Prokurorja e rastit nga vrasja e dyfishtë në Pejë, Sahide Gashi, ka dhënë një kronologji për atë që ndodhi në Istog, ku mbeti i vrarë polici Izet Demaj dhe grabitësi i bankës Kamer Metaj.

Në një lidhje direkte në KTV, Gashi tha se Prokuroria është njoftuar rreth orës 16:00. Aty kanë shkuar menjëherë pas informatave të para.

“Plaçkitësi i bankës NLB në Istog, ka hyrë në lokal me kallashnikov dhe i ka kërkuar paratë arkëtares. Aty më pas menjëherë është përgjigjur policia, i pari ishte polici Izet Demaj. Sipas dëshmitarëve, polici ka kërkuar që ai të dorëzohet. Ai i është përgjigjur policit me zjarr nga brenda në bankë. I është përgjigjur njëjtë edhe polici, por grabitësi ka vazhduar të shtie me armë drejt polici. Më pas kanë ardhur përforcime, të cilët kanë kërkuar nga grabitësi të dorëzohet, ai ka dalë me një peng jashtë banke e më pas ka tentuar të ikë. Ka shtënë vazhdimisht në drejtime të ndryshme me armë, policia ka shtënë dhe aty ai është rrëzuar në tokë, ku më pas edhe ka vdekur”, tha Gashi.

Ajo tutje tha se tani po hetojnë se a ka qenë i dyshuari në bashkëpunim me dikë apo kush e ka sjellë.

Gashi tha se Policia në bazë të dëshmive ka vepruar sipas rregullave. Grabitësi, tha ajo, nuk i është përgjigjur paralajmërimeve të policisë prandaj kanë pasur urdhër të gjuajnë drejt tij.

“Përveç që ka shtënë edhe drejt hapësirave ku kishte numër të madh të njerëzve, fatmirësisht s’kemi tjera viktima. Atij i është gjetur edhe granata e dorës”, tha ajo.

Viktima po qëndron në vendin e ngjarjes edhe në këtë orë, Gashi tha se kjo po ndodh pasi teknika po bënë hetimet, ekspertizën dhe ekzaminimin e vendit të ngjarjes.

“Po e presim edhe mjekësinë ligjore për obduksion. Janë veprime që duhet bërë patjetër. Veprimet janë duke u bërë në kuadër të rregullave”, përfundoi ajo.

Loading...