Zyrtare: Zvogëlohet Superliga e Kosovës

Federata e Futbollit e Kosovës ka mbajtur sot Kuvendin e Rregullt të Punës, ku u prezantua gjithçka që është bërë në periudhën 2018/2019.

Kuvendi i Punës i FFK-së mori vendim që nga stinori 2020/2021, Superliga të ketë vetëm 10 skuadra.

Një gjë e tillë erdhi për të rritur konkurrencën dhe cilësinë mes skuadrave garuese.

Delegatët e kuvendit, 54 që ishin të pranishëm nga 48 të mundshëm, e votuan njëzëri këtë propozim.

Nga sistemi aktual, dy skuadra do të eliminohen për t’iu përshtatur sistemit të ri nga vjeshta e vitit 2020.

“Të gjitha regjionet dhe të gjitha klubet kanë pranuar që të bëhet Superliga me 10 ekipe”, ka deklaruar për mediat pas Kuvendit, Agim Ademi.

Në këtë Kuvend është vendosur që gruas së presidentit të ndjerë, Fadil Vokrri, t’i ndahet një pagë mujore për gjithë jetën, që do të marrë nga FFK-ja.

Ademi: Do të aplikojmë në UEFA, për të organizuar… së bashku me Shqipërinë!

Agim Ademi shpreson që në një të ardhme të afërt, Kosova të jetë në gjendje të organizojë ndonjë ngjarje të madhe në sport.

Në një intervistë për RTK-në, numri një i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, ka thënë se Kosova do të tentojë të aplikojë në një të ardhme të afërt në UEFA për të marrë organizimin e ndonjë evenimenti madhor.

Ai synon që këtë ta bëjë së bashku me Shqipërinë, Maqedoninë dhe eventualisht edhe Malin e Zi.

“Në një të ardhme planifikojmë të aplikojmë në UEFA-n për të marrë organizimin e ndonjë ngjarje të madhe në Kosovë, Shqipëri, Maqedoni dhe eventualisht edhe në Mal të Zi”, u shpreh Ademi.

Këto komente i bëri Ademi duke shpresuar që kryetari i Federatës së Maqedonisë të zgjidhet shqiptar në zgjedhjet që do të mbahen pas pak ditësh.