Liverpool mposhtë bindshëm Burnley, Firmino e Mane shkëlqejnë / Video

Braziliani Roberto Firmino dhe senegalezi Sadio Mane kanë shkëlqyer duke e rikthyer Liverpoolin te fitorja në Premierligë me nga dy golat secili triumfin 4:2 kundër Burnleyt të dielën në Anfield.

Sulmuesi brazilian Firmino dhe Mane shënuan katër golat e fitores së të kuqve kundër Burnleyt në krizë, duke i ndihmuar skuadrës së Jurgen Kloppit t’i afrohet në vetëm një pikë liderit Manchester Cityt në krye të Premierligës.

Liverpooli po vinte nga një barazim pa gola me Evertonin javën e kaluar, pas të cilit e humbi pozitëne parë në ligë pas një kohë të gjatë.

Përfaqësuesi kosovar i Zvicrës, Xherdan Shaqiri u la në stol për ndeshjen e tretë më radhë nga trajneri gjerman dhe nuk u aktivizua fare as nga banka e rezervistëve.

Burnely i tronditi të kuqtë duke kaluar në epërsi me një gol kontrovers, pas vetëm gjashtë minutave lojë, kur Ashley Westwood shënoi direkt nga korneri, por Alisson Becker ishte penguar në zonën e tij nga dy futbollistë vizitorë.

Megjithatë, reagimi i djelmoshave të Kloppit ishte i shkëlqyer, me Firminon që riktheu vendasit në lojën në minutën e 19-të.

Vetëm dhjetë minuta më vonë, Sadio Mane shënoi një supergol për epërsinë e parë të Liverpoolit në këtë takim.

Rreth njëzet minuta para fundit, Firmino e dyfishoi epërsinë e vendasve.

Burnley e drithëroi Liverpoolin një minutën e fundit, kur shënoi golin e dytë përmes Matej Vydra, por në minutën e fundit të kohës shtesë, Mane shënoi sërish duke ia siguruar tri pikë të mëdha të kuqve në garë për titull.

Liverpooli renditet i dyti me 73 pikë, një më pak se lideri Manchester City.

Loading...