Mimoza Kusari del kundër Ilir Dedës

Kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se partia e saj nuk e ka mbështetur votimin e buxhetit e as Ekipin negociator në Kuvendin e Kosovës.

Ish-zonja e parë e komunës së Gjakovës, Kusari-Lila, në RTV Dukagjini ka thënë se votimi i Ilir Dedës pro buxhetit dhe Ekipit negociator ka qenë kundër qëndrimit të partisë.

“Iliri ka vendos për votën e tij. Në këtë rast nuk ka qenë mbështetje e subjektit politik. Mendimi i tij ka qenë se duhet mbështetet buxheti dhe Ekipi negociator”, tha ajo.

Deputetja e Kuvendit të Kosovës ka thënë më tej se në bazë të informacioneve që ka marrë në Kuvend, vota e Ilir Dedës ka qenë vendimtare për të kaluar Ekipi negociator.

“Nuk e di si ka shkuar situata, pasi sot kam marrë informata se vota e Ilirit për delegacionin ka qenë determinuese pasi që ka kaluar me 61 vota. Nëse ai është shprehur “pro” ky nuk është qëndrim i Alternativës. E them me përgjegjësi të plotë se organet vendimmarrëse të Alternativës nuk e mbështesin këtë formë të dialogut”.
Kusari-Lila ka thënë se çështja e votimit të Ilir Dedës ende nuk është shqyrtuar në organet e partisë.

“Argumentimi i tij në këtë rast është se ai ka të drejtë. Por mendoj se në strukturën politike të subjektit është nuk është shqyrtuar kjo çështje”, tha ndër të tjera Mimoza Kusari-Lila.

Loading...