Dialogu Kosovë-Serbi. Samiti i Berlinit, një takim i një formati të lartë, ku krerët e shtetit të Kosovës dhe Serbisë u ftuan nga kancelarja gjermane Angela Merkel si dhe presidenti francez Emmanuel Macron, u përqendrua kryesisht në rivendosjen e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, pas vendosjes së taksës nga Kosova për produktet serbe.

Ndonëse qëndrimet e kancelares Merkel për çështjen e hapjes së kufijve edhe më herët ishin të qarta, se në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk ka vend ideja për ndryshim kufijsh, edhe në Samitin e Berlinit të mbajtur më 29 prill, është raportuar se ka pasë qëndrime të njëjta se nuk do të ketë ndryshim të kufijëve.

E politikanët nga Kosova, thonë se pritshmëritë për këtë Samit kanë qenë shumë të mëdha. Shefi i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, tha se Franca dhe Gjermania nuk ishin zë shumë kritik kundër idesë për hapjen e kufijve.

“Pritshmërinë e të gjithëve kanë qenë të mëdha për shkak që mendoj që në samitin e Berlinit, Gjermania dhe Franca do jepnin një kornizë më konkrete të mënyrës se si të shkohet përpara në procesin e dialogut si dhe disa elemente të padiskutueshme në formë të principeve që do i përfshinte marrëveshja përfundimtare. p.sh njohjen e Kosovës nga Serbia. Nuk ishte aq eksplicit kundërshtimi dhe qortimi për hapjen e kufijve të Kosovës, prita një pozicionim më preciz dhe patëm si rrjedhim një deklaratë me fraza universale”.

Një tjetër mangësi të këtij Samiti, Konjufca e sheh edhe çështjen e qëndrimeve të dy krerëve kosovarë, Thaçit e Haradinajt, të cilët sipas Konjufcës në këtë Samit shkuan me ide krejt të kundërta të cilat sipas tij po i bëjnë dëm edhe vendit tonë.

“Në këto raste më mirë është mos të shkohet fare se sa të shkohet me qëndrime të kundërta pasi që dëmi është shumë i madh për shtetin e Kosovës, nëse i kemi dy përfaqësuesit më të artë të shtetit që nuk kanë mendime të njëjta sa i përket zgjidhjeve në procesin e dialogut me Serbinë, në vend që t’i afrohemi zgjidhjes, prej mendimeve të kundërta rezultati është që i shtojmë edhe më shumë dilemat dhe dilemat si thojmë tek këta faktorë të fuqishëm ndërkombëtarë që kanë një pjesë të rëndësishme sa i përket procesit të vendimmarrje. Presidenti u mundu që të tingëllojë si kryeministri, mirëpo kjo ishte vetëm në nivel të tarifës, por sa i përket temës së kufijve presidenti siç duket nuk e ka ndryshuar mendimin e tij dhe ende ka shpresë me Vuçiqin që kjo temë mund të hapet ndonjëherë”.

Ndërsa deputeti i Partisë Socialdemokrate, Visar Ymeri, thotë se Samiti i mbajtur në Berlin, por as ai që do mbahet në Paris më 1 korrik të këtij viti, nuk e kanë për qëllim arritjen e një marrëveshje përundimtare mes shteti tonë dhe Serbisë.

“Mendoj që këto Samite nuk kanë qëllim, as ky i paralajmëruar për 1 korrik në Paris nuk e kanë qëllimin që të arrihet ndonjë marrëveshje përfundimtare më shumë janë samite që kanë qëllim ta intensifikojnë procesin si të tillë të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë dhe në një farë mënyre paraqesin një risi në këtë fazë të fundit të procesit të dialogut e reja është që një përfshirje më të madhe të dy shteteve bosht të BE-së Gjermanisë dhe Francës në këtë proces dhe ka një përafrim dhe unifikim i qëndrimit të këtyre shteteve sa i përket procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë. Mendoj se kjo është e mirë, pra në ndërtimin e një momentumi ndërkombëtarë për sa i përket këtij dialogu, mirëpo gjithnjë duhet ta kemi parasysh që qëndrimi i Kosovës, i përshkruar në Platformën e miratuar në Kuvend duhet të jetë qëndrimi i vetëm institucional i Kosovës dhe Kosova një zëri ta thotë troç e qartë qe me Serbinë ka vetëm një marrëveshje e ajo është njohja e Kosovës dhe asgjë tjetër nuk do të jetë e pranueshme”.

Ndërsa deklaratat e presidentit Thaçi, se nuk ka dialog pa praninë e ShBA-së, po i quan të qëllimshme edhe Përparim Kryeziu nga Grupi për Studime Juridike dhe Politike. Ai thotë se presidenti Thaçi nuk po e gjen përkrahjen për ripërcaktimin e kufijve nga shtetet e BE-së dhe si pasojë e kësaj, ai po kërkon përfshirjen e ShBA-së, pasi që këta të fundit kanë qenë më dorëshlirë dhe përkrahës të përcaktimit të kufijve.

“Në parim roli i ShBA-së për Kosovën është i panegociueshëm mirëpo në këtë rast konsideroj se insistimi i presidentit për përfshirjen e ShBA-së në këtë proces nuk derivon nga ky parim, por nga fakti që nga ky Samit e ka kuptuar ndoshta së fundmi dhe përfundimisht që BE-ja nuk e përkrahë një ide të ripërcaktimit të kufijve dhe momentalisht i vetmi aktor relevant ndërkombëtarë dhe shumë i rëndësishëm i mbetur janë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht administrata e presidentit Trump e cila duket të jetë më dorëshlirë dhe më përkrahëse ndaj idesë për përcaktim të kufijve”.

Kryeziu po e sheh si problem çështjen e qëndrimeve të kundërta të presidentit Thaçi dhe kryeministrit Haradinaj.

“Është normale deri diku që të kenë mospajtime për gjëra të rëndomta, por asnjëherë për gjëra kaq substanciale për të ardhmen e shtetit të Kosovës dhe normativisht politika e brendshme e vendit ndikon e edhe në politikën e jashtme të vendit dhe kjo patjetër që dëmton shtetin e Kosovës në përfaqësimin e saj në organizime të tilla që kanë karakter ndërkombëtarë. Ne kemi qenë të njoftuar se në një takim të tillë do prezantohen dy ide të ndryshme për të cilat edhe Franca edhe Gjermania është e informuar, mirëpo ne kemi pasë një copë shprese që para fillimit të samitit të ketë të paktën një përafrim të qëndrimeve, por duke qenë se qëndrimet janë dimetriksiht të kundërta rezultoi i pasuksesshëm”.

Kryeziu thotë se samitit i ka dhënë një dimension të ri procesit të dialogut, por sipas tij nuk mund të arrihet një marrëveshje përfundimtare përderisa ky proces udhëhiqet nga shefja për politikë të jashtme, Federica Mogherini.

Kosova mori pjesë në Samitin e Berlinit më 29 prill të këtij viti, ndërsa zyrtarisht është bërë e ditur që një takim tjetër i përfaqësuesve së Kosovës dhe Serbisë me dy boshtet kryesore të Bashkimit Evropian, do mbahet në Paris më 1 korrik të këtij viti.

Loading...