Miratohet Projektligji për dialogun me Serbinë

Loading...

Kuvendi i Kosovës për disa orë më radhë ka shqyrtuar Projektligjin për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetërorë të Republikës së Kosovës, në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë.

Në Kuvendin e Kosovës është miratuar projektligji për detyrat, përgjegjësitë dhe kompetencat e delegacionit shtetërorë të Kosovës në procesin e dialogut në raport me Serbinë.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë votuar me 61 vota për këtë ligj, ndonëse në sallë në momentin e votimit të pranishëm kanë qenë 91 sish.

Më 24 dhjetor të vitit të kaluar Qeveria e ka miratuar këtë projektligj për dialogun me Serbinë për të cilin Kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se do t’i dërgohet Kuvendit për shqyrtim dhe miratim.

“Me anë të ligjit do të përcaktohet hierarkia institucionale dhe procedura vendimmarrëse në procesin e dialogut me Republikën e Serbisë”, pati thënë Haradinaj.

Kujtojmë se institucionet e Kosovës po i bëjnë përgatitjet për fazën finale të bisedimeve me Serbinë, në kuadër të dialogut që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian në Bruksel.

Sipas Presidentit Hashim Thaçi, synimet janë që në fund të këtij procesi, Kosova dhe Serbia të nënshkruajnë një marrëveshje e cila do të ishte ligjërisht obligative për të dy shtetet, me anë të së cilës Kosova do të siguronte edhe ulësen e saj në Kombet e Bashkuara.

Loading...