Granit Xhaka me shokë mposht Manchester United / Video

share

Arsenali ka arritur fitore ndaj Manchester Unitedit në Ligën Premier me rezultat 2-0 në Emirates Stadium.

Ishte një ndeshje e mirë dhe me raste nga të dy anët, por ishin Topçinjtë skuadra me fat, transmeton Teleshkronja Post.

Man Utd e nisi mirë, në minutën e nëntë Romelu Lukaku kishte rast të mirë për gol, por në fund goditi shtyllën. Nuk kaloi shumë dhe erdhi goli nga Arsenali, Granit Xhaka shënoi në minutën e 12-të me një goditje të fortë nga distanca për golin e katër sezonal.

Në vazhdim Djajtë e Kuq provuan ta barazojnë rezultatin së pari me Fred (19′), pastaj edhe me Lukakun (36′), por Bernd Leno nuk lejoi që të tundet rrjeta e portës së tij.

Pjesa e dytë filloi me rastin e Lukakut (51′), por Leno edhe një herë bëri një pritje të mirë.

Kur të gjithë menduan se mysafirët do të barazonin rezultatin, Fred bëri një ndërhyrje të palejuar në zonë dhe gjyqtari kryesor akordoi penallti, e cila më pas u shndërrua në gol nga Pierre-Emerick Aubameyang.

Në vazhdim nuk kishte ndonjë rast serioz për gol, loja kryesisht u zhvillua në mesfushë. Pas kësaj fitore Arsenali ngjitet në vendin e katër me 60 pikë, dy më shumë se Man Utd një pozitë më poshtë.

Në xhiron e radhës Topçinjtë do të luajnë kundër Newcastles, ndërsa Djajtë e Kuq ndaj Watfordit./teleshkronjapost.info/

Pëlqeni faqen tonë për lajmet e fundit
Loading...