Kurti kujton protestat e 10 shkurtit, Monin dhe Arbenin

Loading...

Kryetari i VV-së, Albin Kurti, thotë se më 2 shkurt 2007 u bë publike Paketa e Propozimit gjithëpërfshirës të Martti Ahtisaarit për statusin e Kosovës.

Sipas tij kjo ishte një paketë e madhe pasi mendon së në të ishin future shumë padrejtësi.

“Shumica e dyfishtë në Kuvend, sundimi ndërkombëtar mbi Qeverinë, shuarja e TMK-së, decentralizmi etnik, eksterritorialiteti fetar, borxhi i jashtëm i Serbisë që na përshkruhej edhe neve. Këto i patëm quajtur gjashtë faqet e padrejtësisë së paketës kubike të Ahtisaarit, në të cilën askund s’figuronte fjala ‘pavarësi’, 37 herë përmendej fjala ‘serb’ dhe vetëm një herë ajo ‘shqiptar’, kur flitej për komunitetet joshqiptare”, shkruan Kurti.

Ai thotë se protesta e 10 shkurtit 2007 kundërshtonte, ato faqe të cilat ai i konsideron padrejtësi.

“Mijëra qytetarë u bashkuan në bulevardin “Nëna Tereze” në Prishtinë në marshin paqësor në ballë të të cilit ishte Baca Adem (Demaçi) e i cili edhe mbajti fjalim. Por, drejt sheshit “Skënderbeu” na doli përballë policia e UNMIK-ut me tyta të gjata të pushkëve çifte. 232 plumba gome me afat të skaduar u shkrepën mbi kokat dhe gjokset e njerëzve paqësorë e të paarmatosur”.

“U vranë Arben Xheladini dhe Mon Balaj, u plagosën rëndë me pasoja për tërë jetën Zenel Zeneli, Mustafë Nerjova e Hysni Hyseni, ndërkaq numri i të plagosurve që gjithsej kalonte 80, ishte pesëfish më i lartë sesa i atyre të arrestuar. Policët kishin ardhur për të qëlluar mbi neve, jo për të ruajtur ligjin e tyre”.

“Pas protestës së 10 shkurtit 2007, ndërmjetësi finlandez Ahtisaari ia dërgon Raportin e tij për Kosovën Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki-moon. Mirëpo, ia shton një faqe në fillim Propozimit të tij ku e përmend e thotë ‘pavarësi’ për Kosovën në kuadër të togfjalëshit ‘pavarësi e mbikëqyrur’. Në po atë vit OKB-ja ndalon përdorimin e plumbave të gomës në misionet e saj nëpër botë, kurse një vit më vonë shpallet pavarësia e Kosovës”, ka shkruar Kurti në rrjetin social Facebook.

Ai tha se humbjet e vuajtjet e saj të shumta, drejtësia ende mungon edhe për Monin e Arbenin dhe familjet e tyre.

“Kujtimi ynë për ta është i pashlyeshëm kurse lavdia e tyre e përjetshme”, shkruan Kurti.

Loading...