Surroi: Kosovën e presin vite të vështira (Video)

Publicisti Veton Surroi ka thënë se me përpjekjen e për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, Kosovës i është bërë një dëm i madh.

Surroi, në emisionin “Debat D” në RTV Dukagjini, ka thënë se vitet që na presin nuk janë të lehta dhe Kosovës i nevojitet një përkrahje kritike ndërkombëtare.

“Nëse ne nuk kemi përkrahje nga ndërkombëtare, ballafaqohemi me sfida shumë të mëdha dhe atëherë gjendja jonë do të jetë edhe më e pafuqishme se që kemi sot”, ka thënë Surroi.

Surroi ka folur edhe për Qeverinë ‘Haradinaj’, duke thënë Kosova ka parë më shumë skandale se kurrë më parë gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes së vendit nga Ramush Haradinaj.

“Kjo Qeveri ka krijuar më shumë befasi, çdo ditë, sa që çdo befasi e ka lënë mënjanë befasinë e mëparme”, ka deklaruar ai.

“Përderisa një pjesë e opinionit publik është marrë me numërimin e ministrave e zëvendësministrave, e njëjta qeveri fali në formë jo ligjore, jokushtetuese, borxhin prej 58 milionë euro ambalazhuesve të ujit, dha para për pjesëmarrësit e grupit të Kumanovës… Mori vendime për ngritje të pagave që janë po ashtu në kundërshtim me ligjin, dhe në fund mori një vendim që ka gjasa të jetë më i dëmshmi për vendin, kjo është kontrata për termocentralin Kosova e Re”, tha Surroi.

PDK shkarkon Bekim Haxhiun nga pozita e nënkryetarit në Skenderaj dhe përjashton nga partia shtatë anëtarë

Kryesia e degës së PDK-së në mbledhjen e mbajtur sot, të udhëhequr nga Kryetari i degës Sami Lushtaku, ka marrë vendim që të përjashtojë nga Partia Demokratike e Kosovës dega në Skenderaj 7 anëtarë të zgjedhur në Kuvendin komunal të Skenderajt dhe të shkarkojë nga posti nënkryetarit të Degës, Bekim Haxhiun.

Në një komunikatë për medie, dega e PDK-së ka njoftuar se me vota unanime të anëtarëve të Kryesisë pjesëmarrës në mbledhje, janë përjashtuar 7 anëtarë të saj.

Ndërsa vendimi ka ardhur për shkak të mosrespektimit të vendimit unanim të organeve të partisë lidhur nominimin e kandidatit të PDK-së për kryesues të Kuvendit Komunal, duke u rreshtuar krah subjekteve opozitare në Kuvend dhe duke shpërfillur madje edhe ftesat për konsulta nga organet drejtuese të PDK-së.

”Këto veprime, Kryesia e degës i cilëson si shkelje flagrante të Statutit të PDK-së, neni 65 paragrafi 1, sipas të cilit ‘Të gjithë anëtarët e PDK-së, përfshirë edhe ata që janë në pozita të larta udhëheqëse brenda PDK-së të cilët shkelin statutin, vendimet e organeve të PDK-së, programin, devijojnë nga politika e PDK-së, se në ndonjë formë tjetër shkelin parimet dhe vlerat e PDK-së, ndaj tyre shqiptohen masa disiplinore’, paragrafi 2 ‘masa disiplinore’. Pika (f), ‘Përjashtimi nga PDK’”.

Në bazë të vendimit anëtarët e Kuvendit të përjashtuar nga PDK janë:

1.Azem Gashi, 2. Musa Fazliu, 3.Fatbardha Haliti, 4.Ilir Ejupi, 5.Sami Aruqi, 6.Driton Hetemi, 7.Fatlume Kodra.

Gjithashtu Kryesia e degës, me propozim të Kryetarit Sami Lushtaku ka marrë vendim që të shfuqizojë vendimin e më hershëm për emërimin e Bekim Haxhiut nënkryetar i degës së PDK-së në Skenderaj.

Në bazë të këtij vendimi Bekim Haxhiu që nga sot (e marte) nuk është nënkryetar i degës së PDK-së në Skenderaj, ndërsa i njëjti vazhdon të jetë anëtar i Kryesisë së degës së PDK-së në Skenderaj”, thuhet ne komunikatë.

Analistët serbë: Serbia i ka shpenzuar zgjidhjet e mira për Kosovën, i ka mbetur më e keqja

Serbisë nuk do t’i lejohet anëtarësimi në Bashkimin Evropian, pa një zgjidhje të qartë të çështjes së kufijve. Kështu ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke shtuar se vendimin e tij për Kosovën do ta shpallë brenda dy muajve të ardhshëm.

Dy dekada nga përfundimi i luftërave në ish-Jugosllavi, Serbia ka konteste të pazgjidhura kufitare me pothuajse të gjitha vendet fqinje, me të cilat dikur ishte në një shtet të përbashkët, shkruan B92.

Megjithatë, ndoshta në këtë moment çështja më e rëndësishme është se, a do të mbetet vija aktuale kufitare- administrative me Kosovën?

“Në Strategjinë e BE-së, e cila së shpejti do të miratohet, thuhet se nga Serbia pritet një marrëveshje obligative juridike, që është një hyrje për zgjidhjen e statusit final dhe është e qartë se ajo ndoshta do të kërkojë një korrigjim të caktuar të kufirit, kështu që unë pasur kam një lloj të përgatitjes së terrenit”, thotë Marko Savkoviq nga Fondi i Beogradit për Përsosmëri Politike, përcjell Telegrafi.

BE nuk dëshiron tëimportojë probleme bilaterale, sqarojnë në lëvizjen evropiane. Ndërsa një zgjidhje më pak e keqe për problemin e Kosovës e paralajmëron nga presidenti serb.

“Nuk ka asnjë zgjidhje të mirë. Zgjidhjet e mira për Kosovën janë shpenzuar kaherë, neve na mbetet për të zgjedhur një të keqe më të vogël. E, zgjidhja më pak e keqe është normalizimi i marrëdhënieve pa njohjen e Kosovës, sepse njohjen askush nuk po ma kërkon”, tha Suzana Grubjeshiq, e Lëvizjes Evropiane.

Presidenti Vuçiq ka paralajmëruar se vendimin për Kosovën do ta japin qytetarët përmes një referendumi.

“Së pari, le të shohim se cila do të jetë pyetja, sa kohë do të zgjasë debati … Unë jam për referendum, por duhet të jetë rezultat i një debati më të gjerë”, tha analisti Branko Radun.

BE-ja është “djegur” në rastin e kontestit kufitar midis Kroacisë dhe Sllovenisë, prandaj Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ishte shumë konkret në Parlamentin Evropian kur e bëri të qartë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që dëshirojnë të bashkohen me Bashkimin Evropian, duhet së pari të zgjidhin të gjitha kontestet kufitare.

Të përkujtojmë se ambasadori francez në Beograd, Frederic Mondoloni, ka deklaruar ditë më parë se nuk do të ketë integrim të Serbisë në Bashkimin Evropian (BE) pa një marrëveshje me Kosovën.

Mediet serbe publikojnë disa “fakte” për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, flitet edhe për një video

Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ka disa regjistrime, por edhe prokurorët në Mitrovicë nuk i morën ato as një javë pas vrasjes.

Mediat serbe raportojnë se autoritetet kosovare po heshtin për rrjedhën aktuale të hetimit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Sipas tyre, kjo po nxit edhe më tej dyshimet se po fshihet diçka.

Megjithatë, përkundër kësaj, gazeta beogradase “Kurir” zbulon jozyrtarisht se posedohen disa regjistrime, transmeton Indeksonline.
Një nga personat që ishte në vendin e ngjarjes dha një dëshmi për fizionominë e vrasësit.

Sipas përshkrimit që ai kishte dhënë në polici, vetura që ngiste personi ishte “Opel Astra” e cila, sipas tij, u ndez nga një burrë i moshës mesatare.

Më tej, ai thotë se i dyshuari kishte një kapuç mbi kokën e tij. Pas vrasjes, i njëjti pretendohet se iku në drejtim të fshatit Suvi Do.

Ndryshe, Policia e Kosovës është deklaruar për raportimet se personi i dyshuar për përfshirjen e vrasjen e Oliver Ivanoviqit të jetë Millan Radojçiq.

Zëvendëskomandanti i PK-së për rajonin Veri, Besim Hoti, në një prononcim për “Indeksonline” ka thënë se Policia do të veprojë konform autorizimeve të Prokurorisë së Shtetit.

“Askush s’ka thënë që pritet të arrestohet (Milan Radojcic). Në asnjë element nuk presim të ndërhyjmë në punën e prokurorëve. Hetuesit policorë punojnë nën autorizimin dhe çdo veprim vjen nga autorizimet e prokurorëve”, ka thënë ai.

Hoti theksoi se organet e sigurisë në asnjë aspekt s’guxojnë të spekulojnë dhe paragjykojnë për raportimet e tilla.

Edhe bashkëshortja e Oliver Ivanoviqit, Milena Popoviq Ivanoviq, deklaroi para disa ditësh se “dihet kush e ka bërë vrasjen, por ata që e kanë bërë këtë duhet ta dinë se kjo nuk do të kryhet aq lehtë”.

Vlen të theksohet se mbi Ivanoviqin atentatorët shtinë nga rruga, e pastaj ikën me veturën e tipit “Opel Astra”, të cilën e kanë djegur.

Gazetarja kosovare bëhet senzacion në Serbi për talljen me Vuciqin (Foto)

Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic, nuk e kanë pritur të gjithë me zemër të hapur gjatë vizitës në Kosovë, gjë që është pritur. Por ajo që bën gazetarja Una Hajdari, sipas mediave serbe, ‘i kalon kufijtë e jotolerancës dhe kthehet në urrejtje’.

Ata thonë se pjesëtarja e organizatave joqeveritare në Beograd, përdor çdo mundësi për të poshtëruar Serbinë, presidentin e saj dhe popullin serb që shpesh satanizohet nga ajo, transmeton gazetametro.net.

‘Duket se vizita e Vucicit në Kosovë e ka nervozuar shumë Una Hajdarin, sa që e ka detyruar të i heq të gjitha maskat dhe ka treguar fytyrën e vërtetë të urrejtjes, duke bërë shaka me Vucicin në Twitter’, shkruajnë mediat.

Ajo ka shkruar “ Kur mërzitem në konferencë shtypi”, duke e shoqëruar me fotografinë e Vucicit që ajo është tallur me të.

Por këtë veprim serbet e kanë quajtur si joprofesionalizëm, duke shtuar se asaj i ka dalë urrejtja e vërtetë të cilën e kishte fshehur mirë deri më tani.

Mediet serbe kanë shprehur pakënaqësitë duke thënë se kjo përqeshje është e panevojshme në momentet që Vucici po mundohet të kuptoj dhimbjen e çdo njeriu në Kosovë dhe po mundohet t’iu ndihmojë./TELESHKRONJA POST/

Koci: E turpshme si Qeveria e Kosovës e nderon një…

Zëvendësministrit të Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci, iu duk e panevojshme që Qeveria e Kosovës e nisi mbledhjen e sotme me një minutë heshtje në nderim të Oliver Ivanoviqit, të vrarë të martën e kaluar në Veri të Mitrovicës.

Sipas Kocit, nuk kishte pse të nderohej nga Qeveria e Kosovës një i dënuar për kr.ime lufte

Të pabesueshme dhe të turpshme e ka quajtur zëvendësministri Koci nderimin që iu bë politikanit serb Oliver Ivanoviq, që u vra të martën para selisë së tij në Veri të Mitrovicës.

Sipas Kocit, Qeveria, pjesë e së cilës është edhe vetë, me dënimin e vrasjes së Ivanoviqit ka kryer punën e saj në lidhje me këtë rast, prandaj ceremonitë e mëtutjeshme nuk ishin të nevojshme.

“Qeveria do duhej ta dënonte vrasjen e tij siç edhe ka bërë, por të nderohet me një minut heshtje një ish i dënuar për kr.ime lu.fte dhe i kthyer në rigjykim, kjo nuk do koment”, ka shkruar Koci në Facebook.

Mediumi britanik: Brukseli planifikon të shtojë gjashtë shtete në “perandorinë” e BE-së, përfshirë edhe Kosovën

Eurokratët janë të gatshëm të bien dakord për një afat kohor deri në vitin 2025 për fillimin e procesit që do të shohë Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, si dhe Kosovën të bashkohen me bllokun.

Kështu së paku shkruan mediumi britanik “Express”, përcjell Teleshkronja, sipas të cilit medium, në këtë drejtim edhe është nisur një përpjekje diplomatike për të përshpejtuar procesin, pas disa vitesh vonese.

“Komisioneri evropian Johannes Hahn tha se masa ishte nxitur nga ringjallja e Rusisë, kriza e migracionit, regjimi autoritar i Turqisë dhe dëshira për të forcuar integrimin evropian pas votimit në Mbretërinë e Bashkuar për Brexit”, shkruan ky medium.

Po sipas mediumit, ai ka shtuar: “Ose ne eksportojmë stabilitet në rajon ose importojmë jostabilitet”.

Mediumi britanik thekson se Hahn argumentoi se procesi i zgjerimit të BE-së ishte mënyra më e mirë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe kërcënimin e autoritarizmit në rajon.

“Një samit i veçantë ballkanik po mbahet në kryeqytetin bullgar Sofje në maj. Një tjetër takim do të mbahet në Britani të Madhe në korrik. Megjithatë, gjashtë vendet duhet të plotësojnë kriteret e anëtarësimit në BE. Sistemet e tyre bankare dhe ligjore janë të dobëta dhe të ardhurat mbeten prapa atyre të eurozonës. Ndarjet e thella vazhdojnë gjithashtu pas konflikteve etnike që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet 1990”, thuhet në shkrimin e mediumit britanik.

Albin Kurti kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, me 98.82% të votave të fituara

Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur rezultatet preliminare të votimit të brendshëm për kryetar të organizatës, sipas të cilave Albin Kurti është zgjedhur kryetar i VV-së, duke fituar 98.82 për qind të votave.

Sipas njoftimit të Lëvizjes Vetëvendosje, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm konstaton se në këtë proces votimi për kryetar të partisë janë shënuar rekorde në pjesëmarrjen e anëtarëve në zgjedhje në shumicën e Qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë si dhe në Qendrat në mërgatë, qoftë sa i përket numrit të votave qoftë në përqindjen e pjesëmarrjes.

Sipas rezultateve të shpallura nga Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm për kandidatin për kryetar, Albin Kurti kanë votuar 98.82%, kundër 0.61% , abstenim 0.57% dhe të pavlefshme 0.26%

“Me këtë rast, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm faleënderon të gjithë aktivistët e përfshirë në menaxhimin dhe administrimin e zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për përkushtimin e tyre në mbarëvajtjen e këtij procesi, si dhe falënderojmë të gjithë anëtarët që kanë shprehur sot të lirë vullnetin e tyre mbi të ardhmen e organizatës”.

“I jemi gjithashtu mirënjohës stafit të Komisionit Qendror Zgjedhor të Republikës së Kosovës dhe të Komisioneve Komunale Zgjedhore, për asistencën dhe materialet e votimit të vëna në dispozicion anekënd Kosovës për zhvillimin e procesit të zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Visar Ymeri, Dardan Molliqaj e Dardan Sejdiu janë në mesin e atyre që nuk votuan. Shpend Ahmeti zgjodhi të dalë në votime pak minuta para mbylljes së vendvotimeve. Ndërkohë, po ky grup, i kryesuar nga ish-shefi i VV-së Visar Ymeri, thuhet se do të formojnë parti të re. Lidhur me bisedat për parti të re, Dardan Molliqaj, ish-sekretar partie, u akuzua edhe nga Ismajl Kurteshi, i cili tani mban po këtë pozitë në VV.