​A është ftuar Kadri Veseli nga Gjykata Speciale? Flet Kadri Veseli

Kryetari i PDK-së Kadri Veseli ka thënë që është i gatshëm të përgjigjet nëse merr ftesë për intervistim nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Ai në intervistën për Televizion 7 tha se e ashtuquajtura Gjykata Speciale ende nuk i ka dorëzuar ftesë.

Kryeparlamentari tha se që sot është i gatshëm të shkoi në Speciale, nëse merr ftesën.

“Unë nuk besoj që luftëtarët e UCK-së kanë gabuar me vetëdije”, tha Veseli për emision “Frontal” në T7.

Kadri Veseli, tutje, shtoi se ish-komandantët që u intervistuan nga Haga kanë mbrojtur dinjitetshëm fytyrën e tyre dhe të luftës çlirimtare të Kosovës. /GazetaExpress/TeleshkronjaPost/.

Bizneset në Drenas vendosin flamujt që tregojnë prejardhjen e produktit

Bizneset e Komunës së Drenasit vendosin flamujt që tregojnë prejardhjen e produktit

Komuna e Drenasit ka filluar zbatimin e urdhëresës së MTI-së për vendosjen e flamujve ne të gjitha produktet.

Ne bazë të raportit të Inspektorëve komunal, është konstatuar se të gjithë Operatorët Ekonomik në Komunën e Drenasit, me urdhëresën e MTI-së për caktimin e formës, përmbajtjes dhe përdorimin e flamurit mbi origjinën e produktet, të gjithë operatorët kanë vendosur flamurin duke treguar prejardhjen e produktit.

Inspektorët komunal, kanë inspektuar dyqanet dhe operatorët ekonomik dhe kanë raportuar se ne të gjitha lokalet kanë respektuar urdhëresën e MTI-së për prejardhja e produktit ne bazë të flamurit.

Komuna Skenderajit ndanë 50 mijë euro bursa për studentë

Komuna e Skenderajt ka shpallur sot konkursin publik për ndarjen e bursave për studentë të kësaj komune.

Kryetari Bekim Jashari, ka thënë se vlera e përgjithshme e kësaj mbështetjeje është 50 mijë euro, nga të cilat do të përfitojnë 100 studentë, përkatësisht 500 euro për student.

“Ky është vetëm një nga veprimet tona drejt përmirësimit dhe sigurimit të kushteve më të mira për studentët e komunës sonë, në avancimin e tyre profesional. Shpërndajeni sa më shumë këtë informatë, në mënyrë që studentët tanë të përfitojnë nga kjo mundësi”, ka thënë kryetari i Komunës së Skenderajt”, ka shkruar Jashari.

Informatat e hollësishme rreth konkursit, janë publikuar në faqen zyrtare të Komunës:

https://kk.rks-gov.net/skenderaj/

Sulmi terrorist kundër Shtëpisë së Bardhë ndalohet

Një 21-vjeçar u arrestua në Xhorxhia, në juglindje të SHBA-së, pasi u përpoq të blejë eksploziv dhe një antitank me synimin për të zhvilluar një sulm kundër Shtëpisë së Bardhë në emër të xhihadit, njoftuan autoritetet amerikane.

Byung Pak, prokuror federal i Xhorxhias, ishte pjesë e aksionit të arrestimit të mërkurën në mbrëmje të Hasher Taheb, pas një hetimi gati një vjeçar nga policia federale (FBI).

Ky hetim kishte filluar pas një informacioni nga një anëtar i komunitetit lokal, sipas të cilit i riu ishte radikalizuar, transmeton ATSH.

Sipas akuzës, ky banor i qytetit Kaming u përpoq të rekrutonte informatorë dhe një agjent të FBI-së që operonte si agjent i fshehtë për projektin e tij për të sulmuar Shtëpinë e Bardhë dhe objektiva të tjera në kryeqytetin amerikan.

Rama bëhet edhe ministër i Jashtëm, Meta i jep dekretin

Presidenti Meta dekretin kryeministrin Rama edhe në postin e ministrit të Punëve të Jashtme dhe Evropës.

Sipas zëdhënësit të shtypit të institucionit të Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, Metës më datë 14 janar 2019, i është paraqitur propozimi i ri për emërimin e z. Edi Rama, Kryeministër edhe në funksionin e ministrit për Evropën dhe Punët e Jashtme.

“Emërimi i Kryeministrit edhe në detyrën e Ministrit është një rast i veçantë, që nuk parashikohet dhe as ndalohet nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.

Presidenti i Republikës vlerësoi këtë propozim në përputhje me frymën që përcjell Kushtetuta dhe jurisprudenca e Gjykatës Kushtetuese, duke bërë një interpretim të zgjeruar dhe fillestar të dispozitave kushtetuese, si dhe duke mbajtur në konsideratë faktin që, ushtrimi i detyrës së Ministrit nga Kryeministri është një veprimtari shtetërore që shtrihet brenda sferës ekzekutive pjesë e kabinetit qeveritar, struktura e të cilit është në të drejtën e Kryeministrit për t’u propozuar.

Në shqyrtimin e këtij propozimi Presidenti i Republikës, në cilësinë e Kreut të Shtetit, ka mbajtur në konsideratë edhe rëndësinë e evitimit të çdo mundësie për krijimin e një krize institucionale, e cila do të dëmtonte pozitën e Republikës së Shqipërisë në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Presidenti i Republikës, në mbështetje të nenit 93 dhe 98 pika 1 të Kushtetutës, sot më datë 18.01.2019, ka vendosur me Dekret që :

Z.Ditmir Bushati ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme, shkarkohet nga kjo detyrë dhe zoti Edi Rama, Kryeministër, emërohet edhe ministër për Evropën dhe Punët e Jashtme”, thuhet në reagim.

Lajm i mirë nga Banka Botërore për Kosovën

Kosova është një nga shtetet më të varfëra në europë, por kjo nuk ka ndikuar në raportin e Bankës Botërore për zhvillimin ekonomik.

Rritja ekonomike në Kosovë këtë vit dhe në dy vitet e ardhshme, pritet të arrijë në 4.5 për qind, thuhet në raportin e fundit ekonomik për Ballkanin Perëndimor të Bankës Botërore.

Krahasuar me vendet e rajonit, sipas raportit, rritja më e madhe ekonomike pritet të jetë në Kosovë.

Rritja ekonomike për vendet tjera të Ballkanit Perëndimor për vitin 2019 është: Shqipëria 3.6 për qind, Maqedonia 2.9 për qind, Serbia 3.5 për qind, Mali i Zi 2.8 për qind, kurse rritja ekonomike për Bosnjë Hercegovinën ishte 3. 4 për qind./TeleshkronjaPost/

Sot në Kosovë një vizitë e rëndësishme, tema kryesore pezullimi i taksës

Zhvillimet interesante të ditëve të fundit duke përfshirë edhe kërkesën e përsëritur për taksë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës ka bërë që Johanes Hahn të vijë për vizitë në Kosovë.

Kyeministri Haradinaj, ka folur sot për vizitën e komisionerit për Zgjerim të Bashkimit Evropian, Johannes Hahn, që do t’ia bëjë sot Kosovës.

Sipas agjendës Hahn do të takohet edhe me Haradinaj sot pasdite rreth orës 16:15 sipas njoftimit të qeverisë.

Hahn po e viziton Kosovën në një kohë kur Qeveria e vendit është vënë nën presion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian për ta hequr taksën prej 100 % ndaj mallrave të Serbisë dhe Bosnjës, të vendosur dy muaj më parë.

“Kosova ka të arritura në agjendën evropiane, MSA-në dhe agjendën ERA. Komisioneri është palë për Kosovën në këtë agjendë. Njëkohësisht kemi edhe vizita për taksën. Taksa ndërlidhet me njohjen dhe jo me këto dy të parat. E mirëpresim çdo sugjerim apo ide”, tha Haradinaj të enjten në mëngjes pasi vendosi lule te shtatorja e Skënderbeut në qendër të Prishtinës, në shënim të përvjetorit të vdekjes së heroit kombëtar shqiptar.

Vjedhje me armë në një kazino në Prishtinë, policia jep detaje

Një grabitje e armatosur ka ndodhur të mërkurën rreth orës 23:00 të mbrëmjes në Prishtinë.

Grabitja në fjalë ka ndodhur në një lokal kazinoje në Rrugën B, në kryeqytet.
Rastin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prishtinës, Agron Borovci.

“Rreth orës 23:00 policia ka marrë informatën për një grabitje të armatosur të ndodhur në një lokal kazinoje në Rrugën B në Prishtinë. Menjëherë pas marrjes së informatës policia ka dalë në vendin e ngjarjes dhe mbështetur në informacionet e para dyshohet se dy persona të armatosur dhe të maskuar kanë arritur që të grabisin një sasi parash nga lokali në fjalë”, ka thënë Borovci.

Policia tashmë ka filluar një hetim lidhur me rrethanat që karakterizojnë këtë rast, si dhe për të identifikuar personat e implikuar.

/TeleshkronjaPost/