Dy vendet e Ballkanit që po rrezikohen nga ndikimi rus

share

Aleanca më e fuqishme politiko-ushtarake në botë, NATO-ja tha se Rusia po bën përpjekje të ndërhyjë dhe të ndikojë te vendet e Ballkanit që duan t’i bashkohen aleancës së atlantikut verior.

I pari dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, i bëri këto deklarata në një intervistë ekskluzive për mediumin e “Euronews” në Belgjikë.

Ai foli në ditën kur Republika e Maqedonisë Veriore nënshkroi një pakt-protokoll që do t’i hapë rrugë këtij vendi për anëtarësim në organizatën e NATO’s.

Ministri i Jashtëm i Maqedonisë, Nikolla Dimitrov, dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në konferencë pas nënshkrimit të protokollit për anëtarësim.

“Rusia përpiqet të ndërhyjë, Rusia përpiqet të ndërhyjë në proceset politike në shtetet të pavarura. Mendoj se një gjë e tillë është gabim dhe dërgon në destabilizim”, tha Stoltenberg.

“NATO i respekton, ne i respektojmë vendimet e shteteve të pavarura sovrane, pavarësisht nëse duan të hyjnë në NATO ose nëse nuk duan të hyjnë në NATO”, shtoi ai.

“Në Shkup kemi parë se shumica në parlament, shumica e partive politike e duan anëtarësimin në NATO. Ne e mirëpresim këtë. Por në Serbi, për shembull, e kanë thënë qartë se nuk duan të hyjnë në NATO dhe ne e respektojmë këtë.”

“Prandaj, shteti rus duhet t’i respektojë vendimet e marra nga kombet sovrane, edhe nëse duan të anëtarësohen në NATO, edhe nëse nuk duan”, tha shefi i NATO-s.

Jens Stoltenberg foli edhe për largimin e Uashingtonit dhe të Moskës nga Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme, transmeton Teleshkronja Post.

“Nuk duam një garë të re armësh dhe do të përpiqemi ta bindim Rusinë që të kthehet në përputhje me traktatin dhe marrëveshjet”, u shpreh Stoltenberg.

“Është një periudhë gjashtëmujore derisa procesi i tërheqjes të përfundohet. Gjatë kësaj kohe, Rusia mund të kthehet. Përgjigjet tona do të maten, ato do të jenë mbrojtëse. Ne do t’i shqyrtojmë jo vetëm pasojat ushtarake, por edhe atë se si mund të marrim iniciativa të reja mbi kontrollin e armëve.”

“Duhet të sigurojmë që NATO në një botë pa Traktatin e Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme dhe me më shumë raketa ruse është në gjendje të ofrojë mbrojtje efektive.”

Traktati është nënshkruar në vitin 1987 nga presidenti i atëhershëm i SHBA-së, Ronald Reagan, dhe udhëheqësi sovjetik, Mikhail Gorbachev.

Ky traktat ka eliminuar një klasë të tërë të raketave nga Evropa, konsiderohet kyç për stabilitetin strategjik mes Uashingtonit dhe Moskës dhe një lloj përfundimi i Luftës së Ftohtë siç njihet ndryshe./TeleshkronjaPost/

Loading...