Dështon projekti i Bahtirit për Mitrovicën ?

Gati një muaj më parë, kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri, deponoi në Kuvend peticionin me rreth 17 mijë nënshkrime të qytetarëve për bashkimin e Mitrovicës së Jugut me atë të veriut, por i njëjti ende nuk është trajtuar në Komisionin për Peticione në Kuvend.

Anëtarë të këtij komisioni thonë se kjo çështje tejkalon kapacitetet e komisionit, meqë është temë më serioze sesa kaq, raporton KTV.

Lirie Kajtazi nga LDK-ja, ka thënë se, në shumicën e rasteve, peticionet kanë shërbyer si mjet i politikës ditore e nuk e kanë pasur qasjen e duhur.

Ajo tha se ata që i udhëheqin peticionet, pasi të arrijnë një efekt politik të subjektit, i lënë edhe vetë në harresë ato.

Ndërkohë, Teuta Haxhiu tha se është interesuar të dijë për fatin e këtij peticioni, derisa administrata i ka thënë se ka shkuar në qeveri për një mendim.

Ajo uron që ndjenja e brendshme për Mitrovicën e bashkuar të mos jetë eufori.

Televizioni ka pyetur Qeverinë e Kosovës nëse peticioni është në qeveri për një mendim, por kanë thënë se kjo çështje i takon vetëm Kuvendit.

Kreu i Mitrovicës, Agim Bahtiri, është shprehur i sigurt që Mitrovica do të bashkohet brenda këtij viti.

Ai ka qenë edhe më i ashpër në deklarimet e fundit, duke thënë se, nëse preket Mitrovica, do të ketë luftë.

Për bashkimin e këtij qyteti, kryetari Bahtiri e gëzon mbështetjen e presidentit Hashim Thaçi e kryeparlamentarit Kadri Veseli.

Bahtiri godet gjithë ata që nuk e përkrahin bashkimin e Mitrovicës

Kryetari i Mitrovicës jugore, Agim Bahtiri, beson që misioni i tij për bashkimin e Mitrovicës do të realizohet këtë vit.

Kryetari i Mitrovicës së Jugut, që mori mbështetje nga rreth 17 mijë qytetarë në idenë e tij për bashkim, thotë se Mitrovica do të bashkohet sivjet, raporton KTV.

“Nuk dua të jap afate, por besoj që Mitrovica bashkohet këtë vit”, ka thënë Bahtiri.

Bahtiri, i cili mori mbështetje edhe nga presidenti, thotë se me kryeministrin Ramush Haradinaj nuk ka folur direkt, por mbështetje ka marrë nga vëllai i tij, deputeti Daut Haradinaj, si dhe nga të gjithë kolegët e tij kryetarë komunash që vijnë nga AAK-ja.

U ka tërhequr vërejtjen vendorëve e ndërkombëtarëve që t’i mbajnë larg duart nga Mitrovica.

Bahtiri ka bërë thirrje që Kuvendi të ecë tutje me peticionin, e për bashkimin e Mitrovicës është i bindur se nuk ka nevojë fare për votat e Listës Serbe.

“Mezi po pres me ju pa fytyrat atyre në Kuvend që do të votonin kundër”, ka thënë më tej Bahtiri.

Por, qytetarët e Mitrovicës nuk janë aq optimistë sa Bahtiri.

Derisa mbështetje iniciativës së Bahtirit i ka dhënë presidenti Hashim Thaci, deputeti i Vetëvendosjes, Liburn Aliu, këtë e ka quajtur vetëm lojë politike.

Ai tha se do t’i japin mbështetje peticionit të qytetarëve që tash është në Kuvend, megjithëse thotë se ka vështirësi në realizim.

Rreth kësaj çështjeje nuk ka dashur të komentojnë Presidenca dhe Qeveria e Kosovës.

Bashkimi i Komunës së Mitrovicës së Jugut me atë të Veriut nuk mund të ndodhë pa miratimin e Listës Serbe.

Me kushtetutë përcaktohet se ndryshimi i kufijve komunalë është legjislacion me interes vital, që kërkon edhe shumicën e votës së deputetëve të komuniteteve pakicë.

Thaçi e përkrahë zyrtarisht Bahtirin për bashkimin e Mitrovicës

Agim Bahtiri para pak javësh, pas dorëheqjes së katër kryetarëve të komunave me shumicë serbe, e nisi peticionin për bashkimin e Mitrovicës.

Në fillim askush nuk e përkrahu edhe pse Bahtiri thoshte se e ka përkrahjen e kryeministrit, kryeparlamentarit dhe presidentit.

Por siç duket tash Bahtiri edhe zyrtarisht e ka një përkrahje nga lideri i shtetit, presidenti Thaçi, raporton Teleshkronja Post.

Madje Thaçi sot në një postim në Facebook ka kërkuar që edhe institucionet tjera ta përkrahin iniciativen për bashkimin e Mitrovicës.

“Bashkimi i qytetit të Mitrovicës është proces i pandalshëm. Në takim me kryetarin Bahtiri konstatuam se qytetarët e Mitrovicës e kanë thënë fjalën e tyre. Tani e kanë radhën të veprojnë institucionet: Qeveria, Kuvendi dhe Presidenca,” shkruan Thaçi.

Kështu sipas shkrimit të Thaçit, tash edhe qeveria dhe institucionet tjera të shtetit duhet ta mbështesin inicativen e Bahtirit, duke aluduar tek kryeministri./Teleshkronja Post/

Agim Bahtiri: Nëse Amerika më thotë rrëzoje shtëpinë, e bëj

Agim Bahtiri është tash e disa javë ka qenë një nga kryetemat e politikës.

Ai ishte i ftuar në emisionin DPT te Fidani për ta spjeguar detajish planin për bashkimin e Mitrovicës, shkruan Teleshkronja Post.

Gjatë intervistes ai thoshte se Amerika është ajo që jep urdhëra pasi është shteti më i fuqishëm në botë.

Madje thoshte se nëse Amerika më thotë rrëzoje shtëpinë, e bëj.

“Amerika është baba, Amerika më thotë rrëzoje shtëpinë, e bëj, nëse më thotë rrënoje gjith pasurinë do ta bëj.”

“Ata nuk kanë plane vetëm për Kosovën, ata sistemojnë gjithë botën, Amerika është baba këtu.”