“Real Madridi s’ka nevojë për revolucion”

share

Gjiganti spanjoll do të përfundojë këtë sezon në mënyrë mjaft zhgënjyese, mirëpo mbrojtësi Dani Carvajal beson se skuadra nuk ka nevojë për ndonjë ndryshim dramatik për sezonin e ardhshëm.

Mbrojtësi Dani Carvajal insiston se Real Madridi nuk ka nevojë për ndonjë revolucion në mënyrë që të jenë më të suksesshëm sezonin tjetër, 2019/20.

Skuadra e Zinedine Zidane mbetet në pozitën e tretë në tabelën e La ligës pas barazimit 1:1 me Leganes të hënën. Ata janë 13 pikë pas lideres, Barcelonës, dhe katër pikë pas rivalit të qytetit, Atletico Madridit.

“Los Blancos” u tronditën në fazën e 1/8 të finales së Ligës së Kampionëve, kur Ajaxi arriti ta përmbysë rezultati nga ndeshja e parë dhe e eliminoi nga gara Real Madridit, që e kishte fituar këtë titull katër herë në pesë sezonet e fundit. Real Madridi u zhgënjye edhe në Kupën e Mbretit, ku në gjysmëfinale u eliminua nga Barcelona.

Zidane pritet ta revolucionarizojë skuadrën e tij këtë verë. Madje, edhe lojtarë të profilit më të lartë, si Gareth Bale e Toni Kroos, pritet të largohen këtë verë. Megjithatë, Carvajal beson se Real Madridi mund të kthehet në formë edhe pa ndryshime të mëdha në skuadër.

“Unë nuk jam personi që vendos se kush do të largohet. Ata që e bëjnë këtë punë duhet ta gjejnë se çfarë i duhet skuadrës dhe kush nga jashtë klubit mund të na ndihmojë më shumë”, është shprehur Carvajal.

“Nuk mendoj se është e nevojshme të ketë revolucion. Në vitet e fundit, skuadra nuk ka ndryshuar shumë dhe ne ishim kampionë të Evropës për një mijë ditë”.

Loading...