Si të rriten pagat për të gjithë dhe të gjithë të jetojmë të lumtur?

Para për gjithë këto rritje pagash, thjesht, nuk ka. Në këtë mënyrë duhet bërë një ristartim të situatës, nga koha para vendimit për rritje pagash për Qeverinë dhe e gjithë kjo të shihet si një leksion se si nuk duhet të veprohet në raste të këtilla

BUKUR E SAKTË, nëse nuk do të ndodhte rritja prej rreth 100 për qind e pagave të kryeministrit dhe anëtarëve të tjerë të Qeverisë, më të relaksuar do të ishin edhe mësimdhënësit, por edhe profesionistët e tjerë, të cilët sot ose janë në grevë, ose paralajmërojnë greva.

Se pastaj kalohet në një rrafsh tjetër, kur individi e percepton atë si anashkalim, si denigrim profesional, si përbuzje njerëzore.
Qeverisë tash i ka mbetur që ta tërheqë vendimin për rritjen e pagave vetvetes, ta rishqyrtojë përmbajtjen e Projektligjit për nivelimin e pagave në sektorin publik, ose t’i gjejë paratë për paga të dinjitetshme për të gjithë profesionistët.
Se, përfundimisht, s’ka pse dikush të jetë i privilegjuar vetëm se mund të vendosë vetë për buxhetin, e të tjerët t’i vuajnë pasojat.

Mirëpo, duke i ditur mundësitë modeste buxhetore të Republikës për të bërë rritje kaq të ndjeshme të pagave në kaq shumë sektorë, bashkë edhe me shpenzimet e tjera bukur megalomane të deritashme të Qeverisë, rrezik që të bankrotojë edhe shteti.

Pra, para për gjithë këto rritje pagash nuk ka. Në këtë mënyrë duhet bërë një ristartim të situatës, nga koha para vendimit për rritje pagash për Qeverinë, dhe e gjithë kjo të shihet si një leksion se si nuk duhet të veprohet në raste të këtilla.

E SAKTË është edhe tjetra – nuk kanë qenë të dinjitetshme deri më tash pagat e kabinetit qeveritar, duke pasur parasysh se shpesh ka pasur raste kur këshilltarët e kryeministrit dhe të ministrave kanë marrë pagë më të madhe sesa vetë bartësit e funksioneve. Mirëpo, s’mund të nënshkruash memorandum mirëkuptimi me sindikatat e arsimit në fushatë parazgjedhore për rritje prej 30 për qind, e pastaj brenda katër muajve të parë të qeverisjes t’ia rritësh pagën vetes 100 për qind, kurse mësimdhënësve t’iu thuash se do t’iu rritet brenda mandatit qeverisës katërvjeçar.

Në anën tjetër, duhet shikuar edhe kontekstin në të cilin ndodhet Kosova. Krahasuar me rajonin, paga e kryeministrit të Kosovës rezulton dukshëm më e madhja në rajon, kurse paga mesatare në Kosovë është e dyta më e ulëta në rajon. Kryeministri i Kosovës sot merr gati trefish më shumë se kryeministrat e Serbisë dhe të Malit të Zi, rreth dyfish më shumë se ata të Bosnjës dhe të Shqipërisë.

Ndërkohë, mund të jetë politikë e një qeverie që të rriten pagat në të gjithë sektorët, nëse këtë e arrin pa shkurtesa në linja të tjera buxhetore të nevojshme për funksionimin e shtetit dhe mirëqenien e qytetarëve. Por kjo gjithsesi do të duhej të shoqërohej me sens të kujdesit ndaj sektorëve. Edhe nëse është vlerësuar se Qeveria meriton rritje dyfish të pagave, kjo do të duhej të ndodhte me një dinamikë rritjesh katërvjeçare, krahas sektorëve të tjerë në nevojë. Që do të thotë, jo ministrat, gjykatësit e prokurorët me një vendim rreth 100 për qind, e të tjerët as 10 për qind.

KA EDHE DISA shkaqe të tjera për brengosje në këtë episod. Nëse dikush do ta bënte një anketë ku do të shtrohej pyetja se çka asocion shkurtesa SBASHK, sigurisht se shumica do të përgjigjej – në para. Kjo për arsyen se në rastet më të shpeshta kur është folur për Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, është folur për kërkesat e tyre për rritje pagash. Sakaq, po të krahasohen pagat edhe të mësimdhënësve kosovarë me pagat e mësimdhënësve në shtetet e rajonit, nuk është se dalin aq keq.

Sidoqoftë, patjetër se fillimisht duhet nënvizuar se një ndër arritjet më të mëdha të rezistencës së shqiptarëve të Kosovës ndaj okupimit të Serbisë ka qenë organizimi i shkollës paralele shqipe gjatë viteve ’90. Ata mësues e arsimtarë që punonin pa paga dhe në ambiente çnjerëzore janë shtylla kurrizore e shtetit që e kemi sot, sepse me asnjë kusht nuk lejonin që fëmijët të mbesnin pa shkollim.

Çka po ndodh tash? Pse nuk po gjenden mënyra të tjera të shtruarjes së kërkesave, por vetëm duke bërë që fëmijët të humbin mësimin?! Secili mësimdhënës do të duhej ta kishte parasysh se profesioni i tij/saj megjithatë ka një dozë altruizmi brenda vetes, se nuk bëhet vetëm për të marrë një pagë, por edhe për të ngritur ata që do të jenë e ardhmja.

Mund të jetë i qartë frustrimi për pagat, por s’ka se si të arsyetohet loja me pjesën më vitale të popullit, fëmijët, duke i përdorur si shantazh.

E kam shkruar edhe në një rast tjetër, por do të ishte shumë më e kuptueshme kërkesa e tyre e vazhdueshme për rritje pagash, sikur ta kishim parë SBASHK-un, ose edhe organizime të tjera mësimdhënësish, për përparimin e mbarësishëm të arsimit në vend.

Ndoshta nuk do të ishte keq që SBASHK-u, ndonjëherë, të shikonte se sa paguhen mësimdhënësit me orët e angazhimit që bëjnë krahasuar me punëtorët e tjerë të sektorit publik.

Nuk do të ishte keq që SBASHK-u, ndonjëherë, të organizonte konferenca e seminare për të ngritur cilësinë e mësimdhënies në shkolla, duke parë se me nivelet ndërkombëtare të vlerësimit të dijes shkollore nxënësit kosovarë gjithnjë renditen nga fundi i tabelave evropiane.

Nuk do të ishte keq që SBASHK-u, ndonjëherë, të denonconte në Inspektorat të Arsimit fenomenin e tmerrshëm antiligjor dhe thellësisht korruptues të mësimdhënësve të shumtë, të cilët i thërrasin nxënësit e vet t’iu mbajnë kurse me pagesë, për leksionet të cilat në fakt do të duhej t’iu jepnin në shkolla.

Vazhdon të jetë shokues numri i madh i rasteve kur nxënësit janë të shantazhuar nga mësimdhënësit e tyre që të paguajnë për kurse private nëpër shtëpi, në mënyrë që ta marrin notën e lartë ose ta kalojnë lëndën. Dhe më e keqja këtu është se këto veprime të çoroditura – duke shfrytëzuar në raste edhe injorancën e prindërve – bëhen me një lehtësi të padurueshme dhe pa ndjenjën e të bërit diçka thellësisht të dënueshme në çdo aspekt etik, moral e ligjor.

E para, është kundër etikës që të krijosh rrethana për të fituar para shtesë nga mësimdhënia, kur për këtë punë ke pagën të cilën ta paguan shteti.

E dyta, është krejtësisht e pamoralshme dhe e sëmurë ideja që të thirren nxënësit e moshës së mitur në shtëpitë private të mësimdhënësve.

E treta, është e kundërligjshme të ushtrohet aktivitet fitimprurës nëpër shtëpi private dhe pa paguar taksa në fitimin e mbledhur.

Dhe e katërta, e ndoshta edhe më e rëndësishmja, është se çfarë shembulli dhe çka po i mësojmë brezat e rinj me këto veprime thellësisht zvetënuese nga ata që, bashkë me prindërit, do të duhej të ishin udhërrëfyes i tyre në jetë?

A do të mundë të protestonte SBASHK-u edhe për këto?

THËNË TË GJITHA këto, s’ka se si të mos ndalemi edhe te një kundërmim lojërash politike që po ndihet në këtë grevë. Me vetë faktin që vetëm kryetarët e komunave që udhëhiqen nga AAK-ja, pra partia së cilës i takon kryeministri, kanë bërë thirrje që të fillojë mësimi nëpër shkolla pas rritjes së propozuar prej 10 për qind, ngjall dyshimin se partitë e tjera të koalicionit në mënyrë të heshtur po e sabotojnë kryeministrin. Do të ishte normale sikur së paku edhe kryetarët që vijnë nga PDK-ja dhe NSD-ja, si pjesë e koalicionit, të kishin mobilizim për këtë. Shto këtu edhe deklaratat thumbuese të presidentit lidhur me grevat dhe situata bëhet bukur e qartë.

Loading...
Loading...