po cilësohet si vit i marrëveshjes, Mogherini nuk ka pasur një sqarim, vetëm ka treguar për thirrjet e vazhdueshme që janë bërë nga të gjitha instancat e Bashkimit Evropian që të shfrytëzohet momenti i krijuar për të arritur një marrëveshje finale dhe historike ndërmjet dy shteteve.

Sipas saj duhet të vendoset paqe dhe stabilitet në rajon, prandaj një zgjidhje e problemit Kosovë-Serbi është diçka që duhet të ndodh urgjentisht, pasi një marrëveshje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit është vonuar.

Megjithatë ndërmjetësuesja Mogherini, ka hezituar që të përgjigjet në disa prej pyetjeve të Gazetës Express.

Kocijancic nuk e ka thënë asnjë kur është pyetur rreth deklarimeve të presidentit Hashim Thaçi se do të tentojë të ndryshojë edhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, në shërbim të idesë së tij për bashkimin e Luginës së Preshevës me Kosovën, në kuadër të synimi të tij për korrigjim të kufijve.

Përveç kësaj BE-ja nuk ka pasur përgjigje edhe në pyetjen tjetër nëse e konsideron si lëvizje të gabueshme shkuarjen në zgjedhje të parakohshme pa e hequr vendimin për taksën.

Vlenë të theksohet se Gazeta Express disa nga pyetjet ia ka drejtuar përfaqësueses së zyrës së BE-së në Kosovës, Natalya Apostolova, por për shkak të natyrës së tyre, nga kjo zyrë është thënë që për to më mirë të përgjigjet Federica Mogherini.

Si përfaqësuese e Zyrës së BE-së në Kosovë, a pranoni të ftoni ndonjë takim me liderët e shtetit, për të diskutuar rreth situatës aktuale politike, me qëllim të zhbllokimit të saj?

Krerët e institucioneve, më saktësisht kryeministri Ramush Haradinaj, ka thënë që është i gatshëm menjëherë t’iu kthehet bisedimeve të Brukselit, megjithatë sipas tij Serbia është duke e penguar vazhdimin e dialogut, duke thënë se nuk kthehet në dialog pa e pezulluar taksën. Sipas Haradinajt, këto dy gjëra nuk kanë ndërlidhje mes vete (taksa dhe dialogu). Ju znj. Apostolova duke parë këtë, a mendoni që Serbia po e shfrytëzon këtë situatë për të parandaluar vazhdimin e dialogut. Pasi që taksa është vendosur si një kundërpërgjigje ndaj agresionit të Serbisë kundër shtetësisë së Kosovës, dhe ju nuk keni bërë asnjëherë presion ndaj Serbisë për të ndalur fushatën e egër kundër shtetësisë së Kosovës, siç po i bëni tani presion Kosovës për taksën ?

Maja Kocijancic: Sa i përket zhvillimeve të fundit: Bashkimi Evropian ka parë që kuvendi i ka miratuar Ligjin për Dialogun dhe Platformën për Dialogun. Si ndërmjetës, Bashkimi Evropian nuk jep komente për qëndrime individuale të palëve në dialog. Negociatat janë mënyra e vetme për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare. Bashkimi Evropian rithekson që dialogu është rruga e vetme për të ecur përpara dhe ai është në interesin e qytetarëve në Kosovë dhe Serbi dhe për rajonin në tërësi.

Vendimi i autoriteteve të Kosovës në nëntor të vitit të kaluar për të vendosur taksa për mallrat e importuara nga Bosnja e Hercegovina dhe Serbia nuk ka ndihmuar për ta krijuar mjedisin e nevojshëm që dialogu të vazhdojë. Ashtu siç është përsëritur nga BE-ja, SHBA-ja dhe të tjerët, ne e ritheksojmë thirrjen tonë ndaj qeverisë së Kosovës për ta pezulluar menjëherë këtë taksë në mënyrë që të mundësohet vazhdimi i menjëhershëm i dialogut.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë që në zemër të marrëveshjes finale ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të jetë njohja reciproke [Serbia të njohë pavarësinë e Republikës së Kosovës]. A është edhe ky qëllimi i BE-së, si ndërmjetësues i dialogut?

Maja Kocijancic: Fokusi ynë është puna e vazhdueshme brenda dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, i cili ndërmjetësohet nga përfaqësuesja e lartë/zënvendëspresidentja e BE-së dhe i cili pritet të intensifikohet pas pezullimit të taksës.Puna po vazhdon për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme lidhur me normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve që do ta siguronte një zgjidhje afatgjate për çështjet më të rëndësishme – një zgjidhje të zbatueshme, të qëndrueshme dhe reale, e cila mbështetet në marrëveshje të dyanshme, që është në vijë me ligjet ndërkombëtare dhe evropiane dhe e cila është e pranueshme për shtetet anëtare të BE-së dhe rajonin. Një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht e obligueshme për të gjitha çështjet e hapura është urgjente dhe jetike për Serbinë dhe Kosovën për të përparuar në rrugën e tyre evropiane dhe për stabilitetin e paqen në rajon.

Të gjithë në Bashkimin Evropian po e thonë se viti 2019 është momentum për arritjen e një marrëveshje finale, dhe një moment I tillë duhet shfrytëzohet, megjithatë askush nuk e jep të paktën një arsye se pse viti 2019 po konsiderohet viti i një marrëveshje finale.Cili është shpjegimi juaj për këtë ?

Maja Kocijancic: Status quo-ja nuk është opsion as për Serbinë, as për Kosovën. Marrëveshja gjithëpërfshirëse në fakt është vonuar. Presidenti i Këshillit Evropian, presidenti i Komisionit Evropian, përfaqësuesja e lartë, komisioneri Hahn, Komisioni si tërësi dhe të gjitha shtetet anëtare të BE-së e kanë përsëritur përmes shumë instancave mbështetjen e tyre për arritjen e një marrëveshjeje. Ne i inkurajojmë palët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje të gjatë përmes arritjes së një marrëveshjeje historike. Marrëveshja ligjërisht e obligueshme dhe gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve lidhur me të gjitha çështjet e hapura është në dobi të popujve dhe do të kontribuojë për paqen dhe stabilitetin në rajon si dhe do të jetë ndihmë për Serbinë dhe Kosovën për të përparuar drejt BE-së, për këtë arsye ajo është jetike dhe urgjente.

Pyetjet në vazhdim i janë dërguar drejtpërdrejtë zyrës së Mogherinit:

A konsideroni se shkuarja në zgjedhje të parakohshme pa e pezulluar taksën mund të jetë një gabim i madh që mund ta mbaj dialogun të bllokuar edhe për dy apo tre muaj? Cila është thirrja e BE-së për partitë politike në Kosovë?

Maja Kocijancic: Porosia jonë është e qartë: Status quo-ja nuk është opsion as për Serbinë, as për Kosovën. Marrëveshja gjithëpërfshirëse në fakt është vonuar. Presidenti i Këshillit Evropian, presidenti i Komisionit Evropian, përfaqësuesja e lartë, komisioneri Hahn, Komisioni si tërësi dhe të gjitha shtetet anëtare të BE-së e kanë përsëritur përmes shumë instancave mbështetjen e tyre për arritjen e një marrëveshjeje. Ne i inkurajojmë palët që ta shfrytëzojnë këtë mundësi për ta zgjidhur këtë mosmarrëveshje të gjatë përmes arritjes së një marrëveshjeje historike.

Siç ka thënë përfaqësuesja e lartë/zëvendës presidentja e BE-së, Mogherini, në Këshillin për Punë të Jashtme në muajin shkurt, rundet e dialogut nuk “ndodhin”. Unë i mbledh ata, por nuk do t’i mblidhja për një seancë tjetër të dialogut deri të plotësohen kushtet. Që të plotësohen kushtet, pres që autoritetet e Kosovës ta tërheqin, ta pezullojnë ose ta anulojnë vendimin për taksë 100 për qind ndaj mallrave nga Serbia dhe nga Bosnja e Hercegovina. Deri atëherë, nuk shoh që ka kushte për një rund të ri dhe të suksesshëm të bisedimeve në dialog.

Duke e pasur parasysh këtë, në çastin që kushtet të plotësohen, jam e gatshme që jo vetëm ta thërras një takim të nivelit të lartë në dialog mëngjesin e ardhshëm, por edhe të mbyllemi për aq kohë sa është e nevojshme, qoftë një javë, një muaj ose tre muaj. Jam e sigurt se mund të përfitojmë në mënyrë të dobishme nga një mjedis pozitiv, nëse arrihet diçka e tillë, për ta arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme për normalizim të plotë të marrëdhënieve mes Beogradit dhe Prishtinës. Sidoqoftë, unë pres që të plotësohen kushtet e duhura dhe se deri tash nuk kam parë lëvizje në këtë drejtim.

“Republika e Kosovës nuk ka pretendime territoriale ndaj asnjë shteti ose pjese të ndonjë shteti dhe nuk do të kërkojë të bashkohet me asnjë shtet ose pjesë të ndonjë shteti”, tha ajo.

A e konsideroni ndryshimin e kësaj pike të Kushtetutës si një veprim të rrezikshëm që do të bëjë Kosovën një shtet që edhe përmes Kushtetutës tregon se ka pretendimet territorial ndaj shteteve të tjera ?

Maja Kocijancic: Fokusi ynë është puna e vazhdueshme brenda dialogut mes Beogradit dhe Prishtinës, i cili ndërmjetësohet nga përfaqësuesja e lartë/zënvendëspresidentja e BE-së dhe i cili duhet të intensifikohet pas pezullimit të taksës. Lexoni çfarë ka thënë përfaqësuesja e lartë e BE-së më 18 shkurt në Këshillim për Punë të Jashtme: EU High Representative said on the 18/02 Foreign Affairs Council

Puna po vazhdon për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme lidhur me normalizimin gjithëpërfshirës të marrëdhënieve që do ta siguronin një zgjidhje afatgjate për çështjet më të rëndësishme – një zgjidhje të zbatueshme, të qëndrueshme dhe reale, e cila mbështetet në marrëveshje të dyanshme dhe që është në vijë me ligjet ndërkombëtare dhe evropiane dhe e cila është e pranueshme për shtetet anëtare të BE-së.

Marrëveshja gjithëpërfshirëse dhe ligërisht e obligueshme për normalizim të marrëdhënieve për të gjitha çështjet e hapura është urgjente dhe jetike për Serbinë dhe Kosovën për të përparuar në rrugën drejt BE-së si dhe për stabilitetin dhe paqen në rajon.

8 shkolla të Drenasit përfitojnë projekte nga Zyra e BE-së për Arsim

8 shkolla të Drenasit përfitojnë projekte nga Zyra e BE-së për Arsim

Komuna e Drenasit, përkatësisht Drejtoria Komunale e Arsimit, ka fituar projektin “Përmirësimi i Ngritjes së Kapaciteteve për Zhvillimin Profesional të Mësimdhënësve” në nivelin arsimor 0 dhe 1, klasa përgatitore deri në klasës e pestë, i fincnaur nga Zyra e BE-së për Arsim.

Në garë për përfitim të këtij projekti kanë qenë gjitha Komunat e Republikës së Kosovës, kur prej tyre janë zgjedhur 10 Komuna, nder to edhe Komuna e Drenasit.

Përfituese janë tetë (8) shkollat e Komunës së Drenasit, të cilat do të jenë pjesë e implementimit të këtij projekti për mbështetjen e mësimdhënësve. Mësimdhënësit e nivelit të klasës përgatitore dhe fillore do të mbështeten me trajnime me bazë në shkollë, për zhvillimin profesional të mësimdhënësve.

Shkollat përfituese të projektit në Drenas janë; SHFMU “Rasim Kiçina” në Drenas, SHFMU “Arif Shala” në Korroticë të Ulët, SHFMU “7 Marsi” në Kizhnarekë, SHFMU “Rilindja” në Dobroshec, SHFMU “Abedin Bujupi” në Arllat, SHFMU “Halil Bajraktari” në Drenasin II, SHFMU “Ali Gashi” në Çikatovë të re dhe SHFMU “Shaban Polluzha” Korroticë e Lartë.

Sot është mbajtur punëtoria e parë në Qendrën e Trajnimeve “Halil Bajraktari”, ku udhëheqës i ekipit të projektit ishte nga Zyra e BE-së për Arsim, Michael Lightfoot, Jehona Xhaferi eksperte për arsim dhe prezantuese e projektit, ekipi për mbështetje të mësimdhënësve në nivel të DKA-së, Laura Vrellaku – Pasjaqa udhëheqëse e epikit profesional, Drita Curri anëtare, Syzan Bytyqi anëtare, Valbonë Krasniqi anëtare, Arsim Berisha anëtar, Valedete Berisha anëtare, Valbonë Tahiraj anëtare, Drilon Krasniqi anëtar, Arsim Avdyli anëtar dhe Elhami Isufi anëtar.

Përfaqësuesi nga BE-ja, Lightoof, ka përgëzuar Komunën e Drenasit për fazën e parë të realizimit të këtij projekti, ku qysh në punëtorinë e parë kanë treguar profesionalizëm pjesëmarrësit dhe që i prinë në 10 Komunat e Kosovës.

Një gazetë gjermane publikon datën e nënshkrimit të marrëveshjes Kosovë-Serbi

Gazeta e përditshme gjermane “Frankfurter Rundschau” ka shkruar për detajet e një dokumenti në të cilën SHBA dhe Bashkimi Evropian kanë shkruar marrëveshjen finale mes Kosovës dhe Serbisë.

Mediumi gjerman në artikullin e saj shkruan se çka do të ndodhë me Trepçën dhe Liqenin e Ujmanit ndërsa zbulon datën kur kjo marrëveshje nënshkruhet.

“Frankfurter Rundschau” shkruan se ndarja mes Kosovës dhe Serbisë në vija etnike është marrëveshje e përkrahur nga Shtetet e Bashkruara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian, megjithatë thuhet se implementimi i këtij plani mund të jetë një rrezik i madh.

Duke cituar komisionerin për zgjerim të BE’së dhe fqinjësi të mirë, Johnnes Hahn, Gazeta gjermane shkruan se është rritur presioni ndaj Kosovës dhe Serbisë për të arritur marrëveshje.

Presidenti serb Aleksander Vuçiq, ka thënë në një konferencë në Mynih të Gjermanisë, javën e kaluar se demarkimi i kufijve duhet të mbetet në tavolinën e diskutimeve.

Gazeta gjermane citon një dokument që paraqet skicën se si do të duket marrëveshja mes Kosovës e Serbisë, për çka palët janë akoma në bisedime.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikën, me ardhjen e Administratës Trump kanë ndryshuar 180 shkallë qëndrimin për llojin e marrëveshjes mes Kosovës e Serbisë”, shkruan FR, transmeton Teleshkronja Post.

Sipas kësaj marrëveshjeje 17-pikëshe, qyteti i Mitrovicës do ta marrë një status të veçantë, me ç’rast ujësjellësi i Gazivodës dhe miniera e Trepçës do të privatizohen për 99 vjet nga përfaqësuesit e Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Rusia, Kina dhe Franca), transmeton Gazeta Express.

Në marrëveshje hyn edhe ndërtimi i bazës ajrore të NATO’s në Kuçovë dhe baza detare në Vlorë. Gjithashtu autostrada nëpër Serbi, që quhet Korridori i 10-të, planifikohet të futet në protektorat ndërkombëtar.

Sipas gazetës, marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të nënshkruhet me 12 qershor të 2019’ës në Uashington, ashtu siç kishte paralajmëruar presidenti amerikan, Donald Trump.

Ndërkaq, politikania serbe nga Kosova Rada Trajkoviq citohet në shkrim duke thënë se shkëmbimi i territoreve do të ishte zgjidhja më e keqe e përkrahur nga Bashkimi Evropian. Sipas saj, kjo do të ngjallte frikë për serbët në zona të tjera të Kosovës se do të shkëputeshin komplet nga Serbia.
Marrë tek: GE