Barcelona fiton matematikisht titullin e La Ligas

Barcelona e ka siguruar edhe matematikisht titullin e kampiones së La Ligës për këtë sezon. Për ta arritur këtë sukses, Lionel Messi u tregua edhe një herë vendimtar për katalonasit, duke e shënuar golin e fitores.

Katalunasit e mposhtën Levanten me rezultat 1-0 në Camp Nou. Përkundër që trajneri Ernesto Valverde kishte vendosur ta linte Lionel Messin në stol, duke e mbajtur në mendje ndeshjen e mesjavës kundër Liverpoolit, ai u detyrua ta thërrasë atë për ndihmë sapo filloi pjesa e dytë.

Kapiteni i Barcelonës e dëshmoi pikërisht talentin e tij, pasi që arriti ta shënojë golin e fitores, i cili ia siguroi klubit katalonas titullin e La Ligës, në këtë ndeshje.

Argjentinasi ishte i rrethuar nga disa mbrojtës brenda zonës së portierit, mirëpo ai arriti t’i gjejë hapësirat dhe e shënoi golin e vetëm të ndeshjes.

Kjo është hera e tetë në 11 sezonet e fundit, si dhe e 26-ta në histori, që Barcelona ka arritur të shpallet kampione e Spanjës.

Rrugëtimin drejt këtij titulli, skuadra e Ernesto Valverdes e filloi pikërisht para 252 ditëve, me fitore 3-0 ndaj Alavesit.

Loading...