KF Feronikeli

Lajm fantastik, KF Feronikeli dhuron bileta falas për ndeshjen kthyese ndaj TNS

Klubi më i suksesshëm kosovarë vitet e fundit në Kosovë, KF Feronikeli ka marrë një rezultat tejet pozitiv në ndeshjen e parë ndaj kampionit të Uellsit, The New Saints duke luajtur baras 2-2 në kuadër të Ligës së Kampionëve si mysafirë.

Rezultati me rikthim në minutat e fundit, gjithashtu edhe paraqitja e mirë e Industrialistëve ka zgjuar interesim jashtëzakonisht të madh të tifozëve.

Presidenti i klubit KF Feronikeli, Naser Ramaj ka mohuar se do të ketë ngritje të çmimit të biletave në ndeshjen kthyese që zhvillohet ditën e martë në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Ramaj tha se çmimi do të jetë i njëjtë me ato që ishin në ndeshjet parakualifikuese, duke dhënë një informatë të rëndësishme për shikuesit.

“Nuk do të ketë ndryshime të çmimit të biletave, ato do të jenë nga 3 deri në 15 euro, por ajo që mund t’u them është se shumë bileta do t’i japim falas. Do të jenë më shumë se 3 mijë bileta që do të shpërndahen falas”, ka thënë për gazetën zëri.info presidenti i Feronikelit, Naser Ramaj i cili e di se interesimi do të jetë jashtëzakonisht i madh.

“E dimë që i gjithë opinioni do ta ketë vëmendjen atë ditë te ajo ndeshje. Ne këto ditë do të fillojmë ta sensibilizojmë opinionin në mënyrë që të kemi sa më shumë shikues”, ka shtuar Naser Ramaj.

Ndeshja e kthimit mes KF Feronikelit dhe TNS zhvillohet me 16 korrik në Stadiumin Fadil Vokrri nga ora 20:45./teleshkronjasport/

Loading...