Gjykata e dënon Fisnik Ismailin me 6 muaj burg me kusht

share

Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me gjashtë muaj burgim me kusht, ish-deputetin e Vetëvendosjes, Fisnik Ismaili i akuzuar për hedhje të gazit lotsjellës, në seancat e kuvendit gjatë kohës sa diskutohej për marrëveshjet për Demarkacion dhe Asociacionin e komunave serbe.

Ismaili që tash është deputet i Partisë Socialdemokrate (PSD), është dënuar për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Mirëpo, dënimi ndaj tij nuk do të ekzekutohet nëse ai nuk kryen vepër tjetër penale brenda një viti.

Ismaili akuzohet se më 30 nëntor 2015, në hollin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, gjatë një kontrolli nga ana e policisë, i janë gjetur dhe sekuestruar dy bombola me gaz lotsjellës, të cilët i kishte fshehur në këpucët e tij, me qëllim që t’i fusë në sallën plenare të Kuvendit të Kosovës, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ndaj tij, sipas gjykatësit Vesel Ismaili, gjithashtu është shpallur edhe aktgjykim plotësuses, ku i është konfiskuar bombola e gazit lotsjellës.

Ndërsa, për pikën dy të aktakuzës, ndaj deputetit Ismaili, është shpallur aktgjykim refuzues pasi prokurori kishte hequr dorë nga ndjekja penale.

Ismaili është detyruar që të paguajë edhe paushallin gjyqësor në shumë prej 100 euro.

Loading...