Presidenti Thaçi në Bruksel: ‘BE-ja ta marrë vendimin e vonuar për heqjen e vizave’

share

I pari i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, sot është takuar me Presidentin e Këshillit Evropian, Donald Tusk, me të cilin ka biseduar për situatën politike, për perspektiven evropiane, për liberalizimin e vizave dhe për dialogun.

Thaçi e ka falënderuar presidentin Tusk për mbështetjen që BE-ja i ka dhënë Kosovës në dy dekadat e fundit, njofton kumtesa.

Ai ka theksuar se rajoni po vazhdon të jetë në një ”Status Quo” të vështirë, e cila po ngadalëson shumë procese.

“Zgjidhja e të gjitha mosmarrëveshjeve ndërmjet shteteve të Ballkanit Perëndimor dhe një qartësi, dinamikë dhe zotim më i madh i BE-së për perspektiven e vendeve të Ballkanit Perëndimor, janë përgjigja më e mirë ndaj këtij stagnimi”, tha presidenti Thaçi.

Siç thuhet në njoftim, pas plotësimit të të gjitha kritereve, presidenti Thaçi ka thënë se ngadalësimi i vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës është i pakuptimtë dhe i papranueshëm, pavarësisht arsyetimeve të vazhdueshme nga BE-ja dhe shtetet anëtare.

Presidenti Thaçi ka theksuar se Brukseli dhe Perëndimi janë orientimi i vetëm strategjik i Republikës së Kosovës.

Ajo që u vërejt në takim ishte se BE-ja nuk e ka vendosur flamurin e Kosovës, duke ngjallur polmika për mos-respektimin e Kosovës si shtet i pavarur me status të mbyllur./Teleshkronja Post/

Loading...