Sulmuesi anglez i ka paralajmëruar tifozët të mos e marrin me shumë qetësi grupin e kualifikimeve për Evropianin 2020 në të cilin gjendet Anglia, por edhe Kosova, Mali i Zi, Bullgaria e Çekia

Harry Kane e pranon se ëndërron ta fitojë Kampionatin Evropian 2020.

Sulmuesi i Tottenhamit thotë se kjo do të jetë një mundësi ideale për Anglinë, kur dihet se një pjesë e ndeshjeve të Euro 2020 do të luhen pikërisht në stadiumin Wembley në Londër.

Megjithatë, sulmuesi anglez thotë se “Tre Luanët” fillimisht i pret një punë aspak e lehtë në kualifikime, edhe pse tifozët anglezë mendojnë se ekipi i tyre i zemrës nuk do të ketë probleme në eliminatore.

“Njerëzit presin nga ne të kualifikohemi dhe ata mendojnë se do të jetë një grup i lehtë. Mirëpo, nuk mund të themi kurrë se do të jetë aq i lehtë. Ne duhet të shkojmë atje të luajmë dhe të jemi profesionistë. Natyrisht, ne synojmë të shkojmë përpara, por ne duhet t’ia bëjmë hyzmetin kësaj pune. Është e rëndësishme të fillojmë me këmbë të mbarë dhe me shpresën që të shkojmë ashtu deri në fund”, u shpreh Kane, përcjell Gazeta Express.

Anglia do ta nisë kampanjën kualifikuese të premten mbrëma në ndeshje me Republikën Çeke, ndërsa të hënën tjetër e zhvillon ndeshjen e dytë me Malin e Zi.

Nga ana tjetër, “Dardanët” do ta zhvillojnë të enjten një ndeshje miqësore me Danimarkën, kurse të hënën tjetër e presin Bullgarinë, në nismë të kampanjës kualifikuese për Evropianin 2020.

Loading...