Ambasada amerikane përgjigjet për vizen e Haradinajt

Ramush Haradinaj, sipas të gjitha gjasave, nuk do të shkojë në Uashtington për “Lutjet e Mëngjesit”, ndërsa refuzimi i vizës është raportuar të jetë arsyeja.

Ambasada amerikane, e pyetur nga Gazeta Express, nëse SHBA po sanksionon Kryeministrin për shkak se nuk po i dëgjon në heqjen e taksës, është përgjigjur se nuk i “komentojnë rastet individuale të vizave”.

Kryeministri Ramush Haradinaj nuk do të jetë pjesë e “Lutjeve të Mëngjesit”, që organizohen të enjten e parë të shkurtit cdo vit në Uashington. Kështu ka thënë vetë Haradinaj, duke e ndërlidhur mosudhëtimin e tij me vendosjen e taksës.

Në Lutjet e Mëngjesit ftohen liderë nga e gjithë bota, dhe Haradinaj nuk do të jetë aty, ndonëse ka treguar që ka ftesë.

As pas takimit të fundit me ambasadorin e SHBA’së në Prishtinë Philip Kosnett, që është zhvilluar në Zyrën e Kryeparlamentarit Veseli, Haradinaj ka thënë se nuk do të hiqet taksa.

Ambasada amerikane në një përgjigje për Gazetën Express ka refuzuar të tregojë arsyen e pamundësimit të Haradinajt, që të shkojë sivjet në Amerikë.

“Për shkak të kufizimeve të privatësisë Ambasada nuk përgjigjet në pyetjet lidhur me rastet individuale të vizave”, thuhet në përgjigjen e ambasadës amerikane.

Al Jazeera e Ballkanit ka raportuar dje se kryeministrit Haradinaj, i është refuzuar viza amerikane për shkak të taksës ndaj Serbisë dhe Bosnjës dhe Hercegovinës.

Një burim i Departamentit Amerikan të Shtetit i ka thënë Al Jazeera Balkans se ky sanksion vjen pasi që Haradinaj po refuzon ta heqë taksën ndaj Serbisë

Vetë Haradinaj, në konferencën për media një javë më parë, e pranoi se me gjasë nuk do të mund të udhëtojë për në Uashington, për shkak të situatës së krijuar pas vendosjes së taksës.

“Qejf kam pasur, edhe kam. Me këtë klimën me taksën po më duket nuk shkoj kësaj here. Duhet me prit me shku ma vonë”, është shprehur Haradinaj gjatë konferencës për media, transmeton Gazeta Express.

Kryeministri Haradinaj është përballë edhe një vit më parë me probleme e vonesa të vizës amerikane.

Edhe atëherë raportohej se kryeministrit po i bëheshin vonesat e vizës për shkak se nuk po e përkrahte marrëveshjen e demarkimit të kufirit me Malin e Zi.

Megjithatë, Haradinaj në muajin shkurt, me bashkëshorten e tij, kishte udhëtuar në Uashington.

Pas votimit të demarkacionit në mars të 2018-ës, Kryeministri ka zhvilluar vizita të tjera në SHBA dhe takime me zyrtarët më të lartë shtetërorë, si sekretari amerikan i Mbrojtjes, James Mattis, i cili i dha leje për krijimin e ushtrisë. /Express/

Dardan Sejdiu thotë se PSD nuk lëshon pe tek kushtet për qeverinë

Shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, ka folur për kushtet që PSD ia ka vendosur qeverisë së Kosovës, për ta votuar buxhetin e këtij viti në Kuvendin e Kosovës.

Ai ka treguar se Qeveria ka kohë që deri me datën 30 t’i plotësoje katër nga pesë kushtet e vëna.

Sejdiu ka thënë në emisionin “DPT Te Fidani”, shenjat janë që qeveria e Kosovës do t’i përmbush kushtet.

“Ne besojmë që do të plotësohen këtu kushte. Ka kohë edhe disa ditë. Deri më datën 30 mund të plotësohen katër kushte”, ka thënë Sejdiu.

“Nuk ka votë të PSD’së nëse nuk plotësohen kushtet. Kjo i bije që buxheti nuk votohet me datën 31”.

Ai ka thënë se edhe zëvendësimi i Rikallos mund të behët me një emër tjetër.

“ Ne nuk kemi kushte se kush mund të jetë aty. Ne kemi thënë se vetëm Rikallo të mos jetë aty”.

” Ligji për pagat, Ligji për Dialogun, Ligji për Qeverinë, Shkarkimi i z.Rikallo dhe Reforma pensionale janë interes i përgjithshëm dhe nevoja të qytetarëve të Republikës”, kushtet që PSD ia ka vë Qeverisë.

Vuqiq thotë se taksa do hiqet, por pasojat janë të mëdha për Serbinë

Kosova herët a vonë do ta shfuqizojë taksën për prodhimet nga Serbia.

Por ajo tashmë i ka kushtuar Serbisë tepër shtrenjtë, ka thënë të mërkurën presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Nëse do ta heqin, ta suspendojnë apo do të gjejnë ndonjë modus tjetër, një është. Neve na kanë bërë një dëm të madh dhe kanë shkaktuar një tension të madh”, ka thënë ai në RTS.

“Thashë se do të ndodhë ajo tërheqje dhe do të ndodhë. Njësoj është, ne e kemi paguar shtrenjtë”, është shprehur Vuçiq.

Po ashtu ai ka shtuar se, “atë askush nuk do të na kompensojë, as Prishtina, as BE-ja, e as dikush tjetër”.

Komisioneri Hahn flet pas takimin me Thaçin

Në Forumin Ekonomik Botëror në Davos të Zvicrës ka marrë pjesë Presidenti Hashim Thaçi i cili është takuar me Komisionerin e BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn.

Kështu Hahn pas këtij takimi ka shpërndarë një fotografi së bashku me Thaçin, ku ka thënë se ishte një kënaqësi që të takohesh me presidentin kosovar.

“Ne diskutuam për perspektivën evropiane të Kosovës dhe rrugën përpara në dialogun me Serbinë. Është në interesin gjeopolitik dhe ekonomik të BE-së që të ketë rajonin më afër”, shkruan Hhan në rrjetin social Twitter.

 

Albin Kurti tregon se taksa a duhet të hiqet apo të qendrojë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti ka deklaruar se taksa nuk duhet të hiqet.

Ai tha se pavarësisht presioneve, të cilat së fundmi kanë ardhur edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, një gjë e tillë nuk duhet ta zmbraps Qeverinë Haradinaj.

Kurti ka ritheksuar se nuk do të votojnë buxhetin. Madje thotë se si i tillë është buxhet i Qeverisë dhe oborrit të saj, siç e quajti ai.

“Buxheti nuk duhet të kalojë, sepse ai është një buxhet i cili nuk e zhvillon ekonominë e Kosovës. Nuk e zbut pabarazinë dhe varfërinë në Kosovë.”

“Përkundrazi, është buxhet i qeverisë dhe oborrit të saj. Ne kërkojmë sa më parë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Kjo qeveri duhet të shkojë, mirëpo taksa ndaj Serbisë duhet të mbetet”, tha Kurti, raporton KP.





I pyetur se kur janë gjasat që kjo qeveri të rrëzohet, ai tha se kryeministri është dashur tash e sa kohë të jap dorëheqje.

Sepse, sipas tij, kjo qeveri është karakterizuar nga skandalet për shkak të keq qeverisjes dhe korrupsionit. Madje, u shpreh i bindur se viti 2019 do të jetë vit zgjedhor.

Përkundër kësaj, ai tha se e përkrah qeverinë në vendimin për taksën ndaj mallrave serbe. Madje, tha se qeveria nuk duhet të zmbrapset, pavarësisht presioneve të ndërkombëtarëve.

“Taksa 100 për qind ndaj mallrave të Serbisë, nuk duhet të hiqet… Ne kemi insistuar në parimin e reciprocitetit të plotë me Serbinë. Edhe në aspektin politik, por edhe në atë ekonomik dhe tregtar. Serbia neve na ka shumë borxh, ne nuk i kemi borxh Serbisë. Por, qeveria aktuale, ndonëse nuk e bëri taksën qind për qind si pjesë të reciprocitetit, si pjesë të një vizioni, më të menduar dhe më të përgatitur, megjithatë ajo assesi nuk duhet të zmbrapset prej këtij veprimi, por taksa duhet të mbetet qind për qind”, tha ai.

Në 120 vjetorin e Lidhjes së Pejës, Albin Kurti ka bërë homazhe edhe tek shtatorja e Haxhi Zekës. Këtë të fundit ai e ka quajtur si veprimtar të jashtëzakonshëm.

“Haxhi Zeka ka qenë një veprimtar i jashtëzakonshëm, i cili përveç se ishte pjesëmarrës dhe anëtar i komitetit qendror të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, 20 vite më vonë ai e formon, organizon, drejton dhe e udhëheq si kryetar i zgjedhur Lidhjen e Pejës. Dhe natyrisht shënon një etapë tejet të rëndësishme të lëvizjes dhe rilindjes tonë kombëtare… ishte Haxhi Zeka në krye të Pejës, i cili së brendshmi e bënte pajtimin e shqiptarëve dhe në të njëjtën kohë lidhte besën, për t’u mbrojtur në mënyrë të pakursyer ndaj sulmeve të shteteve të tjera të ballkanit, te cilat dëshironin të zgjeroheshin në kurriz të shqiptarëve”, ka përfunduar ai.

Albin Kurti së bashku me anëtar tjerë të Lëvizjes Vetëvendosje, në 120 vjetorin e Lidhjes së Pejës ka vizituar edhe Kullën dhe mullirin e Haxhi Zekës, në Pejë.

Zoran Zaev: “Gjuha shqipe është gjuha e dytë zyrtare në Maqedoni”

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev tha se Kushtetuta e përcakton gjuhën shqipe si gjuhën e dytë zyrtare në atë vend.

Kryeministri maqedonaj, Zoran Zaev, në një prononcim për televizionin maqedonas Alsat-M, shpjegoi se gjuha maqedonase është gjuha e parë zyrtare, shqipja është e dyta dhe se përdorimi i tyre është qartë i specifikuar.

“Për përdorim ndërkombëtar është gjuha maqedonase”, tha Zaev.

I pyetur për të komentuar njoftimin e fundit të qeverisë maqedonase se maqedonishtja është e vetmja gjuhë zyrtare, ai tha se këtë njoftim nuk e kishte parë.

Kujtojmë se ditë më parë Talat Xhaferi, kryetarë i kuvendit të Maçedonisë e ka konfirmuar se gjuha shqipe tash shkruhet edhe në gazetën zyrtare./TeleshkronjaPost/

Aleanca i bie pishman, i kërkon falje ish-kryeministrit Mustafa

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e cila udhëhiqet nga Ramush Haradinaj i ka kërkuar falje Lidhjes Demokratike të Kosovës, për deklaratat që deputeti i AAK’së.

Kjo vije pas disa deklaratave e kundër deklaratave, më e spikatura është ajo e deutetit Bekë Berisha ku e quajti Isa Mustafën “xhenaze politike”.

Komunikata e dërguar tek mediave, nga AAK shkruan se besojnë që gjuha që ka përdorur deputeti ka qenë e paqëllimshme.

“AAK, i kërkon falje ish-kryeministrit Mustafa dhe LDK-së për gjuhën e përdorur nga deputeti Bekë Berisha. Besojmë se mënyra se si është shprehur deputeti Berisha ka qenë e paqëllimtë”, thuhet në njoftimin e partisë.

Në një komunikatë drejtuar mediave, nga LDK-ja kanë shkruar se Berisha e ka shpallur të vdekur Mustafën.

“Duhet ta marrim seriozisht faktin që një deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, i partisë së Kryeministrit, e shpall dhe kërcënon për xhenaze vertikale politike, kryetarin e partisë më të madhe në vend, LDK-së, e cila është në opozitë.

Problemi nuk qëndron se në Kosovë kemi individ me mendësi të prodhuesve të kufomave, por është trishtuese që një i tillë është i propozuar nga AAK dhe ka marrë mandatin e përfaqësuesit të popullit në Kuvendin e Kosovës”, shkruhet në komunikatë.

Këto deklarata nga LDK-ja i kanë cilësuar si kërcënime ndaj Isa Mustafës, ndërkaq, kanë shkruar se LDK-ja dhe Kosova kanë përjetuar mjaftueshëm xhenaze për arsye politike.

“LDK-ja konsideron se deputeti nuk ka imunitet të shpallë dhe kërcënojë kryetarin e LDK-së si të vdekur, për faktin se ai e konsideron kundërshtar politik.

LDK-ja dhe Kosova kanë përjetuar mjaft xhenaze për arsye politike nga dora e njerëzve me mendësi dhe vepra kriminale. Të tillët nuk e kanë vendin në Kuvendin e Kosovës, si të përzgjedhur të partive politike, por e kanë vendin para ligjit, duke dhënë përgjegjësi për shpalljet e kërcënimet e tyre kriminale.”

Deputeti Berisha ka thënë në emisionin “DPT Te Fidani”, se “Isa Mustafa është një xhenaze vertikale politike”.

“As hair, e as dëm nuk mund të bëjë”, është shprehur Berisha.

Ai ka thënë se Mustafa nuk ka të drejtë të kritikojë qeverisjen e Ramush Haradinajt, duke vlerësuar se Kosova nuk ia ka parë aspak hairin qeverisjes së Mustafës në vend.

Pas Ramës edhe Thaçi përmendë bashkimin kombëtar

U bënë 103 vjet nga vrasja e Isa Boletinit, njërit prej udhëheqësve kryesorë të kryengritjeve shqiptare. Bashkimi kombëtar dhe fuqizimi i kombit tonë ishte porosia që na e la Isa Boletini. Përpjekjet e tij një shekull më parë për çlirimin e trojeve etnike përbëjnë ende frymëzim për shumë breza të rinj dhe amaneti i Isa Boletinit dhe patriotëve të tjerë, që dhanë jetën për bashkimin e shqiptarëve, na obligon edhe sot që të punojmë pareshtur për përmbushjen e aspiratave tona. HTH

Këto janë fjalët e Thaçit në përkujtimin e Isa Boletinit, por ajo që bie në sy është përmendja e bashkimit kombëtarë, diçka për të cilen nuk e ka përmendur që nga shpallja e pavarsisë së Kosovës me 17 shkurt 2018.

Ditë më parë edhe kryeministri i Shqipërisë në një debat në Facebook citoi po të njejtat fjalë, shkruan Teleshkronja Post.

Përndryshe, sot bëhen 103 vjet nga vrasja e Isa Boletinit, njërit prej udhëheqësve kryesorë të kryengritjeve shqiptare.