Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Kujtim Gashi, në kuadër të mbështetjes financiare për federatat e sportit, ka nënshkruar sot memorandume bashkëpunimi me gjashtë federata.

Në bazë të memorandumit, Federata e Xhudos e Kosovës mbështetet financiarisht në vlerë prej 172,400 eurosh, dokument të cilin për këtë federate e nënshkroi kryetari i Federatës së Xhudos së Kosovës, Agron Kuka.

Me Federatën e Sportit Shkollor të Republikës së Kosovës u nënshkrua memorandum bashkëpunimi për mbështetje financiare në vlerë prej 86,400 eurosh, memorandum të cilin në emër të kësaj Federate e nënshkroi kryetari i federatës Ardian Telaku.

Po ashtu, Federata e Çiklizmit të Kosovës u mbështet me mjete financiarë në vlerë prej 45,624 eurosh. Për këtë federatë nënshkroi kryetari i federatës Avni Nuha.

Në emër të Federatës së Shahut kryetari Nysret Avdiu nënshkroi memorandumin e bashkëpunimit i cili i mundëson përkrahjen financiare kësaj federate në një vlerë prej 49,980 eurosh.

Federata e Pingpongut u mbështet me mjete financiare në vlerë prej 82,864 eurosh. Memorandumi e nënshkroi kryetari i kësaj federate Nehat Çitaku. Ndërkaq për federatën Skitare të Kosovës, kryetari i kësaj federate nënshkroi memorandum bashkëpunimi me vlerë financiare 85,824 eurosh.

Këto memorandume bashkëpunimi u nënshkruan më qëllim të realizmit të objektivave dhe synimeve të këtyre federatave për vitin 2019. Mjetet dhe raportimi i mjeteve të shpenzuara, në bazë të memorandumeve, parashihet që të bëhet në periudha tre mujore. S’mund të procedohen mjetet për periudhën pasuese pa u kryer periudha paraprake.

Më këtë rast, Ministri Gashi tha se më nënshkrimin e këtyre memorandumeve ne si Ministri e Sportit jemi të përkushtuar që t’i mbështesim Federatat Sportive më qëllim që të ndihmojmë sa më shumë sportin në vendin tonë dhe kjo mbështetje ashtu siç e parasheh rregullorja për kategorizimin e sporteve dhe në bazë të rezultateve të treguara.

“Si ministër jam jashtëzakonisht i përkushtuar që sporti të avancohet sa me shumë dhe se mbështetja e MKRS-së për sportin është një stimulim që sportistët dhe Federatat të punojnë sa më shumë dhe të vazhdojnë të na bëjnë të ndjehemi krenarë në garat e ndryshme si dhe të promovojnë vendin tonë përmes sportit”, tha mes tjerash ministri.

Ndërkaq përfaqësuesit e këtyre federatave falënderuan ministrin Gashi për mbështetjen e vazhdueshme që po tregon për sportin në vendin tonë ata u shprehen të lumtur se me nënshkrimin e këtyre memorandumeve tani më do të kenë mundësi që të realizojnë në vazhdimësi objektivat dhe synimet e tyre për vitin 2019.

Loading...