Deputeti i dhuron një kamion ushtarak FSK’së

Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Gani Dreshaj, ka dhuruar një kamion për Forcën e Sigurisë së Kosovës.

Deputeti nga Istogu, që njihet bizneset e tij të shumta, madje edhe për pronësinë e lokaleve striptiz, ka vendosur që t’i bëj një dhuratë Ushtrisë së Kosovës.

Dreshaj i ka dhuruar FSK-së në Istog një kamion të Ushtrisë, të modeli gjerman.

“Kur janë bërë gati 3 muaj nga votimi i Ushtrisë në Kuvendin e Kosovës, kam vendosur që FSK-së në Istog t’i bëj një dhuratë të vogël. Nipi im, Adnani dorëzoi çelësat e kamionit të Ushtrisë, model gjerman, të cilin e kisha blerë pak vite më parë për rekreacione në Bjeshkë, që është pasioni më i madh që kam. Vota për Ushtrinë e Kosovës në Kuvend për mua përbën një nga aktet më emocionale e krenare që kam në jetë” shkruan Dreshaj në Facebook.

Pse u refuzua kërkesa për pezullimin e 19 mijë e 500 pensioneve të veteranëve

19 mijë e 500 veteranëve në Kosovë nuk do t’u ndërpritet pensioni. Kështu ka vendosur sot Gjykata Themelore e Prishtinës, pasi refuzoi kërkesën e Prokurorisë Speciale për të bërë një gjë të tillë. Ky vendim u mor nga një gjyqtare dhe arsyetimi i saj është se prokuroria nuk e ka bërë të besueshëm propozimin e saj që të pezullohen 19 mijë e 500 pensione.

Gjykata Themelore e Prishtinës ka marrë vendim sot për refuzimin e kërkesës për pezullimin e pensioneve të veteranëve të UÇK-së.

Javën e kaluar në këtë gjykatë u mbajt seanca ndaj 10 të akuzuarve për rastin e “veteranëve të rrejshëm”. Aty, Prokuroria Speciale e bëri kërkesën për pezullimin e pensioneve, kërkesë kjo që u kundërshtua ashpër nga avokatët mbrojtës të të akuzuarve.

Enver Krasniqi, prokurori i këtij rasti arsyetoi kërkesën e tij për pezullimin e pensioneve të 19 mijë e 500 veteranëve, ku tha se si rezultat i veprës penale nga të pandehurit është dëmtuar buxheti i Kosovës dhe po vazhdon të dëmtohet.

“Prandaj duke konsideruar buxhetin e Kosovës si interes publik, prokurori i shtetit ka autorizim të plotë ligjor për të kërkuar një gjë të tillë”, ka thënë Krasniqi.

Të akuzuar në këtë aktakuzë janë Agim Çeku, Nuredin Lushtaku, Shkumbin Demaliaj, Shukri Buja, Rrustem Berisha, Faik Fazliu, Smajl Elezaj, Fadil Shurdhaj, Xhavit Jashari, Ahmet Daku dhe të tjerë. Por, për këta dy të fundit lënda u veçua pasi që nuk ishin të pranishëm në seancë gjyqësore.

Mirëpo, avokatët e të akuzuarve thanë se kjo kërkesë është e pabazuar nga ana e Prokurorisë Speciale.

Avokati i Agim Çekut, Ramë Gashi, e quajti të kundërligjshme kërkesën për masë e sigurisë ndaj qytetarëve dhe se prokurori nuk ka asnjë procedurë të përfunduar, “nuk ka asnjë akt përfundimtar lidhur me ndonjë akuzë dhe asnjë vendim të anuluar në asnjë procedurë ligjore të ligjeve në fuqi për asnjë nga këta persona”.

Sot, në një bisedë për Gazetën Express, avokati Gashi tregoi se arsyetimi i Gjykatës për mospranimin e kërkesës së prokurorisë, bazohet pikërisht në pikën e lartcekur, se Prokuroria nuk ka asnjë vendim në dorë për 19 mijë veteranët, për të paktën asnjërin prej tyre që iu është anuluar e drejta e tillë.

“Prokuroria nuk e ka asnjë vendim në dorë për 19 mijë personat që së paku për njërin prej tyre, iu është anuluar e drejta e tillë, në çfarëdo procedure ligjore”, tha Gashi, duke treguar në vija të trasha për arsyetimin e Gjykatës për refuzimin e pezullimit të pensioneve.

Kështu vlerëson edhe Arianit Koci, avokati i të akuzuarit Shkumbin Demalijaj, në seancën ku u paraqit kjo kërkesë e Prokurorisë.

“Kërkesa për masë të sigurisë është non sens. Deri më tani nuk kemi asnjë vendim gjyqësor se ndonjëri prej 19 mijë e 500 personave që merr pension e ka marrë këtë në mënyrë të kundërligjshme. Prokuroria e përfaqëson shtetin e shteti del skajshmërisht jo serioz”, ka thënë Koci.

E sipas avokatit Ramë Gashi, në arsyetimin e Gjykatës thuhet se nuk janë plotësuar kushtet që të aprovohet një kërkesë e tillë e Prokurorisë për pezullimin e pensioneve.

“Prokuroria nuk e ka bërë të besueshme pretendimin e saj kur ka kërkuar masë ndaj personave të tretë, me arsyetimin se kanë kry veprën penale, në një fazë kur gjykimi nuk ka fillu ende”, tha Gashi duke cituar arsyetimin e Gjykatës.

Ai gjithashtu tha se Gjykata i ka pranuar shpjegimet e mbrojtjes që i ka dhënë në kundërshtimet e kërkesës së Prokurorisë, dhe arsyetimin ligjor që mbrojtja e ka dhënë.

Vendimin për refuzimin e kërkesës së Prokurorisë Speciale lidhur me pezullimin e pensioneve të 19 mijë e 500 veteranëve, u mor nga gjyqtarja Nushe Kukaj Mekaj. Express ka tentuar të bisedojë me të lidhur me këtë çështje, por ajo refuzoi të flasë, duke thënë që për këtë çështje të kontaktohet zëdhënësja për media e Gjykatës, Mirlinda Gashi.

Edhe kjo e fundit ishte e paqasshme përmes telefonit.

Prokuroria Speciale e Kosovës kishte ngritur aktakuzë për veteranët mashtrues vitin e kaluar. Nga provat e siguruara deri më tani është vërtetuar se nga pagesat e kundërligjshme për veteranët luftëtarë të UÇK-së, buxheti i Republikës së Kosovës është dëmtuar në shumë prej 68.153.533.14 euro.

Aktakuza thotë se të akuzuarit, si anëtarë të Komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit, pjesëtarit dhe të internuarit të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në cilësinë e personave zyrtarë, me dashje kanë tejkaluar kompetencat e tyre, si dhe nuk i kanë përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që t’ua mundësojnë personave të tjerë të përfitojnë kundërligjshëm në vazhdimësi në dëm të buxhetit të Republikës së Kosovës.

Prokuroria Speciale ka propozuar që pas administrimit të provave dhe përfundimit të shqyrtimit gjyqësor të pandehurit për veprën penale që u vihet në barrë, të shpallen fajtorë dhe të gjykohen sipas ligjit./GazetaExpress/

Fondi 3%: Aktakuzë ndaj Bukoshit e Osmanit ?

Bujar Bukoshi, Naser Osmani dhe Atdhe Gashi po akuzohen se kanë keqpërdorur para të Fondit të Trepërqindëshit. Prokuroria ka ngritur aktakuzë para një viti por tek tash është bërë publike. Fondi pas përfundimit të luftës kishte 50 milionë marka.

Kjo aktakuzë u mbajt e fshehtë për një vit të tërë. E ekzistencën e saj e konfirmoi edhe kryeprokurori i Speciales, Reshat Millaku. Mirëpo, nuk dha detaje të tjera për procesin.

Të akuzuar për keqpërdorim janë ish kryeministrit Bujar Bukoshi, asistentit të tij Atdhe Gashi dhe deputetit të LDK’së, Naser Osmani.

E ky i fundit, i pyetur nga T7 për akuzën që rëndon mbi të, dha një përgjigje origjinale.

Aktakuza për Fondin e 3% ishte ngritur nga prokurori Faik Selimi i cili u pensionua vitin e kaluar. Më pas kjo lëndë kaloi tek prokurori Atdhe Dema.

E ngritjen e aktakuzës e ka konfirmuar edhe Bujar Bukoshi. Ai për Express ka konfirmuar se ka nisur procesi gjyqësor. Ka refuzuar të flasë më shumë duke këshilluar që të kontaktohet avokati i tij, Besnik Berisha.

Ky i fundit nuk ka dhënë detaje rreth procesit, mirëpo thotë që nuk e ka përfaqësuar Bukoshin në asnjë seancë në Gjykatë.

Bujar Bukoshi aktualisht s’ka asnjë funksion publik përveçse është në rehabilitim nga një sëmundje e rëndë. Ndërsa, Naser Osmani është deputet i LDK’së i cili para disa ditësh u shpall i pafajshëm për një akuzë tjetër për privatizim.

Hetimet ndaj tre të akuzuarve për Fondin e Trepërqindëshit kishin nisur në vitin 2016 kur ishte raportuar se viteve të fundit ishin tërhequr rreth gjysmë milioni euro të Fondit.

Pasluftës, ish-Ministri i Financave, Isa Mustafa, kishte thënë se kanë tepruar rreth 50 milionë marka.

Fondi i Tre pëqindëshit ishte themeluar nga Qeveria e Bujar Bukoshit që kishte vepruar jashtë Kosovës para luftës. Një pjesë e atyre fondeve ishin përdorur për t’i paguar mjekët, profesorët e mësuesit në institucionet paralele.

Problemi i fondeve të paraluftës ishte trajtuar edhe në Zona Express. Aty, ishte cituar një raport ku tregoheshin sa mjete ishin mbledhur nga Fondi i Tre përqindshit.

Deri më tash s’ka pasur asnjë raportim transparent për këtë fond por edhe për fondin tjetër Vendlindja Therrët i themeluar nga ish-udhëheqësit e UÇK’së, për të cilin ishin përplasur ditë më parë Anton Quni e Xhavit Haliti.

Eliza Hoxha dhe Fisnik Ademi i bashkohen PDK’së / Foto

Arkitektja dhe artistja Eliza Hoxha i është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës.

Lajmin e ka bërë të vetë kryetari i PDK-së, Kadri Veseli, përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook.

Veseli ka njoftuar se Hoxha do të jetë e angazhuar në Degën e PDK-së në Prishtinë.

“Mirë se erdhe në PDK, Eliza. Profesionalizimi dhe dashuria jote për Prishtinën janë vlerë e madhe në Dekadën e Re, ndërsa PDK mbetet hapësira më e mirë për secilin që ka vizion, plan dhe dëshirë për ta ndryshuar vendin. Me ty dhe të tjerët, Dega e PDK-së në Prishtinë i jep Kryeqytetit atë që po i mungon prej kohësh: vullnetin për t’ia zgjidhur problemet”, ka shkruar Veseli.

Poashtu edhe aktori i njohur kosovar i është bashkuar Partisë Demokratike të Kosovës.

Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Uran Ismaili, ka bërë të ditur se aktori i njohur, Fisnik Ademi, i është bashkuar këtij subjekti politik.

Ismaili e ka publikuar një fotografi me Ademin në Instastory, kështu duke treguar se ai zyrtarisht ka hyrë në strukturat e PDK-së.

Ademi është zgjedhur kryetar i nëndegës së PDK-së në lagjen Arbëria në Prishtinë.

Polici Izet Demaj dekorohet me Urdhrin “Hero i Kosovës.”

Sot pasdite është dekoruar me Urdhrin “Hero i Kosovës,” polici i rënë gjatë detyrës në Istog, Izet Demaj.

Kjo është bërë e ditur nga vet Presidenti Hashim Thaçi përmes një postimi në rrjetin social ”Facebook”.

Në status Thaçi shkruan:
Në familjen e policit Izet Demaj, që ra në krye të detyrës më 27 dhjetor 2018. Urdhrin “Hero i Kosovës” ia dorëzova vajzës së heroit, Valëzës. HTH

Kujtojmë se Polici Izet Demaj u vra gjatë detyrës në Istog në shkëmbim zjarri me grabitësin e një banke./TeleshkronjaPost/

331 vota për, Parlamenti Evropian jep mbështetje të madhe për liberalizimin e vizave

Parlamenti Evropian ka votuar të enjten për të vazhduar mandatin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Ky votim ka qenë pjesë e një hapi ligjor, në mënyrë që të vazhdohet mandati i këtij procesi edhe në kohën e tranzicionit, pasi zgjedhjet në Bashkimin Evropian do të mbahen në muajin maj.

Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon ka thënë në një postim në Twitter se tani i takon Këshillit Evropian të bëjë punën e tij.

Lajmi është publikuar edhe nga kryeministri Haradinaj.

“Nën lidershipin e eurodeputetes Tanja Fajon – në Parlamentin Europian me 331 vota për, u konfirmua për të dytën herë mandati për fillimin e trialogut për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Një vullnet kaq i fuqishëm politi, që buroi sot nga Parlamenti Europian në Strasburg, rikonfirmon për të disatën herë se institucionet e Kosovës i kanë përmbushur të gjitha kushtet e parashtruara, siç e ka konfirmuar edhe Komisioni Europian në Bruksel vitin e kaluar.

Është tërësisht e padrejtë, frustruese, dhe e dekurajuese që qytetarëve të Kosovës vazhdon t’u mohohet e drejta e fituar për lëvizje të lirë në Europë.

Në emër të institucioneve dhe qytetarëve të Kosovës, u bëjmë thirrje kryeqyteteve të shteteve anëtare të Bashkimit Europian, që t’i japin drejtim dhe epilog çështjes së liberalizimit të vizave për Kosovën, si e drejtë e fituar dhe e pakontestueshme, tani kur bëhen shtatë vjet nga data kur na është dorëzuar udhërrëfyesi për vizat.

Kosova vazhdon të mbetet e fokusuar në përkushtimin e saj për avansimin e rrugës sonë drejt Bashkimit Europian, dhe u qëndron fuqishëm besnike vlerave dhe parimeve për të cilat jemi zotuar bashkë në Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit” shkruan kryeministri në njoftim.

Tanja Fajon kritikon ashpër BE-n, thotë se qytetarëve në Kosovë po iu humbet shpresa

Parlamenti Evropian ka diskutuar të mërkurën rreth liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës.

Në mesin e diskutimeve mes përfaqësuesve evropianë ka pasur dallime të qarta në qëndrime rreth regjimit të vizave për Kosovën.

Megjithatë, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Tanja Fajon ka thënë se Bashkimi Evropian ka dështuar që të realizojë premtimet e tij ndaj Kosovës.

“Rritja e radikalizmit nuk ka të bëjë me kufizimin e udhëtimit sidomos për të rinjtë dhe për qëllime të vizitave. Mirëpo po, rritja e radikalizimit mund të jetë rezultat i izolimit të Kosovës dhe dëshprimit pasi BE-ja ka dështuar të realizojë premtimin e saj”, është shprehur ajo.

Fajon e ka përmendur sërish se Kosova ka përmbushur të gjitha kushtet e vëna nga blloku evropian. Përveç kësaj ajo ka thënë se:

“…nëse ju sot thoni se Kosova nuk ka përmbushur obligimet ju thjesht jeni duke gënjyer, jeni duke u treguar të papërgjegjshëm”.

Përveç kësaj raportuesja për Kosovën ka thënë përmes një postimi në Twitter se “Evropa është duke humbur kredibilitetin dhe qytetarët e Kosovës po humbin shpresën”.

Pas këtyre diskutimeve, Parlamenti Evropian pritet të votojë të enjten për hapat e ardhshëm të këtij procesi.

Procesi i liberalizimit të vizave ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian ka filluar në vitin 2012. Bashkimi Evropian i kishte vënë Kosovës si detyrë të plotësojë 95 kritere për të marrë rekomandimin pozitiv për liberalizim të vizave nga Komisioni Evropian.

Një rekomandim të tillë, Komisioni Evropian e ka bërë në korrik të vitit 2018, ndërkaq në shtator të po atij viti, Parlamenti Evropian kishte votuar në favor të liberalizimit të vizave për Kosovën.

Në muajin dhjetor të vitit të kaluar, Këshilli i Ministrave nuk e vendosi fare në agjendën e takimit të tyre çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

Kosova është vendi i vetëm në rajon, qytetarët e së cilës i nënshtrohen regjimit të vizave në zonën Shengen.

E FUNDIT: Lirohet nga paraburgimi avokati Gazemnd Halilaj

Sot me kërkesë të prokurorit është liruar nga paraburgimi avokati Gazmend Halilaj mëson Teleshkronja Post.

Avokati Gazmend Halilaj ishte arrestuar nën dyshimin se ka kryer veprat penale – keqpërdorim i detyrës zyrtare, keqpërdorim seksual duke keqpërdorur pozitën zyrtare apo profesionin dhe frikësim gjatë procedurës penale.

Ai ishte në paraburgim që nga data 1 mars, por sot burime të portalit teleshkronjapost.info kanë mësuar se prokurori i rastit ka kërkuar lirimin e tij nga kjo masë.

Avokatit nga Drenasi Gazmend Halilaj, i është ndërruar masa nga paraburgimi në arrest shtëpiak.

Kujtojmë se avokati Halilaj ishte i pari që nxori në media lajmin për përdhunimin seksual të të mitures nga Drenasi, rast i cili ngriti reagime të shumta në opinionin kosovarë dhe më tej./TeleshkronjaPost/