Sot klubi i Real Madridit ka bërë një nga senzacionet më të mëdha në futboll, duke rikthyer ish-trajnerin Zidane, i cili ishte larguar para 9 muajsh.

Nga ora 20:00 presidenti i Real Madridit doli në konferencë për shtyp për ta prezantuar rikthimin e Zizous në Madrid, raporton Teleshkronja Post.

Trajneri i cili ia solli Real Madridit 9 trofe brenda 3 viteve theksoi që është i lumtur për rikthimin dhe se aktualisht mendon vetëm për ndeshjet që mbesin deri në fund.

Lajm i bujshëm: I kënaqur që jam rikthyer. Nuk kam ikur shumë larg në fakt. Kam qenë këtu në Madrid.

Vendimi për rikthim: Klubi ka nevojë për një ndryshim. Pasi ka fituar gjithçka, besoj se ka nevojë për një ndryshim. Jo vetëm pas meje, por edhe me trajnerët tjerë. Vendosa të rikthehem sepse më ftoi Presidenti. E dua atë dhe kam një marëdhënie shumë të mirë. Pas 9 muajsh, kam dëshirë të rikthehem të stërvis skuadrën. Kjo është e gjitha.

Përgjegjësitë: Një përgjegjësi e madhe sepse të gjithë lojtarët dhe njerëzit që janë këtu e duan këtë klub. Unë jam njëri prej tyre. Kam luajtur këtu me këtë fanellë, kam fituar këtu por unë jam thjesht një më tepër. Dua të vazhdojmë të fitojmë por poashtu dua të përmirësojmë gabimet e së shkuarës. Kemi humbur La Ligan në sezonin tim të fundit edhe pse fituam Championsin. Do të bëj gjithçka që është e mundur që ekipi të përmirësohet.

Ai u pyet nëse do ketë më shumë autoritet kësaj rradhe?: ”E vetmja gjë që mund t’ju them është se gjërat do të ndryshojnë, në çdo mënyrë. Tani është koha të flasim me klubin me gjërat që mund të bëjmë dhe do të shohim. Sot nuk është dita për të folur për këtë temë. Jam këtu sepse më ftoi presidenti dhe unë e dua shumë këtë klub, prandaj jam këtu.”

Si të duket ekipit ?: ”Kur u largova mendoj se ishte koha e duhur. Mendoja se lojtarët kishin nevojë për ndryshim. Mendoja se pas 2 vite e gjysëm dhe pasi kishim fituar gjithçka, ishte koha për të marë dikush tjetër drejtimin. E di se çfarë do të thotë për këtë klub. Prandaj nuk doja të jem pjesë e ndonjë klubi tjetër, por vetëm pjesë e këtij klubi. Tani të përfundojmë sezonin sa më mirë dhe më pas të shohim për sezonin tjetër.”

Rikthimi dhe si e keni ndjerë këtë sezon: ”Kur më ftoi presidenti nuk munda t’i them jo sepse pas gjithë asaj që ndodhi ai e di se çfarë është më e mira për ekipin. Këtë vit ndodhi kjo dhe unë isha jashtë por e kam ndjerë si gjithë të tjerët brenda klubit. Ata janë lojtarët e mi. E vetmja gjë tani është të shohim se çfarë na mungon dhe pastaj të shohim se çfarë mund të bëjmë për vitet që vijnë, që janë shumë më të rëndësishëm se sa ky tani.”

Rikthimi i Cristianos?: ”Nuk është tema për të folur. Kemi shumë ndeshje deri në fund dhe duhet të jemi të fokusuar. Të gjithë e dinë se kush është Cristiano. Ai është pjesë e historisë së këtij klubi dhe këtë se ndryshon askush. Por nuk është koha për të folur për këtë.”

A mund të përsëritet suksesi i arritur: ”Jam i lumtur që jam pjesë e këtij klubi të madh. Tani ajo që duhet të mendoj është ndeshja e së Shtunës. Kemi katër ditë dhe do të rikthehem të jem me ekipin. Vetëm kaq mendoj.”

Ndonjë dyshim për projektin: ”Asnjë dyshim. Jam riktheyer për të fituar. Kur u largova ishte vendimi më i mirë për të gjithë jo vetëm për mua.”

Çfarë keni parë që i shihni gjërat më të qarta tani: ”Kemi 11 ndeshje për të luajtur dhe ajo që kishte nevojë ekipi ishte një ndryshim. Pas asaj që kishin fituar këta lojtarë gjatë 5-6 viteve të fundit, ekipi kishte nevojë për një ndryshim. Më vjen keq por nuk ka më tepër se ka. Them atë që mendoj dhe atë që mendoja në atë epokë. Tani është një tjetër epokë. Kanë kaluar 9 muaj dhe klubi më ka thirrur për të nisur këtë ndryshim.”

Keni mbushur bateritë?: ”Kam energji të reja, kam bërë gjërat e mia, kam mbushur bateritë dhe jam gati për të përjetuar përsëri eksperiencën e të qenit trajner i Real Madridit, klub i madh, që e dua shumë e që u pengon shumë njerëzve (qeshet).”

Kush do të jetë në stafin teknik?: ”I njëjti ekip.”

Çfarë do të bëni nesër: ”Do të jem me lojtarët dhe do të flas për ndeshjet që vijnë. Ata janë të parët dhe e dinë që kanë patur një vit të vështirë por ata e dinë që nuk mund t’i bëjnë gjërat gjithmonë mirë. Ju e dini që futbolli është i tillë dhe ndonjëherë duhet të pranosh edhe ndryshimin. Kur je lartë dhe kur bie kështu, duhet t’a pranosh. Nga jashtë duket e vështirë por tani është koha për të vazhduar të punojmë e të jemi kompetitiv.”

Çfarë të kanë thënë njerëzit në Madrid: ”Pak nga gjithçka, faleminderit për çdo sukses të arritur, e gjëra të ngjajshme. Gjëra të mira.”

Si do e motivoni përsëri këtë ekip: ”Ky është klubi më i madh në botë dhe këtu vlen vetëm të fitosh. Çdokush që vjen këtu e ka të qartë këtë. Kushdo që mendon ndryshe apo nuk ka motivin e njëjtë, nuk formon pjesë të kësaj skuadre.”

Keni bërë gjëra keq si trajner?: ”Po, shumë gjëra. Fituam Championsin por humbëm kupën dhe ligën. Filluam sezonin keq dhe në krye isha unë. Nuk do të fajësoj askënd, trajnerët që kanë ardhur këtu kanë bërë më të mirën e mundëshme për lojtarët, për ekipin, për klubin, unë nuk do të futem në këtë, tani e vetmja gjë është të shohim se çfarë na pret përpara dhe se çfarë duam të bëjmë të gjithë, por fillimisht lojtarët.”

Mendon se tifozët u hidhëruan kur u largove?: ”Po, kishte nga të gjitha. Por e rëndësishme është të bësh atë që ndjen. Ajo që ndjeva tani ishte kjo që bëra. Kur mer një vendim të tillë, nuk e mendon vetëm veten. Këtu ka shumë gjëra dhe unë besoj se ky klub t’i imponon të gjitha. Të trajnosh Real Madridin është krejt ndryshe. Mund t’a them këtë sepse e kam përjetuar, por tani kam dëshirën për t’u kthyer.”

Keni folur me kapitenin dhe çfarë i keni thënë: ”Nuk kam folur. Jam këtu dhe jam përsëri trajner i Real Madridit dhe në të ardhmen do të shohim. Janë 11 ndeshje të mbetura dhe duhet t’i mbarojmë në mënyrën më të mirë.”

Isco, Marcelo, Bale, çfarë do të ndodhë me ta?: ”Nuk janë një çështje. Kthehem dhe lojtarët që janë këtu kanë fituar gjithçka. Nuk futem në atë që ka ndodhur mes lojtarëve, e vetmja gjë që dua është të kthehem me ta dhe të stërvitem, të bëj gjërat mirë dhe të mendoj për të Shtunën.”

Keni në mendje ndonjë blerje?: ”Jo, tani jo. Nuk mendoj për këtë. Thjesht dua të shijoj këtë ditë të rëndësishme. Jam i lumtur që jam rikthyer dhe po mendoj vetëm për 11 ndeshjet që mbesin. Kam shumë kohë për të folur dhe për të planifikuar sezonin e ri. Do të shohim.”

Loading...