Analistët serbë: Serbia i ka shpenzuar zgjidhjet e mira për Kosovën, i ka mbetur më e keqja

Serbisë nuk do t’i lejohet anëtarësimi në Bashkimin Evropian, pa një zgjidhje të qartë të çështjes së kufijve. Kështu ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke shtuar se vendimin e tij për Kosovën do ta shpallë brenda dy muajve të ardhshëm.

Dy dekada nga përfundimi i luftërave në ish-Jugosllavi, Serbia ka konteste të pazgjidhura kufitare me pothuajse të gjitha vendet fqinje, me të cilat dikur ishte në një shtet të përbashkët, shkruan B92.

Megjithatë, ndoshta në këtë moment çështja më e rëndësishme është se, a do të mbetet vija aktuale kufitare- administrative me Kosovën?

“Në Strategjinë e BE-së, e cila së shpejti do të miratohet, thuhet se nga Serbia pritet një marrëveshje obligative juridike, që është një hyrje për zgjidhjen e statusit final dhe është e qartë se ajo ndoshta do të kërkojë një korrigjim të caktuar të kufirit, kështu që unë pasur kam një lloj të përgatitjes së terrenit”, thotë Marko Savkoviq nga Fondi i Beogradit për Përsosmëri Politike, përcjell Telegrafi.

BE nuk dëshiron tëimportojë probleme bilaterale, sqarojnë në lëvizjen evropiane. Ndërsa një zgjidhje më pak e keqe për problemin e Kosovës e paralajmëron nga presidenti serb.

“Nuk ka asnjë zgjidhje të mirë. Zgjidhjet e mira për Kosovën janë shpenzuar kaherë, neve na mbetet për të zgjedhur një të keqe më të vogël. E, zgjidhja më pak e keqe është normalizimi i marrëdhënieve pa njohjen e Kosovës, sepse njohjen askush nuk po ma kërkon”, tha Suzana Grubjeshiq, e Lëvizjes Evropiane.

Presidenti Vuçiq ka paralajmëruar se vendimin për Kosovën do ta japin qytetarët përmes një referendumi.

“Së pari, le të shohim se cila do të jetë pyetja, sa kohë do të zgjasë debati … Unë jam për referendum, por duhet të jetë rezultat i një debati më të gjerë”, tha analisti Branko Radun.

BE-ja është “djegur” në rastin e kontestit kufitar midis Kroacisë dhe Sllovenisë, prandaj Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ishte shumë konkret në Parlamentin Evropian kur e bëri të qartë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që dëshirojnë të bashkohen me Bashkimin Evropian, duhet së pari të zgjidhin të gjitha kontestet kufitare.

Të përkujtojmë se ambasadori francez në Beograd, Frederic Mondoloni, ka deklaruar ditë më parë se nuk do të ketë integrim të Serbisë në Bashkimin Evropian (BE) pa një marrëveshje me Kosovën.

Mediet serbe publikojnë disa “fakte” për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, flitet edhe për një video

Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ka disa regjistrime, por edhe prokurorët në Mitrovicë nuk i morën ato as një javë pas vrasjes.

Mediat serbe raportojnë se autoritetet kosovare po heshtin për rrjedhën aktuale të hetimit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Sipas tyre, kjo po nxit edhe më tej dyshimet se po fshihet diçka.

Megjithatë, përkundër kësaj, gazeta beogradase “Kurir” zbulon jozyrtarisht se posedohen disa regjistrime, transmeton Indeksonline.
Një nga personat që ishte në vendin e ngjarjes dha një dëshmi për fizionominë e vrasësit.

Sipas përshkrimit që ai kishte dhënë në polici, vetura që ngiste personi ishte “Opel Astra” e cila, sipas tij, u ndez nga një burrë i moshës mesatare.

Më tej, ai thotë se i dyshuari kishte një kapuç mbi kokën e tij. Pas vrasjes, i njëjti pretendohet se iku në drejtim të fshatit Suvi Do.

Ndryshe, Policia e Kosovës është deklaruar për raportimet se personi i dyshuar për përfshirjen e vrasjen e Oliver Ivanoviqit të jetë Millan Radojçiq.

Zëvendëskomandanti i PK-së për rajonin Veri, Besim Hoti, në një prononcim për “Indeksonline” ka thënë se Policia do të veprojë konform autorizimeve të Prokurorisë së Shtetit.

“Askush s’ka thënë që pritet të arrestohet (Milan Radojcic). Në asnjë element nuk presim të ndërhyjmë në punën e prokurorëve. Hetuesit policorë punojnë nën autorizimin dhe çdo veprim vjen nga autorizimet e prokurorëve”, ka thënë ai.

Hoti theksoi se organet e sigurisë në asnjë aspekt s’guxojnë të spekulojnë dhe paragjykojnë për raportimet e tilla.

Edhe bashkëshortja e Oliver Ivanoviqit, Milena Popoviq Ivanoviq, deklaroi para disa ditësh se “dihet kush e ka bërë vrasjen, por ata që e kanë bërë këtë duhet ta dinë se kjo nuk do të kryhet aq lehtë”.

Vlen të theksohet se mbi Ivanoviqin atentatorët shtinë nga rruga, e pastaj ikën me veturën e tipit “Opel Astra”, të cilën e kanë djegur.

Gazetarja kosovare bëhet senzacion në Serbi për talljen me Vuciqin (Foto)

Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vucic, nuk e kanë pritur të gjithë me zemër të hapur gjatë vizitës në Kosovë, gjë që është pritur. Por ajo që bën gazetarja Una Hajdari, sipas mediave serbe, ‘i kalon kufijtë e jotolerancës dhe kthehet në urrejtje’.

Ata thonë se pjesëtarja e organizatave joqeveritare në Beograd, përdor çdo mundësi për të poshtëruar Serbinë, presidentin e saj dhe popullin serb që shpesh satanizohet nga ajo, transmeton gazetametro.net.

‘Duket se vizita e Vucicit në Kosovë e ka nervozuar shumë Una Hajdarin, sa që e ka detyruar të i heq të gjitha maskat dhe ka treguar fytyrën e vërtetë të urrejtjes, duke bërë shaka me Vucicin në Twitter’, shkruajnë mediat.

Ajo ka shkruar “ Kur mërzitem në konferencë shtypi”, duke e shoqëruar me fotografinë e Vucicit që ajo është tallur me të.

Por këtë veprim serbet e kanë quajtur si joprofesionalizëm, duke shtuar se asaj i ka dalë urrejtja e vërtetë të cilën e kishte fshehur mirë deri më tani.

Mediet serbe kanë shprehur pakënaqësitë duke thënë se kjo përqeshje është e panevojshme në momentet që Vucici po mundohet të kuptoj dhimbjen e çdo njeriu në Kosovë dhe po mundohet t’iu ndihmojë./TELESHKRONJA POST/

Koci: E turpshme si Qeveria e Kosovës e nderon një kriminel

Zëvendësministrit të Zhvillimit Ekonomik, Gani Koci, iu duk e panevojshme që Qeveria e Kosovës e nisi mbledhjen e sotme me një minutë heshtje në nderim të Oliver Ivanoviqit, të vrarë të martën e kaluar në Veri të Mitrovicës.

Sipas Kocit, nuk kishte pse të nderohej nga Qeveria e Kosovës një i dënuar për krime lufte

Të pabesueshme dhe të turpshme e ka quajtur zëvendësministri Koci nderimin që iu bë politikanit serb Oliver Ivanoviq, që u vra të martën para selisë së tij në Veri të Mitrovicës.

Sipas Kocit, Qeveria, pjesë e së cilës është edhe vetë, me dënimin e vrasjes së Ivanoviqit ka kryer punën e saj në lidhje me këtë rast, prandaj ceremonitë e mëtutjeshme nuk ishin të nevojshme.

“Qeveria do duhej ta dënonte vrasjen e tij siç edhe ka bërë, por të nderohet me një minut heshtje një ish i dënuar për krime lufte dhe i kthyer në rigjykim, kjo nuk do koment”, ka shkruar Koci në Facebook.

Mediumi britanik: Brukseli planifikon të shtojë gjashtë shtete në “perandorinë” e BE-së, përfshirë edhe Kosovën

Eurokratët janë të gatshëm të bien dakord për një afat kohor deri në vitin 2025 për fillimin e procesit që do të shohë Serbinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Shqipërinë, Bosnjën dhe Hercegovinën, si dhe Kosovën të bashkohen me bllokun.

Kështu së paku shkruan mediumi britanik “Express”, përcjell Teleshkronja, sipas të cilit medium, në këtë drejtim edhe është nisur një përpjekje diplomatike për të përshpejtuar procesin, pas disa vitesh vonese.

“Komisioneri evropian Johannes Hahn tha se masa ishte nxitur nga ringjallja e Rusisë, kriza e migracionit, regjimi autoritar i Turqisë dhe dëshira për të forcuar integrimin evropian pas votimit në Mbretërinë e Bashkuar për Brexit”, shkruan ky medium.

Po sipas mediumit, ai ka shtuar: “Ose ne eksportojmë stabilitet në rajon ose importojmë jostabilitet”.

Mediumi britanik thekson se Hahn argumentoi se procesi i zgjerimit të BE-së ishte mënyra më e mirë për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe kërcënimin e autoritarizmit në rajon.

“Një samit i veçantë ballkanik po mbahet në kryeqytetin bullgar Sofje në maj. Një tjetër takim do të mbahet në Britani të Madhe në korrik. Megjithatë, gjashtë vendet duhet të plotësojnë kriteret e anëtarësimit në BE. Sistemet e tyre bankare dhe ligjore janë të dobëta dhe të ardhurat mbeten prapa atyre të eurozonës. Ndarjet e thella vazhdojnë gjithashtu pas konflikteve etnike që çuan në shpërbërjen e Jugosllavisë në vitet 1990”, thuhet në shkrimin e mediumit britanik.

Albin Kurti kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, me 98.82% të votave të fituara

Lëvizja Vetëvendosje ka shpallur rezultatet preliminare të votimit të brendshëm për kryetar të organizatës, sipas të cilave Albin Kurti është zgjedhur kryetar i VV-së, duke fituar 98.82 për qind të votave.

Sipas njoftimit të Lëvizjes Vetëvendosje, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm konstaton se në këtë proces votimi për kryetar të partisë janë shënuar rekorde në pjesëmarrjen e anëtarëve në zgjedhje në shumicën e Qendrave të Lëvizjes Vetëvendosje në Kosovë si dhe në Qendrat në mërgatë, qoftë sa i përket numrit të votave qoftë në përqindjen e pjesëmarrjes.

Sipas rezultateve të shpallura nga Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm për kandidatin për kryetar, Albin Kurti kanë votuar 98.82%, kundër 0.61% , abstenim 0.57% dhe të pavlefshme 0.26%

“Me këtë rast, Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm faleënderon të gjithë aktivistët e përfshirë në menaxhimin dhe administrimin e zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!, për përkushtimin e tyre në mbarëvajtjen e këtij procesi, si dhe falënderojmë të gjithë anëtarët që kanë shprehur sot të lirë vullnetin e tyre mbi të ardhmen e organizatës”.

“I jemi gjithashtu mirënjohës stafit të Komisionit Qendror Zgjedhor të Republikës së Kosovës dhe të Komisioneve Komunale Zgjedhore, për asistencën dhe materialet e votimit të vëna në dispozicion anekënd Kosovës për zhvillimin e procesit të zgjedhjeve të brendshme të Lëvizjes VETËVENDOSJE!”, thuhet në njoftimin e VV-së.

Visar Ymeri, Dardan Molliqaj e Dardan Sejdiu janë në mesin e atyre që nuk votuan. Shpend Ahmeti zgjodhi të dalë në votime pak minuta para mbylljes së vendvotimeve. Ndërkohë, po ky grup, i kryesuar nga ish-shefi i VV-së Visar Ymeri, thuhet se do të formojnë parti të re. Lidhur me bisedat për parti të re, Dardan Molliqaj, ish-sekretar partie, u akuzua edhe nga Ismajl Kurteshi, i cili tani mban po këtë pozitë në VV.

Edi Rama bllokon vendosjen e përmendores së Rugovës në Tiranë

Në një postim të tij në Facebook, Sali Berisha, ish-kryeministër dhe ish-president i Shqipërisë, e ka përkujtuar liderin historik të Kosovës.

Ai ka thënë se Rama e ka bllokuar vendosjen e përmendores së Ibrahim Rugovës në Tiranë. Rama, në faqen e tij në Facebook, nuk e ka përkujtuar përvjetorin e vdekjes së Rugoves, ani pse ai zakonisht përkujton çdo personalitet shqiptar.

Sali Berisha sot ka përkujtuar Ibrahim Rugovën, në 12 vjetorin e vdekjes së presidentit historik të Kosovës.

Kryeministri dhe presidenti i dikurshëm i Shqipërisë ka shkruar në llogarinë e tij në Facebook se vepra e Rugovës është e pavdekshme.

Ai po ashtu ka akuzuar kryeministrin aktual të Shqipërisë, Edi Rama, se ka bllokuar vendosjen e një përmendoreje të Rugovës në Tiranë.

E shefi i ekzekutivit shqiptar, për dallim prej paraardhësit të tij, në faqen e tij në Facebook nuk e ka përkujtuar Rugovën.

Rama zakonisht përkujton çdo personalitet shqiptar në llogarinë e tij në rrjetin social.

Shkrimi i plotë i Berishës:

Sot 12 vjetori i ndarjes nga jeta të Presidentit Rugova!

Të dashur miq, sot është 12 vjetori i ndarjes nga jeta të Presidentit legjendar, gjeniut vizionar të kombit shqiptar, arkitektit të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës. Shqiptarët kudo në botë sot nderojnë me mirënjohje të pakufishme veprën e pavdekshme të presidentit Rugova, burrit të shtetit që shkriu jetën për Kosovën e lire, të pavarur e europiane, dhe për gjithçka që bëri për lirinë dhe dinjitetin tonë kombëtar.

Prej gati pesë vitesh, albanofobi Edvin Kristaq Rama, njeriu që ka vendosur në gjoksin e famziut Bregoviç çelësin e artë të kryeqendrës së vendit, ka bllokuar vendosjen e shtatores së Presidentit Rugova në Tiranë, por Gandi i shqiptarëve, i Ballkanit dhe Europës jeton përjetë në mendjet, në zemrat dhe lirinë e mbarë kombit tonë! sb

Veterani që fyeu ambasadorin amerikan, ka gati 5 milionë euro pasuri

Nasim Haradinaj u bë temë e secilës media muajve të fundit pasi u përplas si mysafir në Kuvendin e Kosovës me disa deputetë, e më pas ai u inkuadrua edhe direkt në krijim të agjendave.

Pasi nisi një debat për kundërshtimin e Speciales, ai bëri gati opinionin për dorëzimin e një kërkesë në Kuvend që kërkonte ta bënte pikërisht këtë gjë, shkruan gazetametro.net.

Ai e dorëzoi këtë dhe ua mundësoi liderëve institucionalë që të veprojnë duke u nisur nga kjo kërkesë e cila mori përkrahjen e deputetëve.

Nga liderët kosovarë u përkrah, por iniciativa e cila burimin e ka nga Nasim Haradinaj dhe anëtarët e tjerë të OVL-UÇK u kundërshtua ashpër nga ndërkombëtarët, e sidomos nga ambasadori amerikan.

Delawie kishte kundërshtuar ashpër këtë nismë duke e konsideruar si ‘thikë pas shpine për Amerikën’, e i cili reagim solli tërheqjen e Kadri Veselit. Por, jo të gjithë u tërhoqën, pasi nisma akoma është gjallë.

Nasim Haradinaj nuk tërhiqej nga ngulmimi për të çuar në vend ‘vullnetin e deputetëve’, e për këtë disa ditë më parë u deklarua sërish, por duke përdorur fyerje ndaj ambasadorit amerikan, Delawie. Këtë të fundit ai e quajti ‘Palaço’.

Kjo ngjalli reagim ndaj Haradinajt, bile erdhi edhe distancimi i të gjithë fytyrave publike. Disa madje e kritikonin se po bëhet njeriu që po do ta mbajë Kosovën në izolim, ndërkohë që vetë ka familjen në Suedi dhe zotëron miliona.

Për këtë, Metro ka marrë raportet e deklarimit të pasurisë të fillimit të vitit të shkuar, ku rezulton se Nasim Haradinaj ka pasuri gati 5 milionë euro, apo thënë saktë 4,511,500 euro.

Haradinaj ka deklaruar 4 milionë e 400 mijë euro tokë të privatizuar. Po ashtu, tokë të trashëguar Haradinaj ka në vlerë 90 mijë euro.

Po ashtu, nënkryetari i OVL ka një veturë 11 mijë eurosh dhe një traktor që e ka vlerësuar 10 mijë e 500 euro.

E për gjithë këto të ardhura Haradinaj nuk ka deklaruar më shumë të hyra se sa nga një punë, ajo në Komunën e Deçanit ku është drejtor, dhe merr jo më shumë se 7 mijë e 900 euro në vit.

Ndërkohë, ai ka deklaruar edhe obligime financiare prej hiç më pak se 80 mijë eurove. Haradinaj ka deklaruar se ka kredi 60 mijë euro në TEB bank ndërkaq 20 mijë në Pro Credit Bank.