Mimoza Kusari si kryeministre e një qeverie gjithëpërfshirëse? Përgjigjet vet Kusari-Lila

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila ka thënë se në këtë situatë aktuale nuk do të pranonte të drejtonte një qeveri gjithëpërfshirëse.

Ish-kryetarja e Gjakovës, Kusari-Lila, ka thënë se pa bërë lëshimin e koalicionit nga ndonjëra nga subjektet aktuale që janë në qeveri nuk mund të krijohet një qeveri gjithëpërfshirëse.

“Partnerët e koalicionit i kanë vetëm fjalët kundër njëri tjetrit, por në vepra janë plotësisht duke funksionuar. Po bashkëpunojnë shumë mirë në ndarjen e pushtetit. Ata janë bashkë në vendimet që merr Qeveria. Në asnjë çështje ata nuk po kanë dallime në aspektin përmbajtjesore”.

Kryetarja e Alternativës ka thënë se në rrethanat aktuale në Kosovë ajo nuk do të pranonte drejtimin e Qeverisë gjithëpërfshirëse.

“Në këto rrethana dhe me këtë përbërje qeverisëse nuk jam e gatshme të marr drejtimin e qeverisë”, tha ajo në RTV Dukagjini.

Kusari-Lila ka thënë se qeveria gjithëpërfshirëse me kryeministër Bajram Rexhepin kishte pasur shumë probleme, dhe sipas saj thyerjet mes partive në atë kohë kanë qenë të mëdha.

“Asnjëherë nuk kemi pasur një qeveri gjithëpërfshirëse përpos kur është bërë kryeministër konsensual Bajram Rexhepi. E di që në atë kohë ka pasur thyerje të mëdha mes subjekteve politike, sidomos mes LDK dhe PDK. Ka qenë një punë shumë e vështirë. Edhe në rrethana aktuale me këtë spektër të gjerë politik, do të duhesh të kishe një platformë shumë të definuar për të dhënë përgjigje”, tha ndër të tjera Mimoza Kusari-Lila.

Loading...