Udhëheqësi i Politikës së Kibernetikës në Facebook, Nathaniel Gleicher, ka njoftuar sot se rrjeti social Facebook ka fshirë faqet, grupet dhe llogaritë që kishin sjellje të koordinuar joautentike nga Irani, Rusia, Maqedonia dhe Kosova, shkruan Gazeta Express.

Në njoftimin e publikuar në redaksinë e Facebook (newsroom), thuhet:

“Sot hoqëm 2,632 faqe, grupe dhe llogari të përfshira në sjellje të koordinuara joautentike në Facebook dhe Instagram. Operacionet që gjetëm ishin të lidhura me Iranin, Rusinë, Maqedoninë dhe Kosovën. Nuk gjetëm asnjë lidhje mes këtyre grupeve të aktiviteteve, por kishin përdorur taktika të ngjashme duke krijuar llogari për të mashtruar të tjerët. Ne po punojmë vazhdimisht që të zbulojmë dhe ndalojmë këtë lloj aktiviteti sepse nuk duam që shërbimet tona të përdoren për të manipuluar njerëz. Po i mbyllim këto faqe dhe llogari bazuar në sjelljen e tyre, jo përmbajtjen që kanë postuar”.

Për faqet dhe aktivitetin e dyshimtë nga Kosova, raporti i Facebook thotë:

“Larguam përfundimisht 212 faqe, grupe dhe llogari, të përfshira në sjellje të koordinuara joautentike që kishin origjinë nga Maqedonia dhe Kosova. Individët që qëndronin prapa kësaj veprimtarie vepronin me llogari të rreme për të administruar faqe që ndanin përmbajtje të përgjithshme, jo specifike, si astrologji, njerëz të famshëm dhe këshilla bukurie.

Ata kishin edhe një numër të vogël të faqeve që kishin për qëllim përfaqësimin e komuniteteve politike në Australi, Mbretëri të Bashkuar e SHBA – dhe kishin postuar për tema politike dhe religjioze si nacionalizmi, islami dhe figurat politike. Edhe pse u përpoqën të keqinterpretonin veten e tyre, ne gjetëm se këto faqe, grupe dhe llogari ishin të lidhura me një rrjet individësh që vepronin në Maqedoni dhe Kosovë.

Prezenca në Facebook dhe Instagram: 40 faqe dhe 172 llogari të Facebook.

Ndjekësit: Rreth 685,000 llogari ndoqën një ose më shumë faqe të tilla.

Reklamimi: Rreth 5,800 dollarë u shpenzuan në reklama në Facebook, të paguara në dollarë amerikanë, euro, funte dhe pezos filipinase.

Reklama e parë u zhvillua në tetor të vitit 2013 dhe reklama e fundit u zhvillua në mars të vitit 2019. Nuk kemi përfunduar një rishikim të përmbajtjes organike që vjen nga këto llogari.

Hetimi ynë përfitoi nga raportimi me burime të hapura, duke përfshirë edhe shtypin në Australi. Për hetimin tonë, informacione u kemi dhënë zbatuesve të ligjit dhe politikëbërësve”.

Loading...