Surroi: Kosovën e presin vite të vështira (Video)

Publicisti Veton Surroi ka thënë se me përpjekjen e për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, Kosovës i është bërë një dëm i madh.

Surroi, në emisionin “Debat D” në RTV Dukagjini, ka thënë se vitet që na presin nuk janë të lehta dhe Kosovës i nevojitet një përkrahje kritike ndërkombëtare.

“Nëse ne nuk kemi përkrahje nga ndërkombëtare, ballafaqohemi me sfida shumë të mëdha dhe atëherë gjendja jonë do të jetë edhe më e pafuqishme se që kemi sot”, ka thënë Surroi.

Surroi ka folur edhe për Qeverinë ‘Haradinaj’, duke thënë Kosova ka parë më shumë skandale se kurrë më parë gjatë 100 ditëve të para të qeverisjes së vendit nga Ramush Haradinaj.

“Kjo Qeveri ka krijuar më shumë befasi, çdo ditë, sa që çdo befasi e ka lënë mënjanë befasinë e mëparme”, ka deklaruar ai.

“Përderisa një pjesë e opinionit publik është marrë me numërimin e ministrave e zëvendësministrave, e njëjta qeveri fali në formë jo ligjore, jokushtetuese, borxhin prej 58 milionë euro ambalazhuesve të ujit, dha para për pjesëmarrësit e grupit të Kumanovës… Mori vendime për ngritje të pagave që janë po ashtu në kundërshtim me ligjin, dhe në fund mori një vendim që ka gjasa të jetë më i dëmshmi për vendin, kjo është kontrata për termocentralin Kosova e Re”, tha Surroi.

PDK shkarkon Bekim Haxhiun nga pozita e nënkryetarit në Skenderaj dhe përjashton nga partia shtatë anëtarë

Kryesia e degës së PDK-së në mbledhjen e mbajtur sot, të udhëhequr nga Kryetari i degës Sami Lushtaku, ka marrë vendim që të përjashtojë nga Partia Demokratike e Kosovës dega në Skenderaj 7 anëtarë të zgjedhur në Kuvendin komunal të Skenderajt dhe të shkarkojë nga posti nënkryetarit të Degës, Bekim Haxhiun.

Në një komunikatë për medie, dega e PDK-së ka njoftuar se me vota unanime të anëtarëve të Kryesisë pjesëmarrës në mbledhje, janë përjashtuar 7 anëtarë të saj.

Ndërsa vendimi ka ardhur për shkak të mosrespektimit të vendimit unanim të organeve të partisë lidhur nominimin e kandidatit të PDK-së për kryesues të Kuvendit Komunal, duke u rreshtuar krah subjekteve opozitare në Kuvend dhe duke shpërfillur madje edhe ftesat për konsulta nga organet drejtuese të PDK-së.

”Këto veprime, Kryesia e degës i cilëson si shkelje flagrante të Statutit të PDK-së, neni 65 paragrafi 1, sipas të cilit ‘Të gjithë anëtarët e PDK-së, përfshirë edhe ata që janë në pozita të larta udhëheqëse brenda PDK-së të cilët shkelin statutin, vendimet e organeve të PDK-së, programin, devijojnë nga politika e PDK-së, se në ndonjë formë tjetër shkelin parimet dhe vlerat e PDK-së, ndaj tyre shqiptohen masa disiplinore’, paragrafi 2 ‘masa disiplinore’. Pika (f), ‘Përjashtimi nga PDK’”.

Në bazë të vendimit anëtarët e Kuvendit të përjashtuar nga PDK janë:

1.Azem Gashi, 2. Musa Fazliu, 3.Fatbardha Haliti, 4.Ilir Ejupi, 5.Sami Aruqi, 6.Driton Hetemi, 7.Fatlume Kodra.

Gjithashtu Kryesia e degës, me propozim të Kryetarit Sami Lushtaku ka marrë vendim që të shfuqizojë vendimin e më hershëm për emërimin e Bekim Haxhiut nënkryetar i degës së PDK-së në Skenderaj.

Në bazë të këtij vendimi Bekim Haxhiu që nga sot (e marte) nuk është nënkryetar i degës së PDK-së në Skenderaj, ndërsa i njëjti vazhdon të jetë anëtar i Kryesisë së degës së PDK-së në Skenderaj”, thuhet ne komunikatë.

Kosovës i mungojnë 10 mijë kamerierë profesionistë

Kryetari i Shoqatës së Hotelerisë dhe Turizmit, Xhevdet Hyseni, tha se do të organizojnë për shënimin e “Ditës së Hotelerisë”, me Gala mbrëmjen e hotelierëve dhe gastronomëve, që mbahet më 25 janar në Gjakovë dhe festivalin e turizmit që do të mbahet, për herë të parë, nga 25 deri 30 maj të këtij viti në Prishtinë.

Sipas tij, hoteleria në Kosovë është mirë e zhvilluara, ku ka objekte shumë të mirë por mungon kuadri për hoteleri.

“Mungojnë shkollat për hoteleri, mungon puna praktike, pagat nuk janë sa duhet. Shoqata jonë mban trajnime brenda dhe jashtë vendit në objektet e hoteliere“, tha Hyseni në emisionin e mirëmëngjesi në RTK.

Hoteleve dhe gastronomisë në Kosovë, sipas tij, i mungojnë 10 mijë kamerierë profesionistë.

“Një kamerier profesionistë nuk do të duhej të ankohej për rrogë, kërkohen kamerier profesionist e jo ndonjë jurist a ekonomistë që mendojnë të punojnë si kamerier vetëm përkohësisht. Nevoja për kamerierë ka i tërë rajonin, sidomos gjatë verës, kur katërfishohet kërkesa për kameriere”, tha Xhevdet Hyseni

Sfidat, sipas tij, janë të shumta, pajisjet janë të shtrenjta dhe tatimi është shumë i lartë. Edhe në Shqipëri, thotë ai, gjendja është njësoj ndoshta pak më mirë.

Analistët serbë: Serbia i ka shpenzuar zgjidhjet e mira për Kosovën, i ka mbetur më e keqja

Serbisë nuk do t’i lejohet anëtarësimi në Bashkimin Evropian, pa një zgjidhje të qartë të çështjes së kufijve. Kështu ka thënë presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, duke shtuar se vendimin e tij për Kosovën do ta shpallë brenda dy muajve të ardhshëm.

Dy dekada nga përfundimi i luftërave në ish-Jugosllavi, Serbia ka konteste të pazgjidhura kufitare me pothuajse të gjitha vendet fqinje, me të cilat dikur ishte në një shtet të përbashkët, shkruan B92.

Megjithatë, ndoshta në këtë moment çështja më e rëndësishme është se, a do të mbetet vija aktuale kufitare- administrative me Kosovën?

“Në Strategjinë e BE-së, e cila së shpejti do të miratohet, thuhet se nga Serbia pritet një marrëveshje obligative juridike, që është një hyrje për zgjidhjen e statusit final dhe është e qartë se ajo ndoshta do të kërkojë një korrigjim të caktuar të kufirit, kështu që unë pasur kam një lloj të përgatitjes së terrenit”, thotë Marko Savkoviq nga Fondi i Beogradit për Përsosmëri Politike, përcjell Telegrafi.

BE nuk dëshiron tëimportojë probleme bilaterale, sqarojnë në lëvizjen evropiane. Ndërsa një zgjidhje më pak e keqe për problemin e Kosovës e paralajmëron nga presidenti serb.

“Nuk ka asnjë zgjidhje të mirë. Zgjidhjet e mira për Kosovën janë shpenzuar kaherë, neve na mbetet për të zgjedhur një të keqe më të vogël. E, zgjidhja më pak e keqe është normalizimi i marrëdhënieve pa njohjen e Kosovës, sepse njohjen askush nuk po ma kërkon”, tha Suzana Grubjeshiq, e Lëvizjes Evropiane.

Presidenti Vuçiq ka paralajmëruar se vendimin për Kosovën do ta japin qytetarët përmes një referendumi.

“Së pari, le të shohim se cila do të jetë pyetja, sa kohë do të zgjasë debati … Unë jam për referendum, por duhet të jetë rezultat i një debati më të gjerë”, tha analisti Branko Radun.

BE-ja është “djegur” në rastin e kontestit kufitar midis Kroacisë dhe Sllovenisë, prandaj Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, ishte shumë konkret në Parlamentin Evropian kur e bëri të qartë se të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, që dëshirojnë të bashkohen me Bashkimin Evropian, duhet së pari të zgjidhin të gjitha kontestet kufitare.

Të përkujtojmë se ambasadori francez në Beograd, Frederic Mondoloni, ka deklaruar ditë më parë se nuk do të ketë integrim të Serbisë në Bashkimin Evropian (BE) pa një marrëveshje me Kosovën.

VIDEO/ Kinezët ndërtojnë hekurudhë për vetëm 9 orë

Kinezët vazhdojnë të suprizojnë të gjithë botën duke dëshmuar se janë një nga fuqitë më të mëdha në botë.

Në vetëm 9 orë, 1500 punëtorë kinezë ia kanë dalë të ndërtojnë hekurudhën në stacionin e ri të trenit në qytetin Fuijan.

Ata i nisën punimet në 19 janar dhe me përfunduan në kohë rekorde falë fuqisë së madhe puntore më 20 janar, përcjellë Teleshkronja.

Për më shumë ndiqni videon e mëposhtme e publikuar nga e përditshmja britanike Daily Mail.

Mediet serbe publikojnë disa “fakte” për vrasjen e Oliver Ivanoviqit, flitet edhe për një video

Instituti i Mjekësisë Ligjore në Prishtinë ka disa regjistrime, por edhe prokurorët në Mitrovicë nuk i morën ato as një javë pas vrasjes.

Mediat serbe raportojnë se autoritetet kosovare po heshtin për rrjedhën aktuale të hetimit të vrasjes së Oliver Ivanoviqit. Sipas tyre, kjo po nxit edhe më tej dyshimet se po fshihet diçka.

Megjithatë, përkundër kësaj, gazeta beogradase “Kurir” zbulon jozyrtarisht se posedohen disa regjistrime, transmeton Indeksonline.
Një nga personat që ishte në vendin e ngjarjes dha një dëshmi për fizionominë e vrasësit.

Sipas përshkrimit që ai kishte dhënë në polici, vetura që ngiste personi ishte “Opel Astra” e cila, sipas tij, u ndez nga një burrë i moshës mesatare.

Më tej, ai thotë se i dyshuari kishte një kapuç mbi kokën e tij. Pas vrasjes, i njëjti pretendohet se iku në drejtim të fshatit Suvi Do.

Ndryshe, Policia e Kosovës është deklaruar për raportimet se personi i dyshuar për përfshirjen e vrasjen e Oliver Ivanoviqit të jetë Millan Radojçiq.

Zëvendëskomandanti i PK-së për rajonin Veri, Besim Hoti, në një prononcim për “Indeksonline” ka thënë se Policia do të veprojë konform autorizimeve të Prokurorisë së Shtetit.

“Askush s’ka thënë që pritet të arrestohet (Milan Radojcic). Në asnjë element nuk presim të ndërhyjmë në punën e prokurorëve. Hetuesit policorë punojnë nën autorizimin dhe çdo veprim vjen nga autorizimet e prokurorëve”, ka thënë ai.

Hoti theksoi se organet e sigurisë në asnjë aspekt s’guxojnë të spekulojnë dhe paragjykojnë për raportimet e tilla.

Edhe bashkëshortja e Oliver Ivanoviqit, Milena Popoviq Ivanoviq, deklaroi para disa ditësh se “dihet kush e ka bërë vrasjen, por ata që e kanë bërë këtë duhet ta dinë se kjo nuk do të kryhet aq lehtë”.

Vlen të theksohet se mbi Ivanoviqin atentatorët shtinë nga rruga, e pastaj ikën me veturën e tipit “Opel Astra”, të cilën e kanë djegur.

UEFA me rregulla shokuese për transferimin e lojtarëve

UEFA po i ndryshon rregullat e transferimeve të lojtarëve.

Klubet si Manchester United, Manchester City dhe PSG kanë shpenzuar më shumë se 200 milionë funte në aftin e verës dhe në këtë të dimrit, duke dal në arkat e tyre -130 milionë funte.

UEFA ka marr vendim që me rregullat e reja të transferimeve të lojtarëve, klubet të mos dalin më shumë se 90 milionë funte minus, pasi nuk duan që t’i dëmtojnë skuadrat e tjera me gjendje ekonomike më të dobët, përcjell ORAinfo.

Shtëpia më e madhe në futbollin evropian gjithashtu u ka bërë me dije këtyre klubeve se ata nuk kanë të drejt më të transferojnë lojtarë nën moshën 21 vjeçare.

Aplikacioni i Edward Snowden monitoron rrethinën tuaj për siguri

Edward Snowden, së bashku me inxhinierin e sigurimit Micah Lee, kanë lëshuar një aplikacion në Android në partneritet me The Guardian Project.

Ky aplikacion është menduar për qytetarët të cilët vetë ose pasuritë e tyre janë në rrezik dhe do të donin të monitoronin mjedisin e tyre për t’i paralajmëruar ata për ndonjë ndërhyrës.

Haven, aplikacioni përdor sensorët në pajisjen tënde Android për të ndjekur metrika të ndryshme. Ai përdor akselerometrin për të ndjekur lëvizjen e pajisjes dhe vibracionet përreth, kamerën për të ndjekur lëvizjet e objekteve në pamje, mikrofona për të ndjekur zhurmat në mjedis, ndriçuesit e ambientit të dritës për të ndjekur ndryshimet në dritat dhe fuqinë për të kontrolluar nëse telefoni ishte i shkyçur nuk ka energji.

Mënyra se si aplikacioni duhet të funksionojë është që ju duhet ta instaloni këtë aplikacion në një telefon me një kartë SIM. Aplikacioni pastaj konfigurohet për të regjistruar të gjithë informacionin dhe për të dërguar njoftime në një numër, në mënyrë ideale numrin tuaj personal, mbi një kanal të sigurt si Signal ose Tor me enkriptim. Nëse aplikacioni merr të dhëna nga sensorë, si dikush që hyn në dhomën tënde ose i qasesh në sendet e tua (le të themi, laptop), menjëherë do të dërgojë njoftime në numrin tuaj kryesor. Përndryshe, mund të instalohet në telefonin tuaj kryesor dhe t’i dërgoni njoftimet në një numër të besueshëm, duke i njoftuar ata në rast se vini në rrezik fizik.

Pa dyshim, një aplikacion që përdor sensorë për të gjetur gjithçka rreth ambientit tënd, nuk duket më pak e frikshme se kërcënimet që pretendon të mbrojnë. Por për ata paranojak, aplikacioni është burim i hapur, kështu që kushdo mund të shikojë kodin bazë dhe zhvilluesit kanë ftuar njerëzit që të kontribuojnë në të. Gjithashtu mund të përpiloni aplikacionin duke përdorur Android Studio dhe Gradle. Të gjitha bibliotekat e nevojshme dhe varësitë e palëve të treta janë dhënë në faqen e tyre GitHub.

Haven është aktualisht në beta dhe mund të shkarkohet falas në Android.