Rrëfehet Seedorf: Nga krahasimi Messi-Ronaldo deri te favoritët e Champions

Clarence Seedorf (Suriname, 1976) fitoi një vend në historinë e Real Madridit më 20 maj 1998, ditën kur të bardhët fituan Champions-in e shtatë.

Në atë ndeshje, së bashku me Karembeu, ai çaktivizoi Zidane dhe Del Piero, dy futbollistë të nivelit të lartë të Juventusit të asaj kohe. Si lojtar, ai luajti në disa nga skuadrat më të mira në botë dhe shpall katër herë kampion europian: me Ajax, Real Madrid dhe Milanin (dy tituj). Gjigantët holandezë dhe ata spanjollë do të përplasen të mërkurën në Ámstedam, në 1/8 finale të Ligës së Kampionëve, dhe Seedorf, aktualisht trajner i kombëtares së Kamerunit, analizon shumëçka në një intervistë për “MARCA”.

Dy nga ekipet tuaja të mëparshme, Ajax dhe Real Madrid, ndeshen në Ligën e Kampionëve. Cili është i preferuari i Seedorf?
Real Madridi është favorit, sepse po flasim për kampionët e tanishëm europianë, por edhe për shkak të përvojës që ka në Champions. Sidoqoftë, kjo nuk do të thotë se do të fitojë 100%.

Ju e keni fituar Champions-in me të dyja klubet. Cilat janë kujtimet më të mira nga titujt e viteve 1995 dhe 1998?
Kur fitova Champions-in e parë isha 19 vjeç, ndaj gjithçka m’u duk e mahnitshme. Pas ndeshjes, isha me idhullin tim, kur isha i vogël, Frank Rijkaard, duke bërë intervista, me atë që po e përfundonte karrierën e tij, ndërsa unë po e filloja. Pastaj, tërë ato festime, me miliona njerëz që na prisnin në Amsterdam. Unë nuk kam fjetur tërë javën e ardhshme. Fitimi i Ligës së Kampioneve me Real Madridin ishte gjithashtu diçka e pabesueshme. Ishim një grup lojtarësh të uritur, me një motivim të madh. Bëmë gjithçka mirë dhe pas 32 vitesh e dërguam trofeun e Ligës së Kampionëve në Madrid.

Në Spanjë, Ajax është i njohur nga De Jong dhe De Ligt, por sigurisht ekipi holandez është shumë më tepër se kaq…
Zyech, Dolberg, Tadiç, ose Huntelaar janë lojtarë të rëndësishëm. Real Madridi do të përballet me një kundërshtar, që për shumë vite nuk ka arritur në fazat përfundimtare të këtij kompeticioni. Ajax beson se mund ta mundë Real Madridin. Kjo, edhe për shkak se Real Madridi ka fituar shumë tituj të tillë ndër vite dhe mund të ketë mungesë të motivimit. Gjithsesi, kur Real Madridi luan në Ligën e Kampionëve, është gjithmonë diçka e veçantë.

A e shihni Real Madridin të aftë për të fituar Champions-in e katërt radhazi?
Çdo gjë është e mundur, por do të jetë shumë e vështirë. Për mua, nëse ka një ekip, që mund ta bëjë këtë, ky është Real Madridi.

Që nga viti 1998, Real Madridi ka fituar shtatë Champions, por gjithçka filloi në Amsterdam, në atë finale të pabesueshme kundër Juventusit të Zidane…
Unë jam krenar dhe i nderuar që kam luajtur një rol kaq të rëndësishëm te Real Madridi në atë finale, që ka përfaqësuar kthesën e madhe të të bardhëve në Europë, pas kaq vitesh mungese dhe sidomos duke parë atë që ndodhi më pas, me shumë fitore dhe trofe. Është një ndjenjë e veçantë. Klubi është forcuar shumë gjatë këtyre viteve, është bërë një gjigant edhe jashtë fushës. Kam qenë i lumtur ta shoh këtë rritje të Real Madridit.

Pse mendoni se vuan aq shumë Real Madridi për të konkuruar në Spanjë kundër Barcelonës?
Pas një sezoni, si vitin e kaluar, në të cilin ekipi i bardhë fitoi përsëri Champions-in, nuk është e lehtë për të gjetur ekuilibrin e duhur. Ndoshta disa përmirësime do të jenë të dukshme në pjesën e dytë të sezonit, siç po shihet, sepse Solari do të ketë pasur më shumë kohë për të punuar me ekipin. Kishte shumë presion në fillim. Një moment ndryshimi, në një mënyrë apo tjetër, ka pasoja, por Real Madridi mbetet ende shumë konkurrues.

Si trajner, a mendoni se Real Madridi është një ekip tjetër pa Cristiano Ronaldo, është më pak konkurrues?
Cristiano u konsiderua mbret në Madrid dhe ishte një garanci për golat e ekipit. Nëse Ronaldo do të ishte ende në ekip, Real Madridi do të kishte më shumë besim në vetvete, por nuk mendoj se rezultatet do të ishin kaq të ndryshme. Ndoshta largimi i Zidane si trajner kishte një ndikim më të madh, sepse ka ndryshuar metodologjia e punës. Kushdo që do ta zëvendësonte, do të kishte nevojë për një punë të veçantë dhe sukses të menjëhershëm, duke i kapërcyer vështirësitë fillestare.

Pyetja e detyruar: Cristiano apo Messi?
Që të dy kanë dominuar skenën botërore të futbollit në dekadën e fundit, në mënyrën e vet. Messi luan stilin e tij të futbollit, ndërsa Cristiano është krejtësisht ndryshe. Të dy janë ende vendimtar në mënyrën e tyre të lojës. Ata janë kampionë të jashtëzakonshëm, që luajnë futboll në dy mënyra të ndryshme.

Cili është favorite, sipas Seedorf, për ta fituar Champions-in në këtë edicion?
Është një sezon i veçantë dhe ndoshta është herët të thuhet se kush mund të fitojë. Ekipi që nuk përshtatet në pjesën e parë të këtij kompeticioni mund të bëhet shkatërrues në të dytën. Duke parë edhe përvojën e viteve të fundit, ndoshta Liverpool, i cili nuk ka luajtur edhe në Champions, mund të jetë një nga favoritët. Pavarësisht se nuk luajtën një fazë të mirë të pare (atë të grupeve), ata po bëjnë shumë mirë në Premier League. Juventusi, gjithashtu, mund të arrijë në finale, por ka një listë të gjatë, ku do të jenë edhe Atlético Madrid, PSG, Bayern Munich, Barcelona, Manchester City… Të gjithë mund të garojnë për të fituar.

Nga jashtë, si e shihni menaxhimin e një situate delikate si ajo me Isco?
Nga jashtë është gjithmonë e vështirë të dihet se çfarë ndodh brenda kuadrës. Isco është me siguri një lojtar shumë i rëndësishëm, një futbollist që unë do ta hidhja në fushë, nëse do të kisha mundësi ta stërvitja. Në të njëjtën kohë, të gjithë lojtarët e rëndësishëm mund të kalojnë nëpër kohë të vështira. Puna e trajnerit është në interes të ekipit, edhe lojtarit. Mendoj se Solari duhet ta rikuperojë lojtarin nga pikëpamja mendore dhe fizike. Solari nuk është aq i çmendur, sa të heqë dorë nga një lojtar si Isco, pa patur ndonjë arsye të rëndësishme.

Ju keni qenë një nga mesfushorët më të mirë të të gjitha kohërave, por nuk keni fituar “Topin e Artë”. A ju ka shpërblyer Modric në këtë rol, si fituesi aktual?
Unë nuk kam pasur fatin dhe privilegjin për ta fituar këtë çmim individual, si kampionë të tjerë të mëdhenj, që bënë histori në këtë sport. Modric ka provuar të jetë më i miri në ekipet e tij, si te Real Madridi, ashtu dhe në kombëtaren e Kroacisë. Ajo ka qenë i qëndrueshëm në lojë dhe ka treguar vazhdimësi. Luka është një lojtar inteligjent. Është e padobishme të bëhen krahasime me të kaluarën, sepse ishte një futboll tjetër, me lojtarë të ndryshëm, të cilët gjithashtu kanë konkurruar për këtë çmim. Për shkak të asaj se si është futbolli i sotëm, çmimi ishte i merituar. Urime për Modric, dua që të arrijë rezultate të tjera të shkëlqyera në karrierën e tij.

Ju keni luajtur në disa nga klubet më të rëndësishme në botë. Ku është presioni më i lartë?
Unë kurrë nuk e kam ndier presionin nga jashtë, kudo që luajta. Kjo ishte një nga pikat e mia të forta. Gjithmonë kam kërkuar shumë nga vetja, mbi pritshmëritë e krijuara. Kam qenë shumë vetëkritik dhe gjithmonë e kam transformuar atë presion nga jashtë në motivim. Duke folur për ekipet, ndoshta Real Madridi ishte ekipi me presionin më të madh.

Ai ishe i lidhur me Real Madridin verën e kaluar. Çfarë ndodhi?
E konsideroj shtëpinë time Real Madridin dhe, për të qenë i sinqertë, do ta kisha pranuar punën e trajnerit. Kishte kontakte, por zgjedhjet u bënë në një drejtim tjetër. Real Madridi shpresonte se gjërat do të shkonin mirë me dikë tjetër. Unë jam ende i ri, kështu që shpresoj të kthehem në të ardhmen.

Plotësoni fjalinë: trajnimi i Real Madridit do të ishte…
Do të ishte rikthim në shtëpinë time. Unë tashmë e kam një përvojë të ngjashme si trajner i Milanit, kështu që ndjenjat do të ishin të ngjashme.

Loading...