Selektori i ri i kombëtares Kuq e Zi, Edi Reja bëri plot 6 ndryshime në krahasim me ndeshjen me Francën dhe Shqipëria e tij ia doli të marrë 3 pikët ndaj Islandës, falë një fitoreje të vuajtur me rezultatin 4-2, që u komplikua kryesisht nga gabimet e tanëve.

Kuqezinjtë e nisën mjaft mirë sfidën dhe morën kontrollin e saj, duke qarkulluar topin, por pa arritur të kërcënojnë rrezikshëm kuadratin e islandezëve, që nga ana tjetër mbroheshin me forca të shumta dhe tentonin të dalin në kundërsulm.

Sfida u zhbllokua në minutën e 32-të, kur djemtë e Edi Rejas, me protagonistë Baren dhe Memushajn, ekzekutuan një skemë nga goditja e këndit dhe vlonjati gjeti saktë në zonë Dermakun, i cili kërceu fort dhe gjuajti topin drejt rrjetës.

Minuta të mira për kuqezinjtë më pas, që arritën të shtyjnë përpara në kërkim të golit të dytë, por 45 minutat e para do të mbylleshin me avantazhin minimal të Shqipërisë, falë golit të shënuar nga qendërmbrojtësi i Parmës.

Pjesa e dytë filloi me një mefshtësi të kuqezinjve, që filluan të gabojnë disa herë radhazi dhe nga kjo shënuan islandezët.

Në minutën e 47’ rigjetën baraspeshën, pas golit të shënuar nga Gulfi Sigurdsson, transmeton Teleshkronja Post.

Goli i miqve zgjoi Shqipërinë, që pas një aksioni mjaft të bukur të nisur nga Elseid Hysaj, u konkretizua sërish nga shkodrani, që dërgoi topin në rrjetë duke kaluar në avantazh kuqezinjtë dhe duke shënuar golin e tij të parë në karrierën me Kombëtaren.

Kapiteni i kuqezinjve mori topin që në zonën e Strakoshës dhe shkëmbeu pasime fillimisht me Cikalleshin e pastaj me Manajn, ndërsa ky i fundit e nxori me një finte të bukur, përballë portës islandeze dhe Hysaj nuk fali.

Festë në pankinën kuqezi, por edhe në shkallët e stadiumit, megjithatë vetëm 6 minuta më vonë, një hutim në zonën tonë, bëri që Islanda të barazonte sërish, këtë herë me anë të sulmuesit të sapofutur, Sigthorsson.

Shqipëria nuk mund të pajtohej gjithsesi me këtë rezultat, teksa trajneri Reja aktivizoi edhe Odise Roshin, por më pas u përball me dëmtimet e Hysajt e Gjimshitit, duke kryer dy zëvendësime të detyruara, që komplikuan më shumë planet e tij.

Megjithatë kuqezinjtë në fushë nuk kishin ndërmend të dorëzoheshin dhe në minutën e 78’ erdhi goli i avantazhit, që nisi me një harkim të bukur të Bares për Roshin, me këtë të fundit që u lirua bukur në zonë dhe gjuajti me të djathtën, ndërsa topi u ndal në rrjetë, pas një devijimi të një mbrojtësi islandez.

Vetëm 5 minuta më vonë, në një tjetër zbritje të shpejtë të kuqezinjve, topi përfundoi në krah te Memushaj, që gjeti saktë Cikalleshin në zonë, ndërsa kavajasi stopoi topin dhe gjuajti bukur me të majtën, duke dërguar topin në trekëndësh dhe çuar shifrat në 4-2.

Minutat e mbetura kuqezinjtë administruan mjaft mirë topin, duke e qarkulluar saktë, me kontributin e jashtëzakonshëm të mesfushorit Klaus Gjasula, që nuk gaboi thuajse asnjë pasim dhe vërshëllima finale e arbitrit sllovak la në fuqi rezultatin 34-2 për Shqipërinë.

Me këtë fitore, kuqezinjtë ngjiten në kuotën e 9 pikëve, duke mbetur gjithsesi në vendin e katërt, me 3 pikë më pak se Islanda dhe 6 më pak se Franca e Turqia, të cilat sot fituan respektivisht 3-0 ndaj Andorrës dhe 0-4 ndaj Moldavisë./GazetaTeleshkronja/

Rënditja grafike në grupin H:

Loading...